INTERVISTA / Turpi paralizon këmbët më shumë se sa dhuna…

redaktor

R. ishte një grua e re, e bukur, me sy të mëdhenj. Buzëqeshja nuk i mungonte asnjëherë, edhe pse jeta ishte treguar e ashpër me të. Historia e saj plot probleme dhe mundime kishte zënë fill ende pa lindur ajo, kur prindërit e saj u ndanë dhe kur e ëma e saj ishte ende shtatzënë. Pas gjashtë muajsh e ëma e R-së martohet sërish. Tre vjet R-ja jetoi me njerkun dhe nënën e saj, por kur lindi fëmija tjetër, njerku filloi t’i shprehte hapur qëllimet e tij të paskrupullta. Në këtë situatë, gjyshërit e morën R-në dhe e rritën me shumë sakrifica deri në moshën katërmbëdhjetëvjeçare. Më pas një takim me babanë që e kishte braktisur kur ishte fëmijë, do t’i ndryshonte jetën. Në fshatin e babait të saj, ajo do të njihte bashkëshortin e saj. Kur ishte 17 vjeç, R. lindi një djalë. Ajo pohon se bashkëshorti i saj ishte një njeri shumë i mirë, por bashkëjetesa me të zgjati pak sepse ai humbi jetën në një sherr që u bë në fshat. Kjo ishte një ngjarje shumë e dhimbshme për të. Dhe jo vetëm për të por edhe për djalin që në atë kohë ishte gati tre vjeç. Pa mbushur ende 40 ditë nga vdekja e bashkëshortit, R. martohet me një tjetër. Këtë ia gjeti babai. Ishte një njeri me probleme në shëndetin mendor dhe kishte nevojë për përkujdesje. Familja e tij e ndihmonte R-në me para. Qëndroi e martuar për një vit me të sëmurin, por duke qenë se jeta me të bëhej gjithnjë e më e vështirë për të dhe për të birin, ajo vendosi që të largohej. Edhe familjarët e të sëmurit e pranuan këtë vendim. Nëna e saj, i mbylli derën paskëtaj, babai u largua nga jeta dhe ajo shkoi pranë të birit, që kishte një vit pa e pasur pranë. Në shtëpinë e bashkëshortit të parë, ajo gjeti një kunat që kujdesej shumë për të birin dhe për të. Por, ngacmimet e tij seksuale dhe fizike ishin të padurueshme. Varfëria e mbante peng të burrit që e dhunonte. Në këtë situatë, ajo detyrohet të largohet sërish. Së bashku me fëmijën, R. shkon në një strehëz që ndihmon gratë e dhunuara. Djali e mori veten më shpejt. Terapia sportive e ndihmoi shumë atë. Sot, ajo është në Itali, pranë së ëmës dhe fëmijëve të saj. Ata e ndihmuan ekonomikisht, pas këmbënguljes së vazhdueshme që ndërmorën punonjësit e kësaj qendre. Nëse familjarët do ta braktisnin sërish, ajo nuk do të mund të mbijetonte në Shqipërinë që nuk të ofron mundësi punësimi.

Kjo është historia e një vajze e cila ishte e detyruar të bashkëjetonte me dhunën për shumë vite, ndër të tjera edhe për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

Turpi paralizon këmbët më shumë se sa dhuna dhe terrori dhe në këto kohë duhen këmbë të shëndetshme për të shkuar larg. Aktualisht jemi në ditët e muajit kundër dhunës ndaj grave. Në Shqipëri, has shpesh histori grash që dhunohen nga bashkëshortet e tyre. Në Gjykatën e Tiranës, çdo ditë depozitohen kërkesa për urdhra mbrojtjeje. Ky fenomen duket se nuk njeh kufij.

Për të diskutuar mbi këtë temë ne kemi bërë një bisedë me Etleva Sheshin, Drejtoreshë në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, për Barazi Gjinore. Në një intervistë për Dita-n ajo tregon se çfarë po ndodh në Shqipëri në lidhje me këtë fenomen.

Zonja Sheshi, gjithmonë flasim për dhunën ndaj grave, por nga viti në vit është një fenomen në rritje apo në ulje?

Dhuna ndaj grave është një fenomen mbarëbotëror. Duke përshirë dhunën në familje, përbën një ndër format më serioze të shkeljes të së drejtave të njeriut me bazë gjinore në Evropë që është akoma e mbështjellë me heshtje. Një vështrim i përgjithshëm i anketimeve në disa vende të Europës konstaton se nga një e pesta deri te një e katërta e të gjitha grave kanë përjetuar dhunë fizike, të paktën, njëherë gjatë jetës së tyre si të rritura, dhe më shumë se një e dhjeta e tyre kanë përjetuar dhunë seksuale duke përfshirë përdorimin e forcës.

Megjithatë mund të themi se ka filluar të rritet besimi i njerëzve e sidomos i grave tek institucionet shtetërore përgjegjëse për reduktimin e dhunës në familje, duke u drejtuar tek to për të marrë ndihmë, për të referuar rastin dhe gjetur mbështetjen e duhur e të garantuar sipas legjislacionit në fuqi.

Kjo dhunë shfaqet në të gjitha format: Dhunë emocionale, si forma më shpesh e hasur e dhunës në familje, dhunë ekonomike, e cila ndeshet më shumë në zonat urbane, dhunë fizike, e cila ndeshet më shumë në zonat rurale, si dhe dhunë seksuale e cila rezulton më pak e raportuar.

Etleva Sheshi, Përgjegjëse e Sektorit të Barazisë Gjinore
Etleva Sheshi, Përgjegjëse e Sektorit të Barazisë Gjinore

Si janë shifrat në këtë drejtim, a kemi statistika për sa i përket dhunës?

Sigurisht që kemi statistika. Statistika shumë të rregullta ne si MMSR, institucion kryesor përgjegjës për çështjet e dhunës marrim çdo tre-muaj nga Policia e Shtetit. Ndërkohë që ka një vit e gjysmë që është ngritur edhe sistemi online i raportimit të rasteve nga Koordinatorët vendorë të dhunës në Bashki nga ku mund të monitorojmë jo vetëm thjesht statistikat, por edhe se cili nga institucionet anëtare të Mekanizmit Kombëtar të Referimit të rasteve të dhunës është funksional në menaxhimin e rasteve të dhunës.

Referuar shifrave për periudhën Janar-Tetor 2015 kemi 3389 raste të evidentuara/denoncuara në Policinë e Shtetit. Për 1851 raste është bërë kërkesë për Urdhër-Mbrojtjeje.

Po ta krahasojmë me të dhënat e vitit 2008, një vit pas hyrjes në fuqi të Ligjit “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” ku ishin vetëm 822 raste, e shohim që tashmë ky fenomen nuk është më i fshehur, brenda mureve të shtëpisë, por denoncohet dhe raportohet.

Me ndryshimet e fundit të Kodit Penal, ku dhuna në familje konsiderohet “Krim”, në bazë të Nenit 130/a të këtij kodi, për periudhën 10 mujore të këtij viti janë proceduar penalisht 1 165 raste.

Pse prodhohet kjo dhunë, çfarë i shtyn burrat të dhunojnë gratë e tyre?

Është e rëndësishme të theksohet se dhuna në familje ndaj grave dhe fëmijëve nuk është një fenomen i ri në Shqipëri, por ajo ka rrënjë të thella kulturore në shoqëri. Rrënjët e saj shtrihen në traditat dhe zakonet patriarkale të rrënjosura thellë, si për shembull identitetet dhe rolet e rrepta gjinore, autoriteti patriarkal, zbatimi i një sistemi nderi dhe turpi, dhe zakonet e rendit hierarkik në familje, si dhe kontrolli i anëtarëve të familjes, elemente të cilat kanë zënë vend për një kohë të gjatë në shoqërinë shqiptare.

Cilat janë arsyet që kemi kaq shumë dhunë, jemi një shoqëri e dhunshme, apo ka faktorë të tjerë?

Nuk jam dakord me këtë që jemi shoqëri e dhunshme, pasi dhuna siç ju thashë edhe më parë ndodh edhe në shoqëri të tjera si në Suedi, Spanjë, Itali etj, pra nuk njeh kufij. Është për këtë arsye që edhe Këshilli i Europës hartoi e miratoi Konventën e Stambollit në 2011, duke e konsideruar si një instrument ligjor, për parandalimin dhe luftën kundër dhunës në familje dhe formave të tjera të dhunës kundër grave, mbrojtjen dhe mbështetjen e të mbijetuarave të dhunës, por edhe për përndjekjen e dhunuesve, si një hap përpara drejt respektimit më të madh të të drejtave themelore të grave dhe vajzave.

Shqipëria ishte e dyta që e ratifikoi këtë Konventë dhe ka para vetes detyrime për respektimin e të gjitha standardeve të saj.

Sa ndikon gjendja e vështirë ekonomike, mentaliteti…?

Gjendja ekonomike sigurisht që është një nga faktorët për ekzistencën e dhunës, por jo i vetmi. Me shumë ndikim janë edhe normat e familjes e shoqërisë, respektimi i vlerave dhe marrja e roleve e përgjegjësive gjinore në familje. Pra shkaqet janë nga më komplekset, por edhe që ndërthuren me njëra-tjetrën.

A ka raste kur gruaja denoncon e më pas tërhiqet dhe rikthehet te burri dhunues?

Ka edhe raste të tilla.

Pse ndodh kjo?

Ka raste që çështja shkon deri në Gjykatë dhe aty gruaja tërhiqet për arsye të ndryshme, duke nisur që nga presioni i familjarëve, e deri tek pamundësitë për të përballuar jetesën e vetme dhe me fëmijë.

Shpesh bëhet zhurmë e madhe, për dhunën ndaj grave, por në fakt fenomeni i dhunës është edhe ndaj fëmijëve edhe ndaj të moshuarve, pse bëhet më shumë zhurmë për gratë?

Ligji Shqiptar “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, ka si qëllim “Garantimin e mbrojtjes me masa ligjore të pjesëtarëve të familjes, të cilët janë viktima të dhunës në familje, duke i kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuar“.

Por nga të dhënat, jo vetëm kombëtare por edhe në rang botëror rezulton se pjesa më e madhe e të dhunuarve në familje janë gratë.

Nga eksperienca juaj, duke parë dhe rastet konkrete, a keni venë re që shumë gra e shohin si normalitet dhunën e burrave ndaj tyre?

Kanë shumë rëndësi normat dhe vlerat e familjes. Duke u nisur nga kjo dhe bazuar në të dhënat statistikore rezulton se nëse një njeri/individ është rritur në një familje ku ka pasur dhunë, me shumë gjasa edhe kur të formojë familje të re do të ketë raste dhune, do të gjenerojë dhunë. Pra e thënë më thjesht, nëse një vajzë në familjen e vet ka parë dhunën e ushtruar ndaj nënës së saj apo edhe ndaj saj direkt, në familjen e re është më e prirur të durojë sërish dhunën bile ta shohë si diçka normale.

Sa ndikon feja në zbutjen e dhunës?

Feja ka rolin e vet në zbutjen e dhunës. Po të vini re, gjatë lutjeve apo shërbesave të ndryshme fetare, në të gjitha fetë, predikohet për dashurinë, paqen në familje e shoqëri, respektimin e gruas, të fëmijës, të moshuarve etj.

Jo vetëm në lutje feja ka rol, por edhe në veprimtarinë e institucioneve të ndryshme fetare, ata japin shërbime për njerëzit më në nevojë, duke filluar nga ushqimi, strehimi etj. Gjithashtu një rol ka edhe sa i takon ri-integrimit të viktimave të dhunës.

Për këtë qëllim, Ministri i MMSR i ftoi të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri që të bashkojnë përpjekjet për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Kështu në datën 25 Nëntor që është edhe dita ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave, u nënshkrua një Deklaratë e përbashkët e MMSR dhe Drejtuesve të Komuniteteve fetare për koordinimin e përpjekjeve në këtë drejtim.

Një problem janë urdhrat e mbrojtjes. Gjykata jep shumë të tillë gjatë vitit, në dijeninë tuaj sa respektohen ato dhe a ka pasur shkelje?

Ka edhe raste kur Urdhrat e Mbrojtjes shkelen, por me ndryshimet në Kodin Penal, nëse e shkel UM ka sanksione penale tashmë.

Si është “Bota Portokalli” e Etleva Sheshit?

Një Botë ku gruaja respektohet dhe i garantohen të gjitha të drejtat njësoj si burrit. Një Botë ku harmonia dhe dashuria për familjen e shoqërinë triumfon mbi dhunën dhe diskriminimin.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *