Në një vend ku duket se të gjithë ankohen se nuk ka vende pune dhe ku të shumtë janë ata që duan të ikin nga Shqipëria në kërkim të një pune dhe jete më të mirë, ne shkuam pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale, jo për të kërkuar punë, por për të mësuar më shumë rreth problematikave të papunësisë. Ky institucion erdhi me shpatë të madhe në këtë drejtim duke premtuar zgjidhje. Pyetja që ngrihet është, nëse sot, pas dy vitesh, kemi më pak apo më shumë të papunë.
Gentiana Sula (Mara) është zëvendësministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (MMSR) prej vitit 2013. Në një bisedë për Dita-n ajo pranoi të thotë variantin e saj dhe të dikasterit ku bën pjesë në lidhje me këtë problematikë të rëndësishme për popullatën.
-Zonja Sula, puna në vendin tonë është një treg shumë i përfolur, që prek drejtpërdrejt njeriun. Në lidhje me këtë problematikë, çfarë ka ndryshuar dy vitet e fundit?
Nëse do përdorja një fjalë për ta përshkruar tregun e punës në Shqipëri, ajo fjalë do të ishte: dinamike! Ky dinamizëm shfaqet dhe ndikohet në disa rrafshe: në atë global, europian, ballkanik dhe natyrisht kombëtar. Në rrafshin global, forca kryesore që e skalisin tregun e punës janë globalizimi me ndarjet e punës mes shtetesh si dhe ndryshimet e fuqishme teknologjike. Në rrafshin europian përpjekjet e vendeve për integrim kërkojnë standarde më të larta e konkurruese të punës e aftësive. Në rrafshin ballkanik, ka një realitet të ri gjeopolitik që vë theksin tek ndërveprimi, komplementariteti dhe konkurrueshmëria mes vendeve të rajonit. Ndërsa në rrafshin kombëtar ka forca lëvizëse që burojnë nga tranzicioni i ekonomisë së centralizuar e shtetërore që vazhdon të ristrukturohet në një ekonomi të tregut me rritje të qëndrueshme, me një sektor privat që sa vjen e fuqizohet, si dhe ndryshimet social-ekonomike të tipit demografik, si për shembull urbanizimi i vazhdueshëm dhe lëvizjet migratore. Ndikim të madh japin edhe aksionet reformuese për një model të ri ekonomik dhe reformat sektoriale që synojnë zhvillimin e degëve të ndryshme të ekonomisë, e cila është dhe kryefjala e botës së punës.
Në kushtet e një ndryshueshmërie të lartë, përpara çdo qytetari ka një sfidë të madhe. Të ndjekë këto zhvillime të tregut të punës, të pajiset me aftësitë e nevojshme, dhe të jetë pse jo dhe sipërmarrës vetë.
Për institucionet publike, ligjvënësit dhe politikëbërësit, del detyra që të garantojnë sisteme të tilla që informojnë publikun për mundësitë e punësimit, që ofrojnë shërbime punësimi të përshtatshme edhe për grupet më të disavantazhuara, që ofrojnë shanse të formimit profesional për të gjitha moshat dhe profesionet e nevojshme, por sidomos për të rinjtë. Detyra të tjera lidhen me ndërtimin e një skeme mbrojtjeje shoqërore që garanton pension pleqërie sa më të përshtatshëm, por edhe kushte pune të sigurta dhe garantim të të drejtave, punë të denjë dhe të regjistruar, për çdo qytetar që punon qoftë brenda, qoftë jashtë vendit. Të gjitha këto janë pasqyruar në punën e përditshme të Ministrisë së Mirëqenies, nëpërmjet reformave të rëndësishme të punës, shërbimeve të punësimit, arsimit dhe formimit profesional, si dhe pensioneve. Të dhëna më të hollësishme gjenden tek Anketa e Forcave të Punës që INSTAT publikon çdo 3 muaj, si dhe tek portali Puna.gov.al ku mund të ndiqet procesi i punë ofrimit dhe kërkimit në kohë reale.
-Në teori jemi mirë, por kur vjen puna në praktikë, kuptojmë se gjithmonë e më shumë duket se gjetja e një vendi pune në këtë vend është sfida më e vështirë që përballen qytetarët, si ka mundësi që një vend ku fuqia punëtore është e lirë të ketë kaq shumë papunësi?
Në të vërtetë në Shqipëri ka punë të lira. INSTAT raportoi se gjatë vitit të shkuar vendet e punës u rritën me 10.3 për qind te industria përpunuese, 9.8 për qind tek ndërtimi, 9.4 për qind tek industria nxjerrëse, energjia, gazi e furnizimi me ujë, 7.4 për qind tek shërbime jo tregu. Gjatë vitit të fundit janë afishuar në Shërbimin Kombëtar të Punësimit gjithsej 35.345 vende të lira, dhe sot që flasim janë 2.917 vende aktive të lira.
-Kur ka kaq shumë vende të lira, cili është shkaku që ka kaq shumë papunësi?
Shkaku i parë i papunësisë është mungesa e aftësive për punët e ofruara. Biznesi ankohet shumë shpesh për këtë fakt, i cili është dhe raportuar nga raporti Doing Business si faktori i dytë i pengesës për rritje i bizneseve vendase. Kjo është një sfidë për vetë bizneset që duhet të organizojnë formimin në vendin e punës, por edhe për sistemin tonë arsimor parauniversitar dhe të lartë, atë të Arsimit dhe Formimit Profesional si dhe Shërbimin Kombëtar të Punësimit që të sigurojë arsimimin e nevojshëm praktik, të lidhur me nevojat e tregut dhe zhvillimin ekonomik të vendit, për të rinjtë, por edhe për të rriturit gjatë gjithë jetës. Reformat në këtë fushë janë shumëplanëshe dhe po zhvillohen me shpejtësi, me asistencën ndërkombëtare, sidomos atë gjermane.
-Në Shqipëri burrat bëjnë mesatarisht vetëm 53 minuta punë të papaguar në ditë, krahasuar me 314 minuta në ditë që bëjnë gratë shqiptare, bazuar në raportin e fundit të Zhvillimit Njerëzor… Ju shqetësojnë këto shifra?
Sigurisht. Në shumë raste papunësia është e fshehur në formën e punës joformale në kushte shtëpie, në bujqësi apo në biznese. Qeveria ndërmori një fushatë të gjerë të formalizimit të vendeve të punës, ose quajtur ndryshe zbardhje e tyre, me një gërshetim masash. Ndër këto masa do përmendja relaksimin e tatim fitimit për pagat e ulëta nën moton “ai që fiton më pak, paguan më pak”, masat lehtësuese për sigurimet shoqërore e punonjësve në bujqësi, transformimin e skemës së pensioneve në skemë kontributive, gjë që inkurajoi punonjësit të regjistrohen me pagën reale të tyre meqenëse skema e re nuk ka “tavan” etj. Masa të reja që formalizojnë punët e përkohshme, sezonale, apo me kohë të shkurtuar ku hyjnë punët sezonale, ato të studenteve gjatë fundjavave apo shërbime të ndryshme janë ndërmarrë me dy ndryshime të rëndësishme të kuadrit të legjislacionit të punës. Kështu Kodi i Punës ndryshuar në dhjetor 2015 njeh agjencitë e punësimit të përkohshëm si aktor për formalizimin e këtyre punëve jotipike. Ndërsa Projektligji për Zejtarinë që u miratua nga qeveria këtë javë organizon të gjithë zejtarët dhe artizanët duke favorizuar formalizimin e disa aspekteve të kësaj pune në Shqipëri.

Puna e papaguar është një fenomen i rëndomtë në vendin tonë, keni ndonjë strategji se çfarë mund të bëhet në këtë drejtim?
Mungesa e aktivizimit në punë të paguar mund të vijë edhe për shkak se personi kryen detyra familjare dhe këtu veçojmë gruan që kujdeset për fëmijët dhe për të moshuarit. Mungesa e shërbimeve për fëmijërinë e hershme si kopshte e çerdhe, apo përkujdesjet për të sëmuret dhe të moshuarit, shpesh bie në supet e vajzave e grave të reja të cilat për këtë arsye kanë një punësueshmëri më të ulët. Pushteti vendor kudo duhet të lehtësojë punësueshmërinë e këtyre vajzave e grave nëpërmjet rritjes së shërbimeve për fëmijët në komunitet.
Shpesh kemi papunësi për shkak të varësisë së krijuar nga skemat e solidaritetit që ka në Shqipëri, ku me keqardhje numëroj edhe përdorimin abuziv të këtyre skemave apo dhe shënjestrimin e gabuar të tyre. Tipike është papunësia e regjistruar me afat shumë të gjatë nëpër skemat tona të ndihmës. Lënë pas dore si fenomen, ky ka potencial për të ricikluar një kulturë varësie dhe skamje në familjet e të papunësuarit. Prandaj programet e nxitjes së punësimit që kemi vënë në efiçencë dhe kemi zgjeruar këto 2 vjet, po shënjestrojnë së pari këtë kategori. Por kemi vënë dhe detyrimin që nëse punëkërkuesi nuk është i gatshëm për të marrë punën e ofruar apo kurset e formimit, atëherë ai të konsiderohet që nuk ka nevojë për punë, e të largohet nga skemat e ndihmës. Ndryshimi ligjor në lidhje me këtë fenomen është miratuar tashmë.
-Dakord, por vetëm në vitin e kaluar kemi mbi 55 mijë qytetarë shqiptarë që kërkojnë azil ekonomik në Gjermani për të gjetur një punë, s’ka ndodhur diçka e tillë që në fillim të viteve ’90. Keni një shpjegim pse është bërë kaq problematik ky fenomen?
Fenomeni i azilkërkimit në Gjermani nga vendet e Ballkanit përfshi Shqipërinë ka specifikat e veta. Lëvizja e lirë e krahut të punës është një e mirë publike që qytetarët e Europës së Bashkuar e kanë, dhe e ushtrojnë. Sidomos vendet e reja që hynë rishtaz aty, janë dhe vendet e origjinës së punëtorëve të rinj në një lëvizje masive do të thosha, nga vendet më të varfra në ato më të begata e me liri më të konsoliduara. Por qytetarët e Ballkanit si shqiptarë ashtu edhe serbë dhe kosovare që panë azilkërkimin si rrugë punësimi, nuk mund të përfitojnë nga lëvizja e lirë e punonjësve në tregun e punës së BE-së. Mendoj se në masivizimin e azilkërkimit gjatë 2015 kanë ndikuar shumë faktorë. Do veçoja një ndryshim të politikës evropiane drejt ngadalësimit të zgjerimit të Europës, kombinuar kjo me mbipërdorimin e skemës së azilit nga refugjatët e luftës së Lindjes së Mesme, që mbase ndikoi në “humbjen e durimit” të atyre qytetarëve që e kanë aspiratë eksplorimin e tregut gjerman të punës. Gjithashtu mungesa e kanaleve ligjore të punësimit të shtetasve të Ballkanit ka rolin e vet në këtë fluks. Për fat të mirë, një kanal i tillë u hap me miratimin e një ligji favorizues për punësimin e shtetasve të Ballkanit në Gjermani që ka hyrë në fuqi më 1 janar 2016. Një program këshillues për këtë punësim ka filluar me agjencinë DEKRA me rreth 300 infermierët e parë, dhe do të pasohet nga të tjerë në të ardhmen.
Shqiptarët kanë rreth dy dekada e gjysmë që po migrojnë në të dy kahjet, edhe dalin nga vendi edhe kthehen. Analizat e profilit të migracionit kane treguar që rreth 1.5 mln shqiptarë ndodhen sot jashtë vendit, ndërkohë që dhjetëra mijë kthehen çdo vit, sidomos nga Greqia. Politikat e qeverisë synojnë një menaxhim sa më të mirë të fluksit migrator, inkurajim të lëvizjeve me punësim të rregullt, reduktim i kostove individuale dhe publike për emigracionin jo të rregullt, dhe ri-integrimin e atyre emigrantëve që kthehen si dhe familjeve të tyre.
-Çfarë rezultatesh ka dhënë zbatimi i programit për nxitjen e punësimit dhe a do të vazhdojë?
Në zbatim të Programit të Qeverisë dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për aplikimin e programeve aktive në tregun e punës të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në grupin e punëkërkuesve të papunë për t’i nxitur ata në gjetjen e një punësimi sa më afatgjatë, për vitin 2015 nga Buxheti i Shtetit u akordua një fond prej 450 milion lekë për zbatimin e 6 programeve të nxitjes së punësimit.
Në programet e nxitjes së punësimit kanë marrë pjesë 588 subjekte ekonomike dhe janë punësuar, trajnuar nëpërmjet punës dhe kanë kryer praktikat profesionale mbi 5.744 punëkërkues të papunë të regjistruar në zyrat e punësimit. Janë favorizuar punëkërkuesit gra (75% e totalit) dhe të rinj (56%) të cilët kanë dhe papunësi më të lartë. Nga këto 55% vinin nga grupet në vështirësi, ku puna është jetike. Subjektet ekonomike që janë ofruar për bashkëpunim në programet e nxitjes janë fasoneri me rreth 50 për qind të punëkërkuesve, operatore turistike, ndërmarrje bujqësore, si dhe kompani të teknologjisë së informacionit. Programet e nxitjes së punësimit do të vazhdojnë të zbatohen dhe në vitet në vazhdim. Për vitin 2016 fondi i akorduar nga buxheti i shtetit është 490 milion lekë, 40 milion lekë më shumë se një vit më parë.
-Si është raporti i punëve që kërkohen me punët që ofrohen, në aspektin arsimor?
Një raport i BE-së që po botohet rishtazi tregon që vetëm 60 për qind e të diplomuarve në shkollë të lartë punon në profil, ndërsa pjesa tjetër ose bën punë të pakualifikuar ose është e papunë. E ngjashme është dhe perspektiva e punësimit të maturanteve që dalin nga shkollat e mesme të përgjithshme. Punësueshmëria e tyre mezi i kalon 47 për qind. Ndërkohë punësueshmëria e nxënësve e arsimit profesional kap shifrat e 61.5 për qind. Këto fakte kanë diktuar një reformë të thellë qoftë në Arsimin e Lartë, dhe atë Parauniversitar që MAS ka ndërmarrë, qoftë atij të Arsimit dhe Formimit Profesional që është në fokusin e Ministrisë së Mirëqenies. Thelbi është lidhja e agjendës së arsimimit me atë të biznesit, lidhja e shkollës me tregun e punës, prezantimi i skemave të praktikave mësimore në biznes qoftë me format e çirakërisë dhe të stazhit, apo me programet e nxitjes së punësimit që konsistojnë në praktika në vendin e punës, për grupet që kanë vështirësi punësimi për mangësi aftësish.
Në vitin 2014, u miratua Strategjia për Punësim dhe Aftësi e cila ka si vizion kryesor krijimin e një ekonomie konkurruese dhe të një shoqërie gjithëpërfshirëse deri në vitin 2020, të ndërtuara mbi: “Aftësi më të larta dhe punë më të mira për të gjithë femrat dhe meshkujt”. Rëndësi e veçantë i është kushtuar në këtë strategji lidhjes midis punësimit dhe sistemit të Arsimit dhe Formimit Profesional duke fokusuar masat qeveritare pikërisht në përballimin e kësaj sfide.
Projektligji për zejtarinë në RSH (pritet së shpejti të miratohet në Kuvend) sipas modelit të Dhomës së Zejtarisë së Koblenzit, Gjermani, parashikon ngritjen e Dhomës së Zejtarisë në Shqipëri dhe rregullimin e të gjithë sistemit të kualifikimit profesional në nivelet nxënës, ndihmës mjeshtër dhe mjeshtër, në bashkëpunim me shkollat profesionale në këtë fushë.

futja kot, vende pune me 15 000 pa kontrate e gje prej gjeje, te punosh 12 ore ne dite, mos flisni gjepura, per ku duhen punetoret e kualifikuar ne Call centera, apo ne fason…
Jo moj znj Mara jo,vende pune ka vetem per ata qe paguajne ,ose te aferm te politikaneve.Kjo gje duket sheshit ,hapur fare,nee sy te te gjitheve,e bejne politikanete te paret
pse nuk i botoni komentet
Në Lezhë ka vende pune vetëm te larja e zorrëve, pasi aty të del shpirti dhe paguhesh në mënyrë qesharake, kështu që s’qëndron askush.