Intervistë e pabotuar e Dritëro Agollit

Ornela

Intervistë e pabotuar e Dritëro Agollit, dhënë zotit Ekrem Bardha, pas luftës në Kosovë

Historia e Intervistës

Ne po rrinim në shtëpinë time në Detroit, ku kisha ftuar Dritëroin dhe Sadijen. Në të gjitha ato ditë kisha pasur shumë miq, më shumë se asnjëherë tjetër, të cilët vinin të takonin Dritëroin. Rrinte në poltron, si një patriark i hershëm dhe bisedonte me njerëzit, sikur të ishin rritur së bashku. E mbysnin me ftesa, qoftë edhe për një kafe dhe shumë shqiptarë, pavarësisht nëse ishin të majtë a të djathtë, e donin me doemos si mysafir në shtëpitë e tyre.

Dritëroi ishte një njeri që mund ta krahasoj me Nolin. Thjeshtësia e tyre ishte e njëllojtë, e folura e avashtë, plot mençuri. I dashur, i thjeshtë, i madh, ishte Dritëroi. Shumë shoqëror, i sinqertë dhe i hapur.

Duke biseduar me të, unë po shkruaja. E pyesja dhe me përgjigjej, ashtu ngadalë, duke tundur pak kokën dhe duke ngritur herë pas here gotën e vogël të rakisë. Desha të kisha një kujtim nga ai.

I bëra disa pyetje, i shtypa në fletët e bardha dhe ai, kur ishte vetëm, filloi të shkruajë. Në fakt, më shumë se për gazetën shqiptaro – amerikane, “Iliria”, ku isha pronar, i mendoja të gjitha për vete. Të kem mendimet e tij. Isha kurioz për gjithçka lidhej me Dritëroin, për jetën e tij, mendimin dhe poezinë, këngët që pëlqente dhe si kishte qenë e kaluara e tij, kur një natyrë kaq bujare ishte i detyruar t’i nënshtrohej një kohe të prapshtë dhe shpesh herë barbare. Dritëroi i mori fletët ku ishin pyetjet e përgatitura dhe kur shkoi të flerë shkroi për disa orë radhazi. Në mëngjes fletët dhe përgjigjet e tij ishin tek unë. Për shumë vite këto fletë, të shkruara me dorën e Dritëroit mbetën tek unë. Nuk doja t’i botoja, pasi më dukej se ishin vetëm për mua, por nuk ishte e drejtë. Dritëroi është i të gjithëve.

Edhe i njerëzve të zakonshëm, edhe i njerëzve të politikës së lartë. I përulej njerëzve të zakonshëm dhe ndjehej i barabartë, në mos më lart se njerëzit e hierarkisë së lartë.

Po ju tregoj dy raste.

Kur Dritëroi dhe Sadija ishin tek unë përkonte edhe 28 nëntori. E kemi traditë të mblidhemi dhe të manifestojmë së bashku. Atë 28 nëntor u mblodhën më shumë se dy mijë vetë. Veshur bukur, familjarisht, si për një mik të nderuar. Si një dalëzotas dhe babëzotas. Dritëroi mbajti fjalimin kryesor. Njerëzit e dëgjonin me vëmendje dhe lumturoheshin. Ishte i thjeshtë, i hapur, të dukej sikur të jepte zemrën në dorë. Edhe sot mbahet mend fjala e tij, por edhe qëndrimi i tij njerëzor. Njerëzit e prisnin dhe e ftonin në shtëpitë e tyre. Ia merrnin duart në duart e tyre, i rrihnin shpatullat.

Por, jo vetëm atje larg, ku malli shtohet dhe zemra rreh ndryshe. Udhëtonim një herë nga Tirana në Korçë. Ndalonim herë pas here dhe, menjëherë, Dritëroi rrethohej nga njerëzit. Të majtë, të djathtë, të përsekutuar të dikurshëm, djem e vasha të reja, të gjithë e donin, silleshin ndaj tij me respekt të jashtëzakonshëm, kudo që qëndronim pritja ishte e jashtëzakonshme.

Më  thonte se rakia nuk pihej vetëm. Rakia do shokë të mirë, më thonte dhe e ngrinte ngadalë gotën.

Fliste thjeshtë, pa fjalë të mëdha, këndonte edhe më me qejf, puliste sytë kur këndonte dhe dukej se kënga ishte në shpirtin e tij. Pastaj, tek isoja derdhej mes njerëzve, ai ngrinte sytë që i ndrisnin dhe rigjallërohej, si thonte vetë, si një rrëke pas një burimi…

Kur arritëm në Qafë të Qarrit u ndalëm dhe nga lart shikohej Kolonja.

Dritëroi ndezi një cigare. Kishim raki me vete. Ishim tre makina plot njerëz.

-Më jep një gotë, tha Dritëroi.

-Kolonja, i thashë, njihet jo vetëm për atdhetarizëm, por edhe për fasulet, dhe, ashtu befas, nuk e di se si më erdhi, filloi t’i flas për fasulet.

Më nderpreu :

-Mos më trego për fasulet, më tha, duke i qeshur sytë. Dhe shtoi, ashtu i qeshur, pasi kishte ngritur gotën:

-Unë, edhe kur bëj p..rdhë, e di se nga cilat fasule vijnë.

Qeshëm me të madhe dhe, kur udhëtonim me Dritëroin drejt Kolonjës, Leskovikut, Korçës, ia kujtoja shpesh.

Me Dritëroin më ka njohur Petrit Dani, një mik i përbashkët, që e kishte pasur babain partizan. Na u duk e zakonshme njohja, megjithëse jo kurdoherë mendimet tona për politikën dhe njerëzit përputheshin.

Rasti i dytë

Më ka bërë përshtypje një rast. Ishte fillimi i demokracisë. Kur u futëm me Dritëroin në restorantin “Piazza”, të cilin e drejtonte bija ime, Donika, brenda në sallë ishte edhe Ramiz Alia.

Ne u ulëm dhe Dritëroi e pa dhe e përshendeti. Ramizi e përshendeti me dorë dhe pastaj u ngrit nga tavolina dhe erdhi të takonte Dritëroin.

Më thonte shpesh se mirësia është më e gjatë dhe më e fortë se sa politika dhe se politika e shtrembër rrëzon gjithë turrën e së mirës.

Kujtimet janë të shumta, si për shumë e shumë vetë.

Por, duke sjellë këtë intervistë, të dhuruar nga ai me shkrimin e tij, që shpesh herë më është dukur si shkrimi i një fëmije, kam menduar me vete se Dritëroi nuk plaket kurrë e nuk largohet kurrë.

Ishte e pamundur të mos e doje Dritëroin apo të zemëroheshe me të. Për mua ai më ngjante gjithnjë me Fan Nolin. Dhe askush nuk më heq nga ky mendim.

Ja edhe intervista:

– Zoti Dritëro, si e shikoni situatën në Kosovë pas luftës, pas haraçit të gjakut dhe shkatërrimeve që paguan kosovarë  për lirinë e tyre:

D.Agolli : Nga kosova u përzunë ushtria, policia, repartet paraushtarake dhe mekanizmat e tjera që mbanin në këmbë makinën përçudnuese militare serbe. U përzunë tanket, autoblindat, avionët, makinat dhe mjetet e panumërta të motorizuara  që shtypnin, bluanin dhe digjnin kocka njerëzish dhe gjymtonin ndërgjegje dhe shpirtra të tërë që në djep dhe deri në arkivol. Me heqjen zvarrë dhe largimin e kësaj makinerie të përbindshme njerëzit thanë: “mos u kthefsh kurrë”.

Dhe filloi agimi i lirisë.

Ç’do të thotë agimi i lirisë: mos është kjo një fjalë letrare apo një shprehje në hartimet e nxënësve? Agim liria në situatën e tanishme të Kosovës është: kthimi i njerëzve në tokën e tyre, mbledhja e gurëve, gatimi i tullave dhe i tjegullave, gdhendja e trarëve dhe sharrimi i ddërrasave, blerja e gozhdëve dhe e çimentos për të ngritur shtëpitë e rrënuara dhe të djegura, që oxhaqet të fillojnë të nxjerrin tym, që magjet të nisin të gatuajnë bukë, që rreth sofrës të mblidhen shqiptarët e shpërndarë dhe të thonë : “Ju bëftë mirë”! Agim lirie në situatën e tanishme në Kosovë është: rritja e një deleje, e një lope dhe e një kali, që ikën të tmerruar, u vranë dhe u hëngrën nga sërbi; është mbajtja e një qeni për të ruajtur shtëpinë dhe rritja e një këndezi për t’i zgjuar njerëzit në mëngjes.

Po tjetër, ç’do të thotë agimi i lirisë në situatën e tanishme të Kosovës? Do të thotë zbulimi i minave dhe gjetja e kockave të të vrarëve. Janë pesëmbëdhjetë mijë kilometra katrore tokë të mbushura me mina dhe me kocka! Pranë kockave të shqiptarëve serbët kanë mbjellë mina serbe. Ata nuk u ngopën me kocka sa ishin zotër në Kosovë. Edhe pas ikjes i lanë minat për të bluar kocka. Agimi i lirisë vrapon mbi kockat dhe mbi minat. Liria çminos dhe duke qarë mbledh kockat e të vrarëve për t’i shpënë me nderim në varreza, që nënat, bijtë, bijat, niprit dhe mbesat t’i qajnë me shami në duar. Të gjitha këto – që japin agimin e lirisë – janë në kufijtë e përgjigjes së pyetjes suaj për situatën në Kosovë. Doemos këto janë gjëra të dukshme dhe të kapshme, gjëra që vihen më lehtë në rrugë të mbarë: shtëpinë e ndërton, minat i heq, dhe kockat i varros përsëri sado dhimbje të ketë. Por në situatën e sotme në Kosovë ka gjëra të tjera të padukshme të lirisë, që janë tepër të ndërlikuara, pasi kanë të bëjnë me psikologjinë, ndërgjegjen, botëkuptimin, ideologjinë dhe politikën, përveç atyre që lidhen me traditën dhe me konstitucionin shpirtëror. Kështu, ndër këto  gjëra të padukshme kryesore është bashkimi i të gjitha forcave politike për rindërtimin e Kosovës dhe për ngritjen e institucioneve demokratike në bazë të planit të OKB-së dhe të NATO-s. Të mënjanohen kontradiktat dhe grindjet për përparësi, të hiqet dorë nga mendësitë e vjetra të bajraktarizmit, të mësojmë për të qeverisur bashkarisht e me radhë, duke u ambientuar në situatën e re pa pushtues serbë. Është e vërtetë që ne shqiptarët e kemi të vështirë të qeverisim bashkarisht dhe të jemi tolerantë ndaj njëri tjetrit, por duhet të mësohemi, që të mos vijë përsëri një rrebesh si ai që shkoi. Unë pata në trishtim, kur Rugova e kundërshtoi planin e Kushnerit për Këshillin e Përbashkët në Kosovë. Atë natë dëgjova Radio –Liria të Amerikës në gjuhë të huaj që thoshte: “Rugova nuk është mësuar të drejtojë bashkë me të tjerët”. Epo, duhet të mësojë!

Pse e quaj unë agim lirie situatën e tanishme në Kosovë? E quaj se janë hapat e para të lirisë jo vetëm për gjithë ato gjëra që përmenda më lart, por edhe për të tjera jo më pak të rëndësishme. Gati një shekull të tërë shqiptarët në Kosovë kanë jetuar nën pushtuesin serb. Nën këta pushtues është formuar një psikologji nënshtrimi, veçanërisht në disa qarqe politike dhe nëpunësish, të cilët kanë pritur urdhëra nga të tjerët. Për shembull, është kjo psikologji nënshtrimi që e bëri Rugovën të shkojë nga Prishtina në Beograd  tek Millosheviqi, pastaj në Romë tek Dini. Por, psikologjia e nënshtrimit ka hyrë edhe në plot njerëz të thjeshtë, megjithëse populli në tërësi që nga 1914-a kur u nda Shqipëria, dhe deri më sot ka ngritur krye kundër shovinistëve serbë. Në situatën e re, kur Kosova po fiton lirinë, është e domosdoshme të mënjanohet ndjenja e nënshtrimit, nëse duam pavarësinë dhe më shumë akoma.

Ja, kjo mendoj unë është situata e tanishme në Kosovë. Megjithatë, ajo do të ndërtohet, pasi çdo gjë e ka paguar shtrenjtë me gjak dhe me pasuri dhe askujt nuk i ka hua.

– Çfarë ndjenjash ju ndjell lufta për pushtet që ndihet në veprimtarinë dhe deklaratat e politikanëve të Kosovës? Çfarë pritet nga Shqipëria në nihmë të unitetit të tyre?

D.Agolli: Mua si shkrimtar, që merrem me politikë vetëm si i tillë dhe si qytetar, lufta për pushtet më ngjall një pështjellim të patreguar. Ajo më duket si një epsh i papërmbajtur që i shëmbëllen epsheve të seksomanëve që dridhen sa shohin një femër. Edhe këta dridhen sa shohin një pushtet dhe synojnë ta bëjnë për vete. Kjo është një sëmundje e të gjithë ballkanasve pa përjashtuar edhe evropianët. Por në vendet afrikane, aziatike dhe ballkanike kjo ndjenjë e luftës për pushtet është më e dukshme dhe më e egër. Edhe në Shqipëri pothuajse e tillë është. Veçse, kur lufta për pushtet ngre kryet edhe në Kosovën që ende nuk e ka të plotë pushtetin, të pushton një trishtim i madh.

Politikanët kosovarë të mësuar në këto tetë – nëntë vjet me një pushtet imagjinar, të quajtur deputetë, ministra, kryeministra dhe presidentë, bredhës nëpër botë me një çantë të zezë katrore prej diplomati e kanë të vështirë tani jo vetëm t’i lënë të punojnë ata që luftuan në male me pushkë në dorë, por edhe të mos pranojnë të qeverisin sëbashku,

Me ta. Këtu pasioni apo epshi i ngushtë për një copë pushtet të përkohshëm e mund ndjenjën e gjërë dhe të përjetshme të patriotizmit. Dihet se sa më i fuqishëm të jetë epshi për pushtet, aq më e dobët bëhet ndjenja për atdhe. Dashuria për pushtet dhe dashuria për atdhe janë të kundërta me njëra tjetrën, në përgjithësi. Kjo ndjenjë për pushtet ka bërë që disa politikanë të sferave të larta të Kosovës nuk erdhën në Tiranë të shohin bashkatdhetarët e tyre kosovarë, duke menduar se Tirana do t’u prishte punë në luftën e tyre për pushtet. Ata ku nuk shkuan nëpër Evropëerdhën deri në Shkup, por në Tiranë nuk shkelën me këmbë, kur në Shqipëri u strehuan gjysmë milioni sa ç’u strehuan në gjithë vendet e Evropës të marra sëbashku. E shihni se çfarë bën epshi i luftës për pushtet? Ajo e mposht ndjenjën e dashurisë për Atdheun, ose të paktën e dobëson. Por sot Kosova dhe në përgjithësi tërë Shqipëria ka nevojë për atdhetarë në pushtet, se sa për pushtetdashës në pushtet.

– Vitet e tranzionit shqiptar ju kanë krijuar tashmë një tablo të qartë mbi rrugën  e vështirë të demokracisë në vendin tonë. Është kjo, peshë e së kaluarës komuniste, apo është diçka tipike shqiptare?

D.Agolli: Të vështirë rrugën e demokracisë nuk e kanë vetëm shqiptarët, por të gjithë banorët e vendeve të Lindjes, se, siç e kam thënë diku, të gjithë ne kemi lindur nga një mitër e përgjakur, – nga mitra e ideologjisë së komunizmit. Të vështirë e kanë rrugën e demokracisë bullgarët, rumunët, armenët, ukrainasit, rusët, aq sa po t’i përmedja të gjitha krijesat e kësaj kitre kopeja do të bëhej shumë e madhe. Këtë e di Evropa dhe Amerika, prandaj i quan “ vendet eks-komuniste”. I quan kështu, pasi kanë një fizionomi politike dhe ekonomike. Dhe si të gjithë ne mbajmë peshën e së kaluarës komuniste në mënyrën e të menduarit, në mënyrën e të punuaritm krijrait dhe drejtuarit apo qeverisjes. Kështu, administratën e kemi të ngrirë, të centralizuar dhe të ngathët si në socializëm, e cila nuk lëviz po nuk pyeti instancat më të larta. Partia në pushtet, qoftë e majtë apo qoftë e djathtë, vendos për kuadrin, madje ajo cakton në punë edhe një shërbyese. Drejtësia nuk është e pavarur, pasi bën ç’thotë partia. E plot vese të tjera që rrjedhin nga socializmi totalitar, vese që i ka në të gjitha vendet ish-socialiste.

Por ne kemi edhe veset tradicionale kombëtare. Kemi bajraktarizmin. Duam të jemi kaposhë. Nuk e pranojmë humbjen dhe nuk duam të shohim njeri mbi veten tonë. Jemi intolerantë dhe ngulim këmbë në të drejtën tonë, edhe sikur të shtrembër ta kemi. Nuk duan ta shohim mirë tjetrin. Po të na mbushet mendja edhe e djegim. I kemi qejf djegiet dhe shkatërrimet në prag të ndryshimit të qeverive dhe pushteteve. Jemi hakmarrës dhe e mbajmë gjatë mërinë. I vështrojmë njerëzit sipas fisit (biografisë). Bëjmë shpejt dhe lehtë tarafe dhe klane për ta dërmuar kundërshtarin. Nuk ia themi në sy të metat shokut, por i shpërndajmë ato përmes thashethemeve.

Me një fjalë, tek ne shqiptarët e sotëm bashkohen botëkuptimet socialiste totalitare me paragjykimet patriarkele kombëtare të shoqërisë kapitaliste si korrupsionin, prostuticionin, spekullimin dhe egoizmin.Të gjitha këto dukuri të vjetra dhe të reja, të mpleksura bashkarisht bëhen gardh dhe mur para demokracisë. Por këtë gardh apo mur shqiptarët në përgjithësi e kapërcejnë, pasi janë njerëz me energji të mëdha dhe shumë inteligjentë. Janë djaj të vërtetë.

– Ju po bëni një vizitë në SHBA. Çfarë roli mund të luanin shqiptarët e Amerikës në ndihmë të Shqipërisë? Çfarë vutë re gjatë vizitës së parë në vitin 1994? Çfarë mesazhi do të donit t’u dërgonit shqiptarëve para se të shkelni në Amerikë? Kam parasysh një kintigjent të madh që iu arrtasinë diktaturës dhe ju, si një përson që, edhe pse në rradhët e komunistëve keni patur gjithnjë një shpirt demokratik, por sidoqoftë nuk keni qenë i njohur tërësisht prej tyre?

D.Agolli: Shqiptarët e Amerikës gjithmonë kanë luajtur rol të mirë në dobi të Shqipërisë. Fan S. Noli nuk thoshte kot:

Mbahu, nënë, mos ki frikë,

Se ke djemtë në Amerikë.

 

Megjithëse nga kjo thënie kanë kaluar mbi treçerek shekulli, përsëri diçka e vërtetë ka mbetur. Ndihma më e mirë tani do të jetë ajo që mund t’i jepet Kosovës më shumë përmes fjalës së mirë dhe të mençme, sesa përmes mjeteve materiale. Dhe fjala e mirë është ajo që ndihmon bashkimin e gjithë forcave politike për një qëllim: ndërtimin e Kosovës së lirë pa grindje dhe përçarje, pa karierizëm dhe luftë për pushtet. Por, ndonjë shqiptar i Amerikës mund të hapë ndonjë klub a restorant, pasi këto janë mjete që edhe i bashkojnë shqiptarët, siç ka bërë edhe restoranti, kafeja dhe salloni i artit, që ka hapur Ekrem Bardha në Tiranë. Kjo qendër e Ekrem Bardhës është bërë vatër takimesh dhe bisedash të ngrohta. Një qendër e tillë mund të bëhet edhe në Prishtinë.

Siç e përmendni edhe Ju, unë kam qenë në Amerikë me gruan time në vitin 1994, me përpjekjet e mikut tim të vjetër fisnik Pëllumb Kullës. Amerika atëherë mua më mahniti me përmasat e mëdha në çdo gjë: në qytetet, në qiellçarëset, në bulevardet, në punët, në biftekun dhe në gaforren në pjatancë.

Shqiptarët e Amerikës dëshiroj që me këto përmasa të mëdha të mendojnë edhe për Shqipërinë, një Shqipëri të Bashkuar, siç ka qenë në histori.

Share This Article
4 Comments
  • Mirënjohie-Dritero Agollin- nderuar..z.Ekrem Bardha.

    Shkrim mbi SHKRIME….Faleminderit i nderuari autor,që sot,unë,84 vjetorin nis të festoj,me Dritero Agollin sjellë Ju,drejt Tiranës po shkoj. Këtë shkrimin tuaj,si me Dritero Agollin,rrugës,si*TRINITRINË*do e përdor.Faleminderit *OPOZITARË po VËLLEZËR !* Sot,njoha,kush eshte ELEZ BIBERAJ. Faleminderit. Biri i *Dangëllisë Naimjane*me Kolonjën nga na LIND DIELLI. (Gjyshi KAPEDAN*-RËNË më1913të ,në mbrojtie te PV.sa shpallur i madhi Ismail Qemali . ..
    Ma lehtësuar rrugën drejt atdheut në rrugëtim- Toronto -Tiranë,mua 84 vjecarit, që dua atje të më prehen eshtërat, pas 90tës…Botën marrë. .. E festofshim 25 Majin *Ditën e Naimit*-atje mes Dangëllisë bashkë,i nderuar ATDHETAR i ATDHETARËVE-Ekrem Bardha sa,jo vetëm mua, sjellë-DRITERO Agolin.DRITERO!
    Guri Naimit D.

  • Ju lutem,sipas mundesise qe keni,merruni vesh me ndonjeren nga mediat e shkruar a edhe lektronike,TV-et, qe kjo interviste doemos, gjithesesi te publikohet,te ju bije ne dore veprimtareve poltike e qeveritar, te depertoje sa me gjere e te thellohet sa me thelle ne masat e lexuesit shqiptar te Kosoves.Kjo vertet permban pershkrim analitik te thellle dhe saktesi te se vertetes reale, qe I madhi Agolli e paska then,drejt me me kohe dhe ne vendin e duhur.Ju falenderoje Juve I nderuar autor I botimit te kesaj interviste.Mos e qitni ne harrese edhe kerkesen time modeste,por qe do sherbente shume per gjendje dhe raportet te verpimit politik te liderve qeveritar e partik ne Kosove.

  • Ketu eshte dallimi ndermjet dy shkrimtareve tone : njerin e mire , edhe pse komuniste , e duan te gjithe ! Tjetrin sado te deklarohet disident nuk e duan …
    Dritero ishte si njeri i jashtezakonshme e plot njerzillek . Aq shume sa te vjen keq per si familja e tij e vlereson per se mbrapshti si vajza e vete qe zgodhi ate poezi me karkalecat per te nderuar Driteron!
    Nje e bukur nga Dritero : ne Gjeneve dikur: ju te kosoves te gjate flok bardh do t’ju martojme me cupat tona te shkurta e zeshkane e keshtu permiresohemi si rrace! … e beri sallen per veti!
    Ka plot kujtime per te nga miqte e tij nga kosova qe Sadija nuk i donte aq shume …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *