Intervistë për gazetën katalunase Thaçi: Kosova rast unik, jo si Katalunja

Edona Llukacaj

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë për gazetën më të madhe katalunase “La Vanguardia”. Gjatë kësaj interviste, Thaçi ka deklaruar se Kosova është një rast i veçantë në rrugëtimin e saj të lirisë dhe pavarësisë.

Duke ftuar edhe njëherë Spanjën që ta njohë Kosovën, meqë ky ishte një vendim i drejtë, Thaçi deklaroi se rasti i Kosovës është unik dhe nuk mund të krijohen paralelizma me vende të tjera të botës.

Në këtë intervistë, e cila, sipas RTK-së ku edhe u publikua fillimisht, ka bërë jehonë të madhe në Spanjë, Thaçi deklaroi: “Rasti i Kosovës është i veçantë. Në Kosovë ka pasur spastrim etnik dhe gjenocid nga ana e sundimit të Sllobodan Millosheviqit. Spanja nuk është Serbi, nuk është e qeverisur nga Sllobodan Millosheviçi, e as Katalunja nuk është Kosovë”.

Në këtë intervistë, Thaçi ka folur edhe për përpjekjet e Kosovës për të arritur një marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse për njohje reciproke me Serbinë, e cila do t’i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në BË-, NATO dhe OKB.

Sipas tij, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë pa kushte nga ana e Serbisë, sepse një dialog ka vërtet kuptim kur nuk është i kushtëzuar. “Tarifat janë një vendim i një shteti sovran, janë të drejta, të ligjshme, nuk do të hiqen dhe duhet të respektohen”, ka theksuar Thaçi, duke gjetur rastin t’i bëjë thirrje BE-së që të “veprojë në një mënyrë të unifikuar dhe të koordinuar me SHBA-në për të përfunduar procesin këtë vit “.

I pyetur për krijimin e ushtrisë së Kosovës, ai deklaroi: “Është e drejta jonë, si një shtet sovran dhe i pavarur, të formojmë një ushtri dhe të jetë anëtare e NATO-s. Kjo është një ushtri shumë-etnike dhe shumë profesionale. Mbi 10% e ushtrisë është e përbërë nga pakicat, gjysma serbe. Pas pranimit në NATO të Shqipërisë dhe më pas të Maqedonisë të Veriut, është radha e Kosovës që të jetë pjesë e saj”.

Ndër të tjera, Presidenti i Kosovës ka thënë se Bashkimi Evropian edhe më tutje mbetet korniza më e mirë e modernizimit të shoqërive dhe ruajtjes së stabilitetit politik dhe të sigurisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Vazhdoj të besoj se zgjidhja më e mirë dhe më e drejtë për Ballkanin është integrimi në BE i të gjitha vendeve në të njëjtën kohë, në mënyrë që ato të mos e bllokojnë njëra-tjetrën”, u shpreh Thaçi, duke iu referuar disa deklaratave të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Havier Solanës, të cilin ai e përshkruan si një “person vizionar”.

“Mendoj se vonesa që BE-ja po ia shkakton Ballkanit Perëndimor, do të ketë pasoja. “Nuk është në interes të askujt që për shkak të çështjeve të brendshme të vendeve anëtare të BE-së, të vonohet integrimi i Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, duke thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret demokratike para tri viteve, por kjo nuk ka sjellë liberalizimin e tyre. Ai nënvizoi: “Fatkeqësisht, BE-ja akoma nuk ka marrë një vendim të tillë të liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe jemi vendi me i izoluar i Evropës”.

e.ll./dita

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *