INUK me Dajtin në krye prish 10 ndërtesa, “Jon” në gjykatë

anazapta

Teksa Zyhdi Dajti vijon të kryesojë INUK në aksionin për prishjen e ndërtimeve pa lejë, Prokuroria e Vlorës dërgon për gjykim dosjen me 8 zyrtarët që i dhanë lejën e ndërtimit kompleksit “Jon”, që u ndërtua nga vjehrri i Lulëzim Bashës. Dy ditë pasi gjykata e la në “detyrim paraqitje” kreun aktual të INUK, për 2 akuza, Dajti vijon të kryesojë aksionet për prishjen e ndërtimeve pa lejë. Avokati i Zyhdi Dajtit, Eridian Salianji, pas daljes nga gjykata u shpreh se “Gjykata, pasi dëgjoi pretendimet tona, ku ne u shprehëm se nuk ekzistojnë kushtet për vendosje të masës së sigurisë me burg, pasi rasti është rast administrativ dhe prokuroria nuk mund të ndërhyjë në një proces administrativ, duke ndërmarrë një masë sigurie si ‘burg pa afat’. Gjykata e pa me vend që të lirohet Zyhdi Dajti. Akuzat? Ne nuk jemi njohur ende me faktet që prokuroria ka për Dajtin”.

 

INUK në Vlorë

Edhe dje, Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, vijoi aksionin për prishjen e objekteve pa leje që ndodheshin në aksin Skelë-Uji i Ftohtë. Zyhdi Dajti, i cili është në krye të këtij aksioni ndodhej në krye të aksionit, ndonëse para 2 ditësh gjykata dha masën e sigurisë “detyrim paraqitje” pas akuzave të ngritura ndaj tij për shpërdorim detyre. Nga burime të INIK mësohet se Dajti u rikthye në detyrën e tij, ku dje në Vlorë ishin parashikuar të prisheshin 10 objekte të cilat nuk dispononin dokumentacion. Banorët mësohet se nuk janë kundër prishjes së objekteve të tyre, por kërkojnë edhe respektimin e ligjit sa i përket shpronësimeve. Nga këto 10 objekte, 8 ishin një katëshe dhe do të rrafshoheshin komplet, ndërsa 2 vetëm sa do të priteshin përmes, sepse kalon gjurma e projektit “Lungomare”.

 

Akuat ndaj Dajtit

Kreu i INUK Zyhdi Dajti është i detyruar të paraqitet në prokurori dhe të mos largohet nga Shqipëria, pas një vendimi të gjykatës, pasi prokuroria e akuzon për “shpërdorim detyre”. Ndërkaq, akuzat ndaj tij janë 2. Një për bllokimin e punimeve të “Bulevardit të ri” në Tiranë dhe tjetri për një pallat 9 katësh. Gerti Çalliku, administrator i “2G Shpk” është personi që ka marrë lejën nga Bashkia e Tiranës për ndërtimin e objektin 9 katësh në rrugën e Elbasanit, afër “xhuxhave” dhe njeriu që administron kompaninë “GBA-Studio”, e cila ka kryer punimet në kompleksin “Jon” të rrëzuar me tritol në 14 dhjetor 2014. Çalliku për lidhjet me shtetasin Xhuvi Sharxhi, bashkëpronar në kompleksion “Jon” me Xhaver Isufin, vjerrin e kreut të PD Lulzim Basha. Punimet për këtë objekt që mori lejën nga Bashkia e Tiranës nisën në Mars të këtij viti. Sakaq, nënkontraktore e ndërtimeve është kompania “Aurora Konstruksion”, me  aksioner Agron Jaupllarin. Prej disa kohësh këto punime janë pezulluar me vendim të kreut të INUK Zyhdi Dajti, vendim për të cilin ai është kallëzuar dhe proceduar penalisht për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Vetë Dajti ka reaguar, duke thënë se “I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm që të çojë përpara përgjegjësisë shkelësit e mëdhenj të ligjit. Dosjen e ‘Jonit’ e ka aty, të plotë dhe gati për gjykim. Të tjera dosje i ka aty dhe askush nuk ndihet. Një dosje të madhe për çudirat e lejuara gjatë këtyre muajve në Tiranë do ta ketë aty së shpejti. Shqiptarët mua më njohin si profesionist, në krye të një strukture që ka mbrojtur bregdetin dhe e ka çliruar atë nga zaptuesit dhe të korruptuarit. Gjithçka kam bërë, e kam bërë në emër të ligjit, duke respektuar ligjin, në të mirë të Shqipërisë”.

 

“Jon” në gjykatë

Ditët e fundit, njësia hetimore Task-Forcë, pranë Prokurorisë së Vlorës, përfundoi hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim, në lidhje me abuzimet e konstatuara për dhënien e lejes së kompleksit “Jon”, të ndërtuar në bregdetin e Vlorës, nga Xhafer Isufi, vjehrri i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Pas dokumentimit të shkeljeve, Prokuroria ka dërguar të pandehur në gjykatë 8 zyrtarë për dhënien e lejes në një zone ku pengohen ndërtimet sipas planit rregullues të qytetit të vitit 1996 dhe për regjistrimin e hapësirës detare si truall për ndërtimin e pallatit. Kompleksi është shembur me eksploziv nga INUK. Të pandehur me akuzën e shpërdorimit të detyrës për dosjen e kompleksit “Jon” janë Kujtim Sulçe, Darjan Hudhra, Merita Tartari, Blerina Dhrami, Mirela Muça, Lindita Jaupaj, Ruzhdi Zeneli dhe Mario Kalus.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *