Himni kushtuar Nënë Terezës “Vals Hyjnor”, kompozuar nga Genc Tukiçi, do të interpretohet më 3 shtator në Vatikan në koncertin kushtuar kanonizimit të Nënë Terezës, që do të realizohet më 4 shtator të këtij viti. “Himni do të interpretohet nga diva Inva Mula, së bashku me orkestrën dhe korin e Filarmonisë së Kosovës, drejtuar nga mjeshtri Bujar Llapaj.
Është kurorëzim i idesë dhe punës së palodhur të gazetares Dijana Toska, e cila mundësoi që Valsi Hyjnor të interpretohet në Vatikan”, shkruante dje Genc Tukiçi, në faqen e tij në Facebook. “Kemi rastin historik si komb dhe shtet që ta dëshmojmë veten dhe të hapim një faqe të ndritur të historisë sonë, kur miliona njerëz nga rruzulli tokësor do të përcjellin Shenjtërimin e Nënës Terezë. Ky është një rast historik dhe i papërsëritshëm në historinë e kombit shqiptar.
Valsi Hyjnor do të jetë një dhuratë për njerëzimin nga shpirti shqiptar, si dëshmi e dashurisë sonë të madhe ndaj njerëzimit, paqes, tolerancës, dashurisë dhe vetëm dashurisë”, shkruan Dijana Tosku, ideatorja e këtij himni, në rrjetin e saj social. Nënë Tereza do të cilësohet zyrtarisht si “e shenjtë” ditën e diel, më 4 shtator 2016. Kjo pasi Papa Françesku firmosi dekretin e shenjtërimit të saj, event ky që do të mbahet në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.
Ndryshe nga sa kishte kërkuar Kisha Katolike Indiane, ceremonia e Shenjtërimit të Nënë Terezës do të jetë eventi kryesor i Vitit Jubilar të Mëshirës në Vatikan. Kështu, data 4 shtator do të shënohet në Kalendarin Apostolik, pikërisht si Dita e Shenjtores shqiptare Nënë Tereza e Kalkutës.
