Inva Mula: Nuk jam nënë autoritare, por jam me rregulla

redaktor

Inva Mula rikthehet në skenën shqiptare, këtë herë jo vetëm në rolin e sopranos, por edhe si regjisore e Operas “Pagliaçi” që do të ngjitet në TKOB këtë fund dhe fillim jave (31 maj, 01 dhe 02 qershor 2015, ora 20.00). Për emisionin “Shih programin” në TVSH të gazetarit Enkel Demi ajo ka dhënë një intervistë, profesionale por edhe personale.

Çfarë të josh për të ardhur dhe për të bërë një shfaqje në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit?

Është një skenë kjo e Teatrit të Operas dhe Baletit që ka një lloj parfumi të njohur për mua. Ia njoh aq mirë skenën, dritat, çdo gjë ndoshta ndaj dhe më josh.

Për ty është një lloj kthimi në pafajësi Inva kur kthehesh në këtë skenë nga skenat e mëdha ku ti zakonisht këndon?

Pse jo? Unë Teatrin e Operas dhe të Baletit e kam njohur që në fëmijëri. Është një vend ku kthehesh gjithmonë si në shtëpi.

Si të duket Teatri i Operas tani?

Sinqerisht mendoj se duhet bërë diçka që teatri të funksionojë teknikisht. Ti ke vërtetë dëshirë që të bësh diçka aty, por aty është bërë një miks; ka opera, muzikë qytetare, popullore. Unë personalisht do ta dëshiroja Operan ndryshe.

Në fakt edhe skena e operas siç është sot, nuk është e mirë apo jo?

Në fakt ka problem që mund të korrigjohen, sepse po u fute për shembull thellë në skenë humbet zëri. Duhet gjetur ekuilibri në një skenë të tillë jo të mirë.

Si erdhe në rolin e regjisores në këtë pjesë, pse kjo pjesë?

Nuk e di a e zgjodha në fakt unë këtë pjesë apo pjesa mua?! Ajo është një pjesë e shkruar në Kalabri, para 100 vitesh.

Por ju këtë histori e çoni në rrugët e Tiranës, pse?

Kjo opera aksionin e çon në skenë, e zbërthen, e çon në jetë. Ajo i përket repertorit të zhanrit verist. Aksioni reklamohet, ngjarja mund të ndodh kudo, në Tiranë, Itali, kudo, kudo. Por kjo shfaqje sjell një mesazh të madh: stop dhunës ndaj grave. Duhet thënë vërtet Stop, sepse vetëm para pak kohësh në një javë janë vrarë 3 gra. Në këtë shfaqje unë kam dashur të sjellë një Tiranë shumëngjyrëshe, një Tiranë ashtu siç është. Sot unë nëse do të doja ta simbolizoja Tiranën, nuk do ta bëja më këtë me qendrën ,sepse ajo është imazhi i Tiranës së vjetër, jo e kësaj që në bashkëndajmë sot. Unë e kam ndërtuar qytetin tim në këtë produksion duke e menduar skenën si një qytet që e përshkon një lum, një lum si Lana e që pritet herë pas here dhe nga urat. Ngjarja mund te jetë kështu si në qendër ashtu dhe në periferi

“Pagliaçi” është një vepër e shkurtër dhe shpërthyese. Nedda juaj si do të jetë, sepse ju përveç regjisore, në këtë produksion vini edhe me një rol?

Unë e doja një grua të fortë, të mësuar më vështirësi, një vajzë që nuk ka frikë të vritet. Ajo vritet në krahë të të dashurit të saj. Ata vriten në mënyrë simbolike në një urë. Në këtë rast, unë e kam vënë këtë skenë, në urën ë Tabakëve. Vërtetë aty nuk kalon Lana, por ajo është një urë simbolike e kryeqytetit, është një urë më histori. Nedda është e futur në kurthin e një burri xheloz dhe të meshkujve të tjerë që e rrethojnë.

Ndërkohë ju e keni menduar edhe si një shfaqje brenda shfaqjes apo jo?

Po, do të jetë plotësisht kështu, sepse brenda këtij produksioni do të ketë dhe një shfaqje të cirkut. Do të jetë saktësisht një shfaqje brenda shfaqjes.

Unë kam një frikë. Tirana, mos e urbanizon shfaqjen?

Jo, sepse kjo shfaqje e mban edhe dimensionin urban dhe atë klasik. Në pjesën e dytë pastaj, kjo shfaqje ka veshje tipike të arlekinos, palacios. Pra ka një ndërthurje mes urbanes dhe klasikes.

Ka një cirk, ka kor, shumë elemente bashkë, të gjithë të koordinuara nga ju. Shumë punë apo jo?

Sot ishte dita e dytë që ne kemi dalë në skenë. Kjo është një punë që nuk mbaron asnjëherë. Nuk e di sesi do të dal në planin e interpretueses, ma besoni, megjithëse është një pjesë që e njoh shumë mirë.

Më bën përshtypje se ku kërkoj me Inva Mula gjëja e parë që më del është interpretimi juaj tek “5 elements”?

Ajo skenë ka bërë shumë sukses, dhe mua më ka bërë shumë të njohur tek publiku që nuk është ai tipiku i operas. Po, edhe unë mund ta them që “Elementi I pestë” më ka bërë gjerësisht të njohur, por më të njohur më ka bërë veprimtaria ime për publikun që unë i përkas, një publik që gjithsesi mbetet i klasifikuar.

Sa i trashë do të ishte libri i karrierës suaj?

Rrugëtimi artistik nuk matet me faqe libri. Rrugëtimi im është ai që më bën sot të mundur që të vij si interpretuese në Tiranë, por edhe si krijuese. Skena më ka mësuar shumë…

Pse e ke nisur këtë produksion me Cavaleria Rusticana?

Kjo vepër, Pagliaçi, është e shkurtër. Ka patur raste si ai i regjisorit të madh Franko Zefirelit që është vënë në skenë vetëm, por duke qenë se unë e sjell këtë vepër më motivin: “Ndal dhunës ndaj grave”, mendova se duhej të sillja diçka që ta mbështeste këtë pjesë. Kemi marrë disa elemente për ta sjellë shumë të fortë idenë sonë, por të gjitha të mbërthyera në muzikën veriste që është boshti i këtyre pjesëve.

Më thuaj diçka për artistët e operas. Si ndjehesh aty? Punohet mirë?

Ajo që mua çdo ditë e më shumë më forcohet si ide është se nëse ne TOB sillen produksione serioze, artistet aty kanë dëshirë për të bërë gjëra të bukura. Në rastin tim zotëron dhe një respekt i jashtëzakonshëm, ndaj të gjithë punojnë me shpirt,që nga artistët pjesë e produksionit, këngëtar, muzikantë, koristë, piktorët, rrobaqepësit e deri dhe tek saldatorët. Sepse sot për shembull kam parë diçka që ndoshta nuk ndodh në asnjë teatër tjetër, sot po saldohej. Punohet me shpirt, qoftë edhe përballë një rreziku. Kushdo që bën një spektakël duhet të bëjë gjithçka për të.

Do rrish gjatë në Shqipëri?

Një muaj. Në fakt Butrinti ishte fillesa, pas ftesës së përfaqësuesve të BE. Butrinti është një teatër i vogël, por ka një sharmë të jashtëzakonshëm. Aty ka shumë poezi, të duket si udhëtim në kohë aty.

Ke qenë edhe në një koncert humanitar, megjithëse e sëmurë?

Po, duhej të këndoja një këngë qe e kam kënduar 39 vite më parë, këngën e nënës. Mund ta këndoja edhe sëmurë ashtu siç isha unë atë ditë.

Kur e le Shqipërinë për të ikur në Francë a e mendoje se një ditë do të ishe kjo që je sot, diva??

Unë asnjëherë nuk e kam menduar, thjeshtë kam përshkuar rrugën time. Unë kur kam shkuar për herë të parë në Francë dhe me priste një shoqe m’u dukë habi se e gjeta duke pirë coca-cola me pipë. Më dukej shumë moderne. E kupton se çfarë dua të të them?! Nuk kishim ne mendime moderne në atë kohë. Nuk mundesha unë që ta mendoja apo ta planifikoja që kur shkova që do të bëhesha e famshme.

Kadare tek ftesë në studio rrëfen sesa e vështirë ka qenë “pushtimi” I Parisit. Ti si ia ke dalë?

Sigurisht të bësh produksionet që kam bërë unë, ti e kupton se je në majë të një karriere. Unë e kam nisur nga asgjë. Kisha një bursë që mbaroi shumë shpejt dhe kaq. Nuk dija nga t’ia filloja. Në atë moment mendova se duhet të rri akoma për të përfituar. E vetmja mënyrë ishte që të qëndroja në mënyrë dinjitoze, pra të kisha një kontratë punë dhe një leje qëndrimi. Ula kokën thashë nuk do të këndoj më në teatro, por do të futem në punë. Bëra konkursin për korin e Operas të Parisit. E fitova shumë lehtësisht atë vend, por ai vend më shërbeu që të jetoja në mënyrë dinjitoze dhe të filloja të shikoja në çfarë drejtimi duhej të shkoja. Unë askujt nuk i thashë aty se kisha fituar shumë çmime, se 22 vjeç kisha kënduar Traviatën, se isha e bija e dy artistëve të njohur në Shqipëri. Nuk i tregova askujt as që isha regjistruar në konkursin e Plaçido Domingos, derisa unë fitova vendin e parë. Pas kësaj të gjithë u ndjenë mirë, u ndjenë të vendosur në një nivel më të lartë, sepse njëri prej tyre ia kishte dalë, kishte fituar. Aty e kupton se është mirë kur njeriu guxon dhe nuk tërhiqet.

Me sapo më rrëfen nuk ke patur jetë të thjeshtë, por t’ia ke dalë mbanë? Kushedi sa herë ke pas qarë në shtëpi për shembull, kur punoje në korin e Parisit…

Rasti im ka bërë që shumë artistë të rinj ta nisin si unë, megjithëse unë nuk isha e para që e nisa kështu. P.sh, një ndër baritonët më të mëdhenj italian, e ka nisur nga kori, soprano dhe tenorë të tjerë francez ia kanë nisur po nga kori.

Ka çaste kur njeriu ka frikë. Ti je tmerruar ndonjëherë?

Frikë nuk kam patur, sepse nuk kam jetuar me frikë. Unë kam pasur kurajë. Pasiguritë janë pjesa e errët e kurajës.

Prej dy dekadash të konsiderojmë shumë të famshme. Si ia bën që të jetosh më pelerinën e famës?

Kam një jetë familjare që më përmbush, fëmijë, të afërm, bashkëshort, miq pafund në çdo cep të botës. Vetëm kur hapet sipari është për mua momenti i divës, ndërsa kur mbyllet jam ajo që jam në çdo ditë të jetës sime.

Kur je me fëmijët si sillesh, je autoritare?

Ne jemi gjithë kohës bashkë, por nuk jam nënë autoritare. Por jam nënë që kam krijuar rregullat e mia të vendosura nga besimin dhe respektin. Djali im ma ka shpërblyer me një model të një të riu që është modest dhe me këmbë në tokë, i cili ëndërron të bëhet artist.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *