INVESTIGIMI / Mashtrimi me sigurinë e produkteve, politikani “origjinal” rezulton 90% fyell

redaktor

TIRANË – Një nga problemet më serioze me të cilat po përballet shoqëria shqiptare është origjinaliteti i produkteve të çdo sektori dhe fushe, në një treg ku mungon kontrolli rigoroz i institucioneve dhe rrjedhimisht, rrezikohet jeta e shqiptarëve.

Një investigim i fundit i emisionit “Ndal po t’them, kush kalon aty!” ka zbuluar të vërtetën e hidhur që fshihet pas origjinalitetit të pretenduar të një prej produkteve më të spikatura në tregun e politikës.

Deri tani, marka Lul B shitej në markete, në pikat e shumicës por edhe në tregun e lirë, si një nga mallrat më origjinale të vendit që pëlqehej edhe në vendet e Bashkimit Europian.

Por e vërteta rezulton krejt tjetër. Një gazetar i infiltruar si shitës veglash muzikore tradicionale u prezantua në dyqanin PD dhe propozoi shitjen e një partie fyejsh cilësorë me çmim të leverdisshëm.

Mes tij dhe shefit të shit-blerjeve, Sabile Risha u regjistrua fshehtaz dialogu i mëposhtëm:

-Mirëdita, folëm dhe në telefon, jam miku i Hazbiut nga Përmeti.

-Mirëdita mor çun. Si e ke hallin.

-Unë erdha t’ju propozoj disa fyej cilësorë që besoj se do t’ju hyjnë në punë. Çmimi është fantastik. Mund t’i përdorni nëpër tubime, mitingje, mbledhje, protesta etj. Madje mund t’ua shisni pak më shtrenjtë edhe miqve tuaj, aleatëve të vegjël etj.   

-Ahaa, unë të siguroj tyyy, se kena boll fyej, na myngojnë fylltarët or lum miku.

-Zoti Sabile, hidhini një sy, do mbeteni i kënaqur. Fyej si këta nuk gjen…

-Hik or cull! Unë kam krejt dyqanin plot me fyej dhe s’ka ku me i çue, e kujt me i ra ma parë! Edhe markën kryesore, Lul B që po e shes si mall bio medemek, po t’i bësh analizat laboratorike të del mbi 90% fyell!

I infiltruari e pyet me shejtanllëk:

-Pse, edhe Lul B është i përzier, ëëë?

Duke shfryrë, dyqanxhiu ja ktheu:

-Jo i përzier, por pothuajse fyell i pastër. Të dëgjosh notat që nxjerr, të merr të qarët! Taksirati im, që ma sollën për frankofon e saksofon, dhe më ngeli në derë thuaj! Po se mos e bën llaf me njeri!

Pas transmetimit të këtij investigimi, emisioni “Ndal edhe një herë, po t’them!” u bëri thirrje autoriteteve të kontrollit të produkteve të marrin masa, se rastet e shtuara të falsifikimeve po rrezikojnë shëndetin dhe integritetin mendor të konsumatorit.

 

*****

SHËNIM / Gojët e Liga është rubrikë satirike e përkushtuar ndaj tingëllimave origjinale 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *