Investimet e individëve rekord historik

Dita

Pjesëmarrja e individëve në tregun e titujve të qeverisë shqiptare ka arritur një rekord historik. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në fund të vitit 2015, individët mbanin 14.83% të totalit të borxhit të brendshëm, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.

Për shkak të rënies së ndjeshme të interesave të depozitave, vitin e kaluar individët kanë tentuar më shumë të hyjnë në ankandet e bonove dhe obligacioneve, për të përfituar interesa sadopak më të lartë. Në veçanti, obligacionet kanë ruajtur norma interesi disi më të larta, duke qëndruar mjaft tërheqëse për investitorët edhe gjatë vitit 2015.

Përveç individëve, rritje të peshës në treg kanë arritur edhe institucionet financiare, kryesisht fondet e investimit. Edhe këto fonde kryesisht investojnë në bono dhe obligacione të individëve, ndaj, tërthorazi, bëhet fjalë për një pjesë tregu që edhe në këtë rast i takon individëve dhe që e çon pjesën e tyre, në total, në rreth 32%.

Nga ana tjetër, pesha e bankave tregtare dhe Bankës së Shqipërisë në totalin e borxhit të brendshëm është ulur gjatë vitit 2015. Sipas Ministrisë së Financave, bankat tregtare mbajnë 58.2% të borxhit të brendshëm, nga 61.5% që ishte në fund të vitit 2014, ndërsa pjesa e Bankës së Shqipërisë ka rënë në 9.9%, nga 11.3% që pati qenë në fund të vitit 2014.

Në fund të vitit 2015, borxhi i brendshëm i qeverisë shqiptare kishte vlerën e 521 miliardë lekëve, në rënie me 7.4% krahasuar me një vit më parë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *