Investimet për TAP-in, do të mbështesin rritjen ekonomike të vendit

Elton Tafaruci

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) ka hyrë  në një fazë të re ndërtimi në Shqipëri.

Për vitin e ardhshëm, investimet për këte projekt gjigand, kondiderohen nga ekspertet e ekonomisë si një ndër faktorët që do të mbështesin rritjen ekonomike të vendit. Ndërsa Shqipëria pritet të kthehet në një nyje të rëndësishme energjitike duke forcuar pozitat e saj gjeopolitike dhe siguruar per here te pare vendosjen në hartën europiane të energjisë.

TAP-i, i nisi punimet verën e shkuar me ndërtimin e rrugëve që lidhin kantieret e projektit, duke investuar deri tani mbi 60 milion euro e duke kontribuar me punësimin e afër 1000 personave, një numër që sipas drejtorit të TAP Albania, Shkëlqim Bozgo do të arrijë në dy mijë, në fazat e ardhshme.

Pas mbërritjes pak ditë më parë në vendin tonë, të 13 mijë tubave të çelikut, 90 përqind e të cilave janë 18 metra të gjatë, me një diametër prej 1,22 metra dhe afër 17 mijë kilogram, pritet të nisë shpërndarja e tyre me mjete të posaçme në 215 kilometrat e territorit shqiptarë dhe në muajt korrik-gusht të fillojë shtrimi i tubacioneve.

Zbatimi i projektit pritet të shtojë përfitimet indirekt, për shkak të një numri biznesesh që ofrojnë shërbime të ndryshme mbështetëse për TAP

Shqipëria po punon për masterplanin e gazit në mënyrë që të ndërtojë rrjetin e saj të brendshëm për të rritur përfitimet nga TAP, ndërkohë që në punë pritet të vihet dhe termocentrali i Vlorës, i ndërtuar që prej shumë vitesh me një financim prej më shumë se 100 milion euro, por i pashfrytëzuar, jo vetëm për shkak të problemeve teknike, por edhe për shkak të kostos së lartë të prodhimit me naftë. Ndërkohë që prodhimi me bazë gazin do ta bënte atë të leverdisshëm dhe një burim shtesë të energjisë elektrike në vend

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt për zhvillimin e një tubacioni që do të transportojë gaz natyror nga rajoni Kaspik në drejtim të Evropës. TAP-i pas lidhjes me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin Turko-Grek, do të përshkojë Greqinë e Veriut, Shqipërinë, Detin Adriatik e më pas do të dalë edhe një herë në tokë në Italinë Jugore për t’u lidhur me rrjetin italian të gazit natyror.

Një ndër projektet rajonale është ai i një degëzimi të TAP-it drejt Malit të i dhe Kroacisë. Ky projekt do të paraqitet për financim në takimin e tretë të udhëheqësve të Ballkanit, në Paris, në kuadër të nismës së Berlinit. Ndërsa Qeveria Shqiptare synon të kërkoje dhe një degëzim drejt Kosovës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *