Duke marrë shkas nga amplifikimi që media i ka bërë kohëve të fundit çështjeve të naftës shqiptare, qoftë në shfrytëzimin e vendburimeve ekzistuese, por edhe në zbulimin e vendburimit të Shpiragut shkuam dhe u interesuam në Fakultetin Gjeologji-Miniera, pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës, institucion prej të cilit janë diplomuar breza të tërë inxhinierësh dhe gjeologësh. E ndërtuar në kodrat e Liqenit Artificial, godina është ende ajo e para shumë viteve, ku të bie në sy mungesa e restaurimit prej një kohe të gjatë. Të interesuar të mësonim më tepër për fakultetin dhe studentët e inxhinierisë së naftës, shkuam dhe takuam shefin e Departamentit të Burimeve të Energjisë, Prof. Dr. Bashkim Çelën. E gjetëm mes një grupi studentësh, të cilët po përgatiteshin për një konferencë, që është hera e parë që organizohet dhe hera e parë që një grup studentësh nga ky fakultet anëtarësohen në Shoqatën Ndërkombëtare të Inxhinierëve të Naftës. Me Profesor Bashkimin, i cili jep mësim prej 30 vitesh në këtë institucion, folëm për situatën dje dhe sot, por dhe për atë çka mund të ndodhë në të ardhmen me këtë degë që po bëhet gjithmonë e më joshëse, por pa cilësi në prurje.
Profesor, cila është gjendja e studentëve të rinj në degën e inxhinierisë së naftës sot që flasim?

Ka dy momente: së pari, është sasia. Ne kemi arritur kulmin e numrit të studentëve në vitin 1988 me 1 100 studentë në të gjithë Fakultetin e Gjeologjisë, nga të cilët rreth 350 i kishte dega e naftës. Në vitin 1995 pësuam rënien më të ndjeshme, duke arritur minimumin historik si fakultet, ku në të gjitha degët regjistrohen gjithsej rreth 350 veta, aq sa kishte vetëm dega jonë në ’89 dhe po rrezikohej mbijetesa. Më vonë, zhvillimi shoqërorë bëri të vetën. Numri ka ardhur në rritje dhe kjo rritje ka qenë marramendëse këta tre-katër vitet e fundit. Ka qenë një rritje e diktuar, jo më shumë nga nevojat ekonomike, se sa nga shtytja e politikës. Sot fakulteti ka mbi 2200 veta të regjistruar. Vetëm në degën tonë (naftë) janë 300 studentë.
Kur shpreheni për shtytje politike, çfarë doni të thoni?
Dua të them se kuotat apo numri i të regjistruarve nuk është se erdhi si rrjedhojë e dëshirës së studentëve për t’u arsimuar dhe punuar në këtë fushë, po erdhi si rrjedhojë e një mundësie minimale, të fundit, që kishin studentët për të shkuar në shkollën e lartë. Këtu dua të them se cilësia e studentëve është e atyre që kanë pikët minimale në kuotat e maturës shtetërore.
Sa e dëmton kjo fakultetin?
Sigurisht që e dëmton shumë. Ne kemi studentë të mirë, të rrallë dhe studentë shumë të mirë, shumë shumë të rrallë. Njëherë në 7 vjet na shfaqet një student i mirë, të paktën në degën e naftës, për të cilën po flasim dhe kam njohuri.
Duke u nisur nga kjo që thoni ju, cila është e ardhmja e këtij fakulteti, sepse brezat e studentëve sjellin dhe profesorët që japin mësim?
Kemi të bëjmë me një të ardhme disi të paqartë. Sepse kontingjentet që prodhojmë nuk janë të asaj cilësie sa të futen në ciklin e riprodhimit e të shërbejnë si staf pedagogjik. Vështirë të gjesh të tillë këtu nga brenda. Nga ana tjetër, edhe nëse kemi studentë që dalin me rezultate të mira, ata preferojnë të largohen e të shkojnë të punojnë në kompanitë e huaja. Sot, njerëzit janë bërë pragmatistë, aq më tepër brezi i ri, mjafton të kujtojmë që, një i punësuar në këtë fakultet merr një pagë sa një e pesta e një specialisti që punon në privat. Kjo është nxitja më e madha që ata të shkojnë e të punojnë në industri. Ndërsa studentët që përfundojnë studimet në këtë fushë jashtë shtetit, nuk ekzistojnë. Së pari, në Evropë ka pak universitet që kanë degën e naftës. Në lindje, po, Rumania është vendi i cili ka një universitet të konsoliduar, Bullgaria po ashtu dhe Zagrebi. Ka edhe vende të tjera, por siç dihet, studimi jashtë vendit është më kosto të lartë dhe shteti nuk ka ndërmend të subvencionojë në këtë pikë. Në këto 20 vite kemi qenë të persekutuar për mbështetjen që na është dhënë. Kështu që nuk i kemi shpresat nga jashtë, ndërsa nga brenda janë shumë të vakëta.
Nga se vjen kjo gjendje profesor?
Një arsye është se kjo gjendje ka ardhur nga puna e mirë që ka bërë Fakulteti i Gjeologjisë, sepse me t’u hapur kufijtë e botës globale, studentët tanë arritën të shkonin e të punonin jashtë në punët më të mira në këtë fushë. Tashmë ne kemi ish-studentët tanë që janë të punësuar në kompanitë italiane, franceze, norvegjeze, në Kanada dhe Amerikë ka shumë. Studentët që janë diplomuar në fillim të viteve ‘90 kanë qenë studentë shumë të mirë që kanë arritur të fitojnë këto vende pune. Kështu që, me duart tona, krijuam një produkt që na e morën të tjerët. E ardhmja e fakultetit për sa i përket anës numerike nuk ka ndonjë problem, është e garantuar. Rigjallërimi i industrisë së naftës këto vitet e fundit ka bërë që të ketë preferenca dhe dyndje më shumë se më parë për të ardhur në këtë fakultet.
Nga se vjen kjo, e duan si degë, por nuk janë studentë me potencial të mirë intelektual?
Unë them se joshen për ato çka dëgjojnë për ata që punojnë në naftë dhe se si paguhen. Çfarë mund të them, kur një student i diplomuar këtu, fillon punë në kompanitë e naftës dhe merr një pagë sa marr unë si profesor që kam 30 vite eksperiencë. Ata shkojnë atje ku paguhet më shumë, pavarësisht nga kapaciteti që kanë.
Sa diploma jepen në vit në degën e naftës?
Eksperienca e viteve të fundit tregon se shumica e studentëve nuk janë të aftë për t’u diplomuar këtu, kjo është arsyeja që rendimenti i diplomimit është shumë i ulët. Në degën e naftës ne japim mesatarisht 10 deri në 15 diploma në vit dhe këto në tre sezone mbrojtjesh diplomash dhe kjo për shkak të cilësisë së dobët.
Si ju duken këto shifra kur i krahasoni me kohën kur ju vetë ishit student?
Ndryshojnë si dita me natën. Më kujtohet që kam qenë në një kurs që e nisi vitin e parë me një regjistër ku numëroheshin 40 veta dhe u diplomuan 28 veta. Përsëri pati firo rrugës, por edhe të tjerët nuk mbetën pa u diplomuar. Ishin raste të rralla kur skarcoheshin që vitin e parë. Ndërsa tani hyjnë 115 veta dhe përfundojnë 15 shkollën. Por tregu i kërkon, ne kemi disa studentë në kursin e Masterit, nga 15 veta dhe 13 prej tyre kanë filluar punë pa e marrë diplomën ende.
Profesor, flitet për naftën shumë, shpime gjithandej po dëgjojmë. Sipas jush a ka naftë nëntoka shqiptare?
Për shpime po dëgjoni, e do dëgjoni, por ka edhe gafa të tilla kur thuhet se filan vend noton në naftë. Nga eksperienca dhe komunikimi që kam pasur me kolegët e mi gjeologë në këto vite kam mësuar se, së pari, nuk ka qytet apo vend që noton në naftë dhe e dyta, në Shqipëri, vështirë të gjenden vendburime të reja. Periudha nga viti 1945 kur u rimëkëmb industria e naftës e deri në 1990 ka qenë një periudhë pune intensive në të gjitha drejtimet dhe fushat që përmban industria e naftës. Mjafton t’u them që nuk mbetur vend në Shqipëri pa u shpuar një pus. Kështu që, nëse do të kemi ndonjë gjë të re, do të kemi ose mbi thellësinë 5 mijë deri 6 mijë metra, ose në det, ku nuk jemi futur fara para ’90, sepse nuk kemi pasur as teknikën e as paratë. Se çfarë do të sjellë e ardhmja nuk e di, por po flas për ato çka janë konstatuar deri më tani.
47 studentë hedhin hapin e parë…

Ditën e djeshme, në ambientet e Fakultetit të Gjeologjisë u zhvillua një konferencë. Për herë të parë një grup studentësh kishin ftuar dy inxhinierë të Seksionit të Profesionistëve Italianë nga SPE-ja ose Shoqata Ndërkombëtare e Inxhinierëve të Naftës. Është shoqata më e madhe profesionale që operon në fushën e energjisë, pjesë e saj së fundmi janë bërë edhe 47 studentë nga të gjitha vitet në Fakultetin e Gjeologjisë. Lektorët mysafirë ishin Valerio Parasiliti Parcello, inxhinier dhe Menaxher Projekti në Kompaninë Eni E&P si dhe Donata Scanavino, drejtuese e kompanisë së shërbimeve Baker Hughes Inc, të dy të angazhuar me Seksionin Italian. Ne folëm me dy prej organizatorë që ndoshta mund të jenë nga ata studentë që i vijnë njëherë në 7 vite këtij fakulteti. I pari është Rakip Belishaku (President i Seksionit studentor të SPE Universiteti Politeknik i Tiranes ). “Sot kemi të ftuar dy inxhinierë të Seksionit të Profesionistëve Italianë të Society of Petroleum Engineers. SPE-ja ose Shoqata Ndërkombëtare e Inxhinierëve të Naftës është shoqata më e madhe profesionale që operon në fushën e energjisë. Numëron 124000 anëtarë në të gjithë botën, profesionistë të fushave të ndryshme duke përfshirë inxhinierë nafte, gjeologë, gjeofizikantë, inxhinierë kimie, elektronikë, mekanikë etj. Midis tyre ka dhe një numër të konsiderueshëm studentësh. Aktualisht ka 230 seksione studentore në çdo universitet ku përgatiten inxhinierët dhe gjeologët e naftës. Në 28 prill të 2013-s, zyra qendrore në Huoston, Texas, aprovoi kërkesën tonë për t’u krijuar si seksion studentor me të drejta të plota nën juridiksionin e Seksionit Profesional të Italisë. E nisëm më 16 anëtarë po përgjatë 1 viti shkuam 47. Qëllimi i krijimit është përfitimi i njohurive dhe pjesëmarrja në takime me profesionistë të fushës dhe konferenca ndërkombëtare. Zbritje në çmimin e librave dhe revistave shkencore që ekspertët e shoqatës publikojnë në mënyrë periodike. Një numër i madh bursash akordohet për studentët me një shifër totale prej 250 000 dollarë në vit. Kemi shumë punë dhe projekte për të realizuar në mënyrë që të marrim maksimumin nga kjo periudhë studimi. Krahas aktiviteteve që po bëjmë brenda fakultetit duke ftuar profesionistë shqiptarë dhe të huaj për të mbajtur leksione, po përgatitemi për të prezantuar në ATCE (Annual Technical Conference & Exhibition) në Amsterdam , Holandë si dhe në OMC (Offshore Mediterranean Conference ) në Ravena të Italisë. Jemi të vetëdijshëm për sfidat që kemi përpara, por jemi të vendosur për ta shpënë përpara këtë nismë, duke qenë se kemi krijuar dhe një bërthamë grupi me studentë nga çdo vit akademik, por me rezultate të mira dhe bagazh të ndryshëm inxhinierik”.
Herald Kapaj ( Zv/President)
“Kur vendosëm të merreshim me procedurat e anëtarësimit si grupim studentor, shumë prej nesh ishin skeptikë dhe nuk mendonin se do merrnim përgjigje të emaileve të dërguara. Por u surprizuam kur përgjigjet nuk vonuan dhe për më tepër vumë re një shfaqje entuziazmi nga shefi i Seksionit Italian, Francisco Saço, i cili për hir të së vërtetës ka kontribuar pamasë në rrugëtimin tonë. Dua të theksoj gjithashtu një donacion në libra me vlerë rreth 2000 dollarë që pasuroi bibliotekën tonë me zhvillimet më të fundit në teknikë dhe shkencë. Mendoj se duhet të punojmë më fort për të realizuar qëllimet tona, pavarësisht problemeve dhe mangësive prezente. Por një gjë është e sigurt: po mundohemi të përgatitemi për të punuar në një nga sektorët më të rëndësishëm, atë të energjisë.
Konferenca konsiston në paraqitjen e teknologjisë më të fundit të përdorur në sektorin e shpimit dhe shfrytëzimit të vendburimeve të naftës, si dhe në mundësitë që ofron SPE-ja dhe kompanitë që bashkëpunojnë me të. Lektorët janë Valerio Parasiliti Parcello, inxhinier dhe Menaxher Projekti në Kompaninë Eni E&P si dhe Donata Scanavino, drejtuese e kompanisë së shërbimeve Baker Hughes Inc, të dy të angazhuar me Seksionin Italian. Për ta cilësuar, Shoqata Ndërkombëtare e Inxhinierëve të Naftës është një shoqatë profesionale jo fitimprurëse dhe bazohet në vullnetarët e saj”.
eh kam qene vete student ne kete fakultet. I kujtoj me mall ato kohe. Gazetarja ka shume te drejte ne trajtimin qe i ka bere, ka patur momentet e saj kjo shkolle. Megjithate, ministria duhet te gjej menyra qe ne kete dege te shkojne student te pergjegjshem dhe qe mesojne, do t’i duhen vendit ne te ardhmen, me besoni.
Faleminderit Entela, me kujtove kohe shume te bukura dhe kohe sakrifice
Cane
Bravo cuna. Keshtu duhet te jete rinia shqiptare. Keta dy djeme jane nje shembull qe duhen ndjekur nga studentet. E para, pervec se mesojne, dhe bejne dicka per veten dhe per shkollen. Nderime!
Kjo eshte shkolla ku shteti duhet te investoj me shume. Studentet e mire qe dalin prej aty mund ti sjellin shume te ardhura vendit. Nentoka shqiptare ka nevoj per persona te kualifikaur, sepse jetojme nje vend me pasuri te medha, po sicc duhet askush nuk e ka kuptuar, ose e kane kuptaur shume pak… ata qe po e bejne shqiperine pa kriter si kullojse makaronash. Urime per shkrimin. Faleminderit
Entela, pas gjerave te bukura, te vecanta e me vlere, je vetem ti.
Respekte per punen tende!
Respekte profesor Bashkimi! Kam mbaruar Ing. Nafte ne vitin 1997 dheruaj kujtimet me te mira nga ai staf tejet kompetent. Sidomos prof. Bashkimi i cili ne lenden e tij Ing. e Shpimit ishte i pari qe aplikoi metoden e provimit me libra hapur. Vertet qe u vleresua me i miri, ai qe kishte ndjekur leksionet e seminaret. Gjynah i madh qe ekziston nje staf i tille por mungon lenda e pare, studentet.
Profesorët nga më të përgatiturit dhe studentët nga më të dobtit. Ky është thelbi që profesori i nderuar nuk e thotë troç..fakultet me potenciale të mëdha por mos njohja e politikave për nëntokën dhe mosinteresimi në tërësi do të sjellë në një të ardhme të afërt zbehjen e këtij fakulteti dhe humbjen e një baze të mirë dijesh të krijuar për vite me rradhë nga specialistë të mirfilltë dhe me pasion të madh. Sa për studentët nuk mund të pretendojnë që shkolla fillon në fakultet…..aty qëndron vazhdimi i dijes
I pergezoj mjaft cunat per punen dhe vullnetin qe kane treguar per te percjelle me te miren nga vetja dhe per te ngritur emrin e deges qe ata ndjekin. Ne vecanti i uroj shume suksese Herald Kapaj, i cili dhe nje here vertetoi sa i kualifikuar dhe i pergatitur eshte dhe i uroj mjaft suksese ne te ardhmen 🙂
Respekte per ju z. Inxhinier Kapaj!!
Nje mikeshe qe te do te miren 😉
Me te vertete per te ardhur keq lenia mbas dore e ketij Fakulteti te cmuar. Pershendes nismen e studenteve te rinj te cilet tregojne se nuk jane te fjetur sic mendohet. Gjithashtu do te doja te pergezoja studentin Herald per fjalet e bukura dhe frymezuese qe ka shkruar, jam i sigurt qe eshte nje student shembullor nga i cili duhet te marrim shembull, i uroj suksese te metejshme ne kete fushe.
Me duhet te them qe jam i impresionuar nga kualiteti i ketij artikulli. Me ben te ndjehem me optimist per te ardhmen energjitike te vendit tone. E si mund te jete ndryshe kur kjo e ardhme eshte ne duart e arta te Herald Kapaj dhe studenteve te tjere te Inxhinierise se naftes. Jam i bindur se Heraldi do te zhvilloje sektorin energjitik shqiptar po aq mire sa un godas goditjet e denimit.
Me Respekt
Andrea
Arma me efikase per te shpetuar njehere e mire nga njerezit e shpellave, eshte arsimi.
Ku keta shpellare kane perballe njerezit e arsimuar, carmatosen plotesisht.