Të rikthyer natën nga Valencia pas humbjes 2-1 në trofeun Naranja, Milani ka qenë dje që në mëngjes në fushën stërvitore për të vazhduar përgatitjet. Miqësorja spanjolle ka dhënë indikacione të dobishme për trajnerin Filipo Inzagi, i cili ka komentuar paraqitjen e kuqezinjve në sallën e shtypit në “Mestalla”. “Duhet të mësojmë të konkretizojmë më mirë rastet që na jepen, – ka thënë trajneri. Kemi humbur dhe duhet ta pranojmë, por 20 ditë më parë në fushë ishte një tjetër skuadër. Duhet të qëndrojmë të qetë dhe të analizojmë atë që kemi bërë deri tani, duke punuar edhe më shumë në ato që kemi bërë keq. Për mendimin tim, ne kemi bërë një skuadër të mirë, nuk e di saktë sa korne kemi goditur. Për fat të keq sa herë na është goditur porta, ne kemi pësuar gol, por jemi në rrugën e duhur për të bërë një start të mirë të kampionatit. Kjo ishte një miqësore dhe kampionati do të jetë diçka tjetër. Kemi zotëruar fushën si një skuadër e rëndësishme.”
Sjellja në fushë – Gabimet individuale që kanë kushtëzuar rezultatin në “Mestalla” nuk e shqetësojnë shumë Inzagin: “I pranoj, por duhet të kuptojmë se në momente të caktuara gabimet mund të na kushtojnë shumë. Kur luan ndaj skuadrave që synojnë objektiva të rëndësishëm, është e vështirë të mendosh të jesh në nivelin e tyre pas vetëm një muaj punë. Përballja me Valencian ishte një provë e mirë. Që nga e shtuna përballë Juventusit në trofeun TIM pres një rezultat ndryshe. Me Valencian nuk kemi lënë hapësira në mbrojtje, nuk kujtoj ndonjë pritje të madhe të Diego Lopez. Megjithatë, do të kisha qenë më pak i kënaqur nëse do të fitonim ne me vetëm një rast të krijuar. Të paktën kështu e dimë se ku duhet të përmirësohemi. Unë dua që ne të komandojmë lojën, nuk mund të mos komandojmë, sidomos në Itali. Do të luajmë me skuadra që janë inferiore ndaj nesh.”
Honda dhe Menez – Për krosimin e Hondës e rolin e Menez: “Ishte një skemë, por Honda nuk e ka goditur shumë mirë. Menez mund të luajë në të tre pozicionet e sulmit. Në këtë ndeshje kam preferuar ta fus në rolin e 9-ës së fshehur, sepse i ka karakteristikat. Jam i kënaqur për atë që ka bërë. Ndaj Juventusit do të jetë në fushë që nga minuta e parë, më pas do të vlerësoj nëse mund të jetë kundër Lacios. Dëmtimi vetëm 2 ditë pas grumbullimit dha pengesat e veta, por tani e shikoj të rikthyer dhe për ne është një arsye më shumë për të qenë të qetë.”
