Komiteti i Monitorimit IPA u mblodh sot në Tiranë për të diskutuar për progresin e zbatimit të financimeve të BE-së për Shqipërinë.
Takimi u bashkëkryesua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme,Ditmir Bushati dhe Michela Matuella, Shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Europian.
Diskutimet u fokusuan në programimin e financimeve të ardhshme, në efektivitetin e përgjithshëm, cilësinë dhe koordinimin e zbatimit të programeve në vazhdim.
Autoritetet shqiptare ofruan një përditësim të plotë mbi progresin në sektorët e ndryshëm.
BE-ja nënvizoi nevojën për të siguruar monitorimin dhe koordinimin e reformave, konsistencën mes strategjive dhe ndarjet e buxhetit, si dhe koordinimin e ngushtë me gjithë komunitetin e donatorëve në vend. Rëndësia e programeve rajonale të BE-së u theksua gjithashtu në funksion të gjashtë nismave më të rëndësishme të Komunikimit më të fundit të Komisionit për Ballkanin Perëndimor.
Përfaqësues të Shteteve Anëtare të BE-së, të shoqërisë civile, si dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile morën pjesë si vëzhgues.
s.a/dita

Pavarësisht burimit të lajmit, duhen të sqarohen lexuesit dhe për akronimet.
Kështu IPA janë inicialet në anglisht për “Instrument for Pre-Accession Assistance” (Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit)
Nga janari 2007 Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) zëvendëson një sërë programesh dhe instrumentesh financiare të Bashkimit Evropian për vendet kandidate ose vendet potenciale kandidate, përkatësisht PHARE, PHARE CBC, ISPA, SAPARD, CARDS dhe instrument financiar për Turqinë .