Ipati, Perandori pesëditësh i Bizantit

J L

Moikom Zeqo

Sinops romani. Kryengritja NIKA. Një lloj revolucioni kundër Bastijes (Bizantit) në shekullin VI.

 

***

Në 23 mars 1983 dy punonjës të Institutit të Monumenteve të Tiranës po punonin në murin perëndimor të kishës së lashtë në Labovën e Kryqit, pranë Gjirokastrës. Ata po restauronin një afresk me skenën “Hyrja e Marisë në tempull”. Afresku qe i dëmtuar nga lagështia shekullore. Befas suvaja e afreskuar u rrëzua në dysheme. Punonjësit u nervozuan dhe klithën plot shqetësim. Panë se muri kishte një suva akoma më të vjetër. Aty ruhej një afresk, që kishte figurën e një kryqi, me sy të pikturuar në katër skajet dhe sipër një fjalë të shkruar në greqisht NIKA. Ç’kumtonte vallë ky afresk, që ishte fshehur, nën shtresën e afreskut, që u rrëzua, si rrobja e një njeriu që zhvishet befas për të treguar formën e vërtetë natyrore të trupit lakuriq? Kush e kishte bërë këtë simbologji afresku dhe përse? Dihet se Kisha e Labovës së Kryqit qe ndërtuar në shekullin VI nga vetë Perandori i Bizantit Justiniani i Madh. Legjenda thotë se Perandori për ta shenjtëruar kishën i dërgoi si dhuratë hyjnore një ashkël nga Kryqi i drunjtë, ku u kryqëzua vetë Jezu Krishti në Golgota, të rigjetur nga Elena, e ëma e Perandorit Konstandini i Madh dhe që ruhej si relikja më magjepsëse dhe autentike e Krishterimit në Katedralen e Shën Sofisë në Kostandinopojë. Ashklën e futën brenda një kryqi prej ari. Prandaj Labova u mbiquajt e Kryqit.

Pesë ditë mbas zbulimit të afreskut të vjetër erdhi tek Kisha edhe mesjetarologu 70 vjeçar nga Tirana, Teofan P. Si specialist i përkorë, njohës i paepur i shkrimeve të greqishtes bizantine Teofan P. e pa me një kujdes afreskun misterioz, pastaj me gishtërinj nisi të kërkonte, duke hequr copa të suvasë mbivënëse dhe gjeti edhe një tjetër mbishkrim. Ishin fjalët Ipatos Bazileus. U habit. Ndezi një cingare. U mendua gjatë. E dinte se në listën historike të perandorëve të Bizantit nuk ishte emri i një perandori me emrin Ipat. Fotografoi mbishkrimin dhe u kthye në Tiranë. I bindur se kishte bërë një zbulim të madh i hyri një studimi të thuket të kronikave të mesjetës së hershme. Tek historiani Prokopi i Cezaresë, bashkëkohës i Justinianit të Madh, e gjeti kyçin për të hapur enigmën. Lexoi dhe kronikanët e tjerë Euagrin, Joan Malahën, Marcelinin dhe Viktor Tunumin, si dhe disa më të mëvonshëm si Teofanin Euzikun, Johan Kedremin dhe Joan Zonaran, të cilët e vërtetonin të dhënën e Prokopit të Cezaresë, se Ipati qe nipi i Perandorit të Bizantit Anastasit, me origjinë nga qyteti i Durrësit, që kishte sunduar në vitet 491-518. Perandori Anastas kishte përkrahur partinë fetare të monofyzëve, që shpreheshin vetëm për natyrën hyjnore të Krishtit dhe jo për natyrën e tij njerëzore. Monofyzet e kishin shpallur edhe shën Marinë si Theotokos, Mëma e Zotit, në kundërshtim me ato që e quanin Kristotokos, Mëma e Krishtit.

Kur erdhi në pushtet Justiniani i Madh e luftoi ashpërsisht herezinë e mallkuar të monofyzeve. Tipi i Anastasit, Ipati, qe gjithashtu monofyz i bindur. Pasuesit e doktrinës monofyze qenë të panumërt dhe krijonin një opozitë që quhej “Të gjelbërit”. Përkrahësit e Justinianit të Madh qenë grumbulluar në partinë kundërshtare që quhej “Të kaltrit”. Mbas një debati dhe acarimi midis dy partive plasi kryengritja e llahtarshme e vitit 532 kundër Justinianit të Madh. Kryengritësit thërrisnin vetëm një fjalë: “NIKA”, që do të thotë “FITO”. Kryengritësit e shpallën Ipatin perandor vetëm për pesë ditë. Por mbeti perandor i rremë, se historia nuk e njohu kurrë si perandor të vërtetë. Ngjarja ndodhi si më poshtë.

Më 11 janar të vitit 532, ditën e dielë, sipas zakonit, bëheshin vrapime me kuaj në hipodrom. Perandori asistonte në këto vrapime me shumë solemnitet, por u bind menjëherë se spektatorët e mbledhur aty ishin tepër të eksituar. Në shkallët, ku ishin vendosur “të gjelbërit” dëgjohej zhurmë dhe vërshëllima të pareshtura. Partia e “të gjelbërve” kishte ndërmend t’i paraqiste perandorit një ankesë dhe të shprehte pakënaqësinë e vet. Justiniani urdhëroi kasnecin e tij që t’i bënte pyetje popullit. Si përfundim midis përfaqësuesit të “të gjelbërve” dhe të perandorit, replikat e të cilit i përsëriste me zë të lartë kasneci, filloi dialogu që paraqitet më poshtë.

Të gjelbërit. Me jetë të gjatë qoftë perandori Justinian! I pathyeshëm qoftë ai gjithmonë! Por, o më i miri i perandorëve! Neve na bëhen gjithfarë padrejtësish, dhe zoti e di se ne nuk mund t’i durojmë ato më gjatë. Megjithatë ne kemi frikë ta përmendim me emër mizorin, nga që druajmë se mund të shtohet tërbimi i tij edhe më shumë dhe mund të ndodhemi përpara rreziqesh më të mëdha.

Kasneci. Nuk e di për kë e keni fjalën.

Të gjelbërit. Ai që na shtyp, ne, o tri herë i madhënueshëm (august), jeton në lagjen e këpucarëve.

Kasneci. Askush nuk ju bën juve të keqe.

Të gjelbërit. Neve na persekuton një njeri. O shën Mëri mbrona ne!

Kasneci. Nuk e di kush është ky njeri.

Të gjelbërit. Jo, ti e di mirë, o tri herë i madhënueshëm se kush është tani xhelati ynë.

Kasneci. Nuk e di se kush ju persekuton.

Të gjelbërit. Mirë atëherë, o Zot i botës, ky është spathari (komandanti i gardës) Kallopodi.

Kasneci. Kallopodi s’ka punë me ju.

Të gjelbërit. Sido që të thoni ju, ai do ta pësojë fatin e Judës, dhe zoti së shpejti do ta dënojë për këtë padrejtësi.

Kasneci. Ju, si duket, keni ardhur këtu jo për të parë garën e kuajve, por për të fyer qeveritarët!

Të gjelbërit. Po! Ai që na bën të keqe neve do të pësojë fatin e Judës.

Kasneci. Heshtni, të pafé!

Të gjelbërit. Ti na quan të pafé e samaritanë, po zoti na ruajtë të gjithëve njësoj.

Kasneci. Unë ju këshilloj të gjithëve të pagëzoheni.

Të gjelbërit. Shumë mirë! Ne të gjithë jemi gati të pranojmë pagëzimin.

Kasneci. Për besë, po nuk heshtët, do të urdhëroj t’ju ekzekutojnë të gjithëve.

Të gjelbërit. Secili don të ketë pushtet që të tjerët ta nderojnë. Po qe se fjalët tona ty nuk të pëlqejnë, naltmadhnia jote të mos zëmërohet nga ato. Ai që i beson perëndisë, duhet të jetë i duruar, dhe meqenëse neve na është dhënë goja për të folur, atëherë duhet t’i quajmë me emrat që kanë të gjitha sendet. Ne që tani nuk e dimë, o tri herë i madhënueshëm, ku është pallati e ku qeveria. Ne vimë në qytet vetëm duke kaluar nëpër të të hipur në gomar. Kjo është e padrejtë, o tri herë i madhënueshëm.

Kasneci. Çdo njeri i lirë mund të vejë ku të dojë.

Të gjelbërit. Ne e dimë vetë fare mirë se jemi të lirë, por nuk na japin mundësi të gëzojmë lirinë. Dhe nëqoftëse ndonjë i lirë dyshohet se është i gjelbër, pushteti shtetëror e dënon atë aty për aty.

Kasneci. Juve nuk ju dhimbset shumë shpirti, po ju jeni për të shkuar që të gjithë në litar!

Të gjelbërit. Le ta ndalojnë ngjyrën që ne mbajmë, dhe drejtësia s’do të ketë më ç’të bëjë. Ti lejon që ne të na vrasin, dhe veç kësaj ti urdhëron që ne të na dënojnë. Ti je burimi i jetës dhe ti vret atë që don. Me të vërtetë natyra njerëzore nuk mund të durojë kontradikta të tilla. Ah, do të kishte qënë më mirë, sikur për vullnet të qiellit yt atë Savvati të mos të të kishte lindur fare: nuk do të kishte lindur një vrasës! S’ka shumë kohë që u bë e gjashta vrasje: dje njeriu ishte gjallë, kurse në mbrëmje, o Zot i të gjitha sendeve, ai ishte i vdekur.

Të kaltrit. Të gjithë vrasësit janë të partisë suaj.

Të gjelbërit. Jeni ju ata që vrisni, por ju i shpëtoni dënimit.

Të kaltrit. Ju vrisni të tjerët, pastaj merrni edhe guximin të diskutoni. Të gjithë vrasësit janë nga tuajt.

Të gjelbërit. Mjaft! O sundimtar i ynë, mëshirona! E vërteta është përmbysur. Po qe e vërtetë se botën e drejton Zoti, nga vijnë atëherë gjithë këto fatkeqësira.

Kasneci. Heshtni, maskarenj, që shani Zotin, armiq të perëndisë!

Të gjelbërit. Po të urdhëroj naltmadhnija jote, ne po heshtim, o tri herë i madhënueshëm, ndonëse nga zori. Ne i dimë të gjitha, të gjitha, por po heshtim. Lamtumirë, o drejtësi, ti nuk ekziston më! Ne po ikim, Zoti e di se më mirë është të jesh pagan, se sa i kaltërt.

Të kaltrit. Maskarenj! S’duam t’ju shohim me sy; ky vrer na revolton!

Të gjelbërit. Le të çohen e të hidhen në thertore kockat e spektatorëve!

(Me këto fjalë turma e Të gjelbërve largohet nga hipodromi duke fyer rëndë me këtë perandorin; Të kaltrit për të penguar largimin e tyre, mundohen t’u presin rrugën; gjë që shkakton një kacafytje midis tyre).

Dialogu i mësipërm është marramendës, shpërthyes. Nuk ekziston as në tragjeditë i Eskilit e të Shekspirit. Por ai vërteton se beteja e fjalëve shndërrohet lehtë në betejë të shpatave. Përshkrimi i kryengritjes së titulluar NIKA, e bërë nga pena e Prokopit të Cezaresë i tejkalon kufijtë e kronikës.

Shpërtheu papritmas në Bizant kryengritja në popull, e cila në kundërshtim me sa pritej qe kryengritja më e madhe dhe për popullin e senatit përfundoi me një fatkeqësi të madhe. Ja si qe puna.

Në çdo qytet dimat (partitë politike) qysh qëmoti ndaheshin në Të Kaltër dhe Të Gjelbër, por pak kohë kish kaluar qëkur për shkak të këtyre titujve dhe të bangove që zinin në kohën e shfaqjeve, njerëzit filluan të shpenzojnë paratë, t’u nënshtrohen mundimeve tepër të mëdha dhe ishin gati të vdisnin nga një vdekje tepër e turpshme. Ata luftojnë me kundërshtarët, pa e ditur as vetë përse e rrezikojnë vehten, por duke e ditur mirë se edhe nëqoftëse do t’i mposhtin armiqtë në luftë, nuk do të mbetet tjetër veçse të dërgohen menjëherë në burg dhe pastaj të vdesin nga mundimet e torturat e tmerrshme. Atyre armiqësia për të afërmit u lind pa shkak dhe nuk u zhduket për tërë jetën, pa marrë parasysh as krushqinë, as farefisninë, as miqësinë, nëqoftëse vëllezërit prej një nëne e një babe ose kushërinjtë dalloheshin midis tyre nga lulet që mbanin. Ata nuk bëhen merak as për punët e Zotit, as për punët e njerëzve, mjafton që të dalin fitues në garat, edhe sikur ndonjëri të kryejë ndonjë punë të papëlqyer ose sikur ligjet dhe shteti të merren nëpër këmbë nga njerëzit e tyre ose nga armiqtë: edhe duke pasur nevojë për sendet më të nevojshme ose kur atdheu dëmtohet prej tyre në gjërat më të rëndësishme, ata nuk e çajnë kokën fare, mjafton vetëm që partia e tyre të lulëzojë (“parti” ata quajnë shokët e tyre që marrin pjesë në rebelimet). Në këtë punë të ndyrë marrin pjesë edhe gratë e tyre, jo vetëm duke u vajtur pas burrave në zgjedhjen e partisë, por edhe duke u ngritur kundër tyre, po të binte rasti, megjithëse ato as në shfaqje nuk venë as nuk shtyhen nga shkaqe të tjera për të marrë pjesë në to. Prandaj unë s’mund ta quaj ndryshe të gjithë këtë, përveçse sëmundje psikike. Kështu qëndron puna në qytetet dhe në çdo dimë.

Atëherë pushteti, që ishte në krye të popullit në Bizant, deshi të dënonte me vdekje disa nga rebelët. Pasi u muarrën vesh me njëra tjetrën, të dy palët rrëmbejnë nga duart e rojeve njerëzit e dënuar me vdekje dhe, pasi futen menjëherë në burg, lirojnë të gjithë ata që ishin burgosur për rebelim ose për ndonjë ekses tjetër; njerëzit, që ishin në shërbim të autoriteteve të qytetit, i vranë fare kot, kurse ata qytetarë që s’kishin gisht në këto trazira ikën e u hodhën në kontinentin e përtejmë, qytetit iu vu zjarri, tamam sikur të kishte rënë në dorë të armiqve. Kisha e Shën Sofisë, banjoja e Zeuksinit dhe një pjesë e pallatit të perandorit, nga Propiletë gjer tek shtëpia e Areut u pushtuan nga flaka dhe pas tyre u shkatërruan edhe dy portikë të mëdhenj, puq me sheshin që kishte marrë emrin e Konstandinit, si dhe shumë shtëpi e pasurira të mëdha të njerëzve pasanikë. Perandori, e shoqja dhe disa anëtarë të senatit u mbyllën në pallat, ndërsa dimat i transmetonin njëri tjetrit shenjën konvencionale “NIKA” nga e cila në atë kohë mori emrin edhe e gjithë kryengritja. Epark i oborrit aso kohe ishte Joani Kapadoku, kurse Triboniani, me origjinë nga Pamfilia, ishte këshilltar i perandorit (romakët këtë ofiq e quajnë kuestor). Nga këto Joani ishte njeri pa shkollë, ai ishte duke mësuar shkrim e këndim nga mësuesi i gramatikës, por edhe për të shkruar shkronjat i shkruante keq; porse duke qënë i talentuar prej natyre ai ua kishte kaluar të gjithë atyre që ne njohim: ishte shumë i zoti të bënte atë që duhej dhe të gjente rrugëdalje nga çdo gjë e vështirë. Mirëpo, duke qënë më i keqi i të gjithë njerëzve, fuqinë e dhuntive të tij natyrore ai e përdorte për të keqe; as mendimi për zotin, as turpi përpara njerëzve nuk hynin në shpirtin e tij, por i vetmi preokupim i tij ishte që, për të bërë para, të vriste sa më shumë njerëz dhe të shkatërronte qytete të tëra. Pasi grumbulloi brënda një kohe të shkurtër një pasuri të madhe, ai u dha në mënyrë të pakufizuar pas pijes, duke grabitur para dreke pasurinë e njerëzve që ishin nën pushtetin e tij, kurse pjesën tjetër të ditës ja kushtonte pijes dhe qejfeve më të ndyra për të kënaqur epshet, ai s’mund ta kufizonte vehten, hante gjersa villte, dhe gjithnjë ishte i gatshëm të vidhte para, dhe aq më tepër t’i harxhonte ato. I tillë ishte Joani. Kurse Triboniani kishte dhuntira natyrore të larta dhe kishte arritur një shkallë aq të lartë arsimi, sa që askush s’ia kalonte në kohën e tij, por, i dhënë deri në marrëzi pas interesit, ai për leverdinë e tij personale ishte gjithnjë i aftë të tradhtonte drejtësinë. Nga ligjet disa i abrogonte çdo ditë, dhe shkruante të tjera, duke ja shitur atij që i lypseshin si të parat ashtu edhe të dytat.

Pra, sa kohë që populli ishte në armiqësi me njeri tjetrin për mbizotërimin e ngjyrave të partive nuk kishte ndonjë arësye për ta akuzuar atë për ndonjë faj kundrejt shtetit. Ndërsa atëherë kur, pasi ranë në marrëveshje midis tyre, sikurse u tha më sipër, ata u hodhën në kryengritje, nëpër të gjithë qytetin filluan të shanin haptazi Joanin e Tribonianin dhe t’i kërkonin ata për t’i vrarë. Prandaj Perandori, duke dashur të pajtohej me popullin, i shkarkoi që të dy këta nga pushteti dhe emëroi epark të pallatit patricin Foka, burrë mjaft i arsyeshëm dhe i aftë për t’i shërbyer drejtësisë; kurse Vasilidin, që njihej midis patricëve për urtësinë e tij dhe që nga pikëpamje të tjera ishte burrë i ndershëm e urdhëroi të merrte përsipër detyrën e kuestorit.

Mirëpo edhe nën ta zemërimi vazhdoi me të njëjtën forcë. Të pestën ditë të kryengritjes aty nga mbrëmja Justiniani urdhëroi Ipatin dhe Pompein, nipërit e ish perandorit Anastas, të shkonin sa më parë në shtëpi, – sepse dyshonte se ata ishin duke kurdisur ndonjë komplot kundër jetës së tij, ose ndoshta vetë fati po i çonte ata në këtë gjë. Ata duke pasur frikë se mos populli i detyronte të merrnin kurorën e perandorit (sikurse edhe ndodhi), thanë se nuk ishte e drejtë të iknin, duke lënë perandorin e tyre kur ai ndodhej përpara një rreziku kaq të madh. Kur dëgjoi këtë, Justiniani krijoi një mosbesim edhe më të madh dhe i urdhëroi me këmbëngulje që të largoheshin menjëherë. Ata që të dy u nisën për në shtëpi dhe, gjatë natës, qëndruan atje.

Të nesërmen, me të rënë Dielli, populli e mori vesh se ata të dy ishin larguar dhe nuk do të pranoheshin më në pallat. Prandaj i gjithë populli vate me vrap tek ata, e shpalli Ipatin perandor dhe e shpuri në sheshin e qytetit që të merrte përsipër drejtimin e të gjitha punëve. Maria, e shoqja e Ipatit, grua shumë e zgjuar dhe e respektuar nga të gjithë për virtytet e saj, iu qep të shoqit dhe nuk donte ta lëshonte, bërtiste me të gjitha forcat dhe donte t’i bindte të gjithë të afërmit se populli po e çonte atë në vdekje. Turma doli fituese, dhe Maria kundër vullnetit e la të shoqin të shkonte. Populli thirri për të shpallur perandor Ipatin, që kundër dëshirës së tij erdhi në sheshin e Konstandinit, dhe pasi i vuri në kokë një zinxhir të artë nga që s’kishte diademë ose diçka tjetër (që i ka hije një perandori të ketë në kokë) e shpalli atë perandor të romakëve.

Kur u mblodhën anëtarët e senatit, të cilët nën Justinianin nuk kishin mbetur në pallatin e perandorit, u shprehën shumë mendime në lidhje me fillimin e një sulmi kundër pallatit. Por Origeni, anëtar i senatit, u ngrit e tha: “Romakë, në kohën e tanishme punët tona s’mund të zgjidhen ndryshe, veçse me luftë, dhe dihet se lufta e mbretërimi janë më të rëndësishme nga të gjitha punët që duhet të bëjnë njerëzit. Por punët e mëdha s’mund të bëhen brënda një kohe të shkurtër, porse pasi të jenë peshuar mirë dhe të jenë bërë përpjekje për një kohë të gjatë. Kështu, nëqoftëse do të derdhemi mbi armikun, punët tona do të vihen mbi tehun e briskut dhe brënda një kohe të shkurtër ne do të vëmë në rrezik gjithçka, dhe për përfundimin ne ose do të falënderojmë fatin, ose do të qahemi nga ai, sepse gjendja më e vështirë zakonisht është në dorë të fatit. Por nëqoftëse ne do t’i rregullojmë punët tona të tanishme pa u ngutur, edhe me gjithë dëshirën tonë të madhe ne nuk do të arrijmë ta kapim Justinianin në pallat, sepse ai do të preferojë të ikë sa më shpejt, mjafton që t’i lejohet kjo gjë. Mirëpo një pushtet, i lënë pas dore e pa drejtim, zakonisht bie kur fuqia e tij vjen duke u pakësuar çdo ditë. Ne kemi edhe pallate të tjera, si pallati i Plaknit dhe ai i Elenës, nga këto pallate perandori ynë do të ketë mundësi edhe të bëjë luftën, edhe të drejtojë punët e tjera, si t’i vijë më mirë”. Kështu tha Origeni. Por të tjerët, ashtu siç ndodh gjithnjë me turmën, iu vunë punës me ngulm të madh, duke menduar se ishte e dobishme të vepronin pa vonesë; gjithashtu edhe Ipati (ishte thënë që ai të mbaronte keq) urdhëroi që turma të nisej nëpër rrugën që çonte për në hipodrom; disa thonë se ai u nis enkas në këtë drejtim nga që kishte simpati për Justinianin.

Ata që gjendeshin rreth e rrotull perandorit po këshilloheshin në mes të tyre se si do të qe më mirë: të qëndronin apo të iknin me anije, dhe shumë herë u fol sipër njeriun mendim ashtu dhe për tjetrin. Po perandoresha Teodora u hodh e tha: “Çasti i tanishëm, më duket mua, nuk lejon aspak të mendohet e të thuhet se nuk i ka hije një gruaje të jetë e guximshme në mes të burrave dhe të tregojë trimëri në mes të të pavendosurve. Është e vërtetë se njerëzve, që janë në rrezik shumë të madh, u duket më mirë ta varin gjithë shpresën te shpejtësia e këmbëve. Mirëpo unë edhe më parë e kam quajtur dhe e quaj edhe tani ikjen si një gjë të pahijshme, megjithëse ajo mund të sjellë shpëtimin. Çdo njeri që ka ardhur në këtë botë, do të vdesë medoemos, por një njeri, që ka qenë perandor, s’duhet ta bëjë vehten të tillë që të ikë nga frika. Mos e dhëntë zoti të mbetem unë pa këtë rrobë të purpurt, dhe mos e arrifsha atë ditë, kur ata që do të më takojnë të mos më thërrasin më perandoreshë! Pra, nëqoftëse ti, o perandor, ke në kokë mendimin për të shpëtuar, atëherë është e kotë ta zgjatim: para ne kemi sa të duash, ja deti, ja edhe anijet! Por mendo a nuk do të jetë më e hijshme për ty që të preferosh më mirë vdekjen se sa shpëtimin? Kurse mua më pëlqen një fjalë e vjetër që thotë se mbretëria është një qefin i mrekullueshëm”. Kur perandoresha tha këto fjalë, të gjithë muarrën zemër e guxim dhe filluan të diskutojnë se ku do të mund të mbroheshin, nëqoftëse ndokush do të hidhej në sulm kundër tyre.

Mirëpo të gjithë ushtarët, si të tjerët, ashtu edhe ata që gjendeshin rreth e përqark pallatit të perandorit, nuk shfaqnin simpati për perandorin dhe nuk dëshironin në asnjë mënyrë të vepronin, por pritnin se si do të përfundonte gjithë kjo punë. Perandori gjithë shpresën e kishte varur tek Belizari dhe tek Mundi; i pari nga këta i kthyer pak kohë më parë nga beteja e Medisë, kishte me vehte jo vetëm ushtri të fortë edhe të madhe, por edhe një shumicë doriforësh (heshtëmbrojtësit) e ipasnistësh (shqytmbrojtësit) të kalitur në beteja dhe në rreziqet e luftës. Kurse Mundi, që ishte emëruar strateg i Ilirisë, komandonte (barbarët) herulë dhe ishte thirrur në Bizant për një punë.

Pra, Ipati, duke ardhur në hipodrom, hipi menjëherë në vendin e perandorit dhe ulet në fronin perandorak, nga i cili perandori zakonisht shikonte vrapimet e kuajve dhe ushtrimet gjimnastikore. Ndërkaq Mundi doli prej pallatit nga dera që quhet kërmilli, sepse kur hyn, ajo rrotullohet. Ndërsa Belizari në fillim desh të derdhej kundër vetë Ipatit dhe fronit perandorak dhe, kur iu afrua ndërtesës më të madhe, ku që prej kohësh gjendej roja, filloi t’u bërtiste ushtarëve duke i urdhëruar t’i hapnin derën sa më shpejt që të mund të derdhej kundër tiranit. Por ushtarët kishin vendosur të mos merrnin anën e asnjërit, derisa njëra nga palët të korrte fitoren përfundimtare mbi tjetrën dhe prandaj nuk i zbatuan urdhrat, duke bërë sikur s’kishin dëgjuar asgjë. Belizari, pasi u kthye tek Justiniani, i tha se çdo gjë kishte mbaruar derisa kundër tij kishin ngritur krye edhe ushtarët, të cilëve u qe besuar ruajtja e pallatit. Perandori e urdhëroi të shkonte te e ashtuquajtura Hallkë dhe te Propiletë që gjendeshin atje. Përmes rreziqeve të mëdha, me përpjekje të shumta, nëpër gërmadha dhe nëpër vende të djegura Belizari arrin deri tek hipodromi. Kur u gjend te portiku i të kaltërve që ndodhet në të djathtë të fronit perandorak, Belizari mendoi t’i vërsulej përnjëherë Ipatit; por meqenëse dera e ngushtë këtu ishte e mbyllur dhe ruhej që brënda nga ushtarët e Ipatit, Belizari pati frikë se populli, duke e sulmuar, atë që ishte futur në këtë rrugë të ngushtë, mund ta asgjësonte megjithë detashmentin e vet dhe kështu mund të marshonte lehtë kundër Justinianit. Pra, pasi vendosi se duhej sulmuar populli, që ishte grumbulluar në hipodrom në një numër të pakufishëm dhe në çrregullim të plotë, Belizari pasi nxorri shpatën nga milli dhe urdhëroi edhe të tjerët të bënin të njëjtën gjë, u derdh me vrap duke bërtitur mbi turmën. Populli, që ishte mbledhur grumbull e jo i rreshtuar, ua mbathi këmbëve, kur pa se ushtarët e veshur me pancirë të famshëm për trimërinë dhe eksperiencën e tyre luftarake, po i shfarosnin me shpatë të gjithë pa mëshirë. Kur shpërtheu britma e madhe, Mundi, që ishte aty pranë dhe që synonte të hidhej në veprim (Mundi qe njeri i guximshëm dhe me inisiativë të madhe) por që nuk dinte se ku mund të vepronte, e mori me mend se Belizari ishte hedhur tashmë në veprim, kështu që edhe ai aty për aty futet në hipodrom nga hyrja që quhet dera e vdekur. Atëherë rebelët e Ipatit u shfarosën nën goditjet e forta që u jepeshin nga të dy anët. Fitorja qe e shkëlqyer në atë kohë kur Vorandi dhe Justi, nipërit e Justinianit, duke mos hasur më të voglën rezistencë, e tërhoqën zvarrë Ipatin nga froni dhe e çuan bashkë me Pompeun te perandori. Këtë ditë nga populli u vranë më shumë se 40.000 veta. Këtu Pompeu qau me dënesë dhe u ankua me hidhërim sepse deri në këtë kohë ai nuk i kishte provuar trillet e jetës dhe nuk kishte parë mjerime të tilla. Kurse Ipati, duke e qortuar i tha se nuk duhet të dëshpërohen ata që vdesin të pafajshëm, sepse qysh në fillim ata u detyruan nga populli kundër vullnetit të tyre të merrnin pushtetin dhe në hipodrom nuk vajtën me qëllime të këqia kundër perandorit. Të nesërmen ushtarët i vranë që të dy dhe trupat e tyre i hodhën në det. Perandori u sekuestroi pasurinë në favor të arkës së shtetit si atyre, ashtu edhe gjithë senatorëve të tjerë që ishin shokë ideje me ta. Por më vonë, gjithë të tjerëve si edhe fëmijëve të Ipatit dhe të Pompeut perandori u ktheu gjithë titujt e mëparshëm dhe pasurinë që akoma nuk kishte arritur t’ua shpërndante të afërmve. Kështu mbaroi kryengritja që u bë në Bizant.

 

***

Mbas 14 shekujsh zbulohet emri i Ipatit në Kishën e Labovës së Kryqit. Kjo vërteton se ai nuk ra në duart e hakmarrësit të tij dhe nuk u vra. Justiniani i Madh vrau para syve të popullit një sozi të Ipatit. Kjo gjë i shërbente politikisht fitores dhe dekurajonte rebelët. Ipati është larguar nga Kostandinopoja dhe u vendos në tokat shqiptare. Origjina e tij ishte Durrësi, por në Durrës spiunët e perandorit mund të zbulonin. U fsheh në Labovën e Kryqit, ku ishte peshkopi Argjir, një teolog monofyz i pathyeshëm. Aty Ipati i mbylli vitet e fundit të jetës si një murg i thjeshtë.  Qëllimi për të shkruar jetën e Ipatit ka qenë diçka përvëluese.  Fakti që ai qe 5 ditë perandor i Bizantit është një fatalitet.  Fataliteti buron nga koha kur ai ishte end efëmijë.  Xhaxhai i tij, perandori i Bizantit, Anastasi, i quajtur si Flavius, ose si I Kuqi, kishte lindur në Durrës.  Ai kishte dhe një epitet tjetër, Dikori, sepse dy sytë e tij kishin ngjyra të ndryshme, ngjyrë kafe dhe të kaltër.  Kjo e bënte Anastasin misterioz, të papërballueshëm dhe shpesh të frikshëm.  Anastasi ndërtoi në vendlindjen e tij në Durrës muret e kështjellës si dhe një hipodrom.  Pasioni i tij qe ekonomia dhe financa.  Ai spikati si ekonomisti më i madh i të gjithë kohrave i Perandorisë Bizantine.  Por ai ishte dhe mistik.  Pak para vdekjes, Anastasi e bëri një veprim për të kuptuar Fatin.  Ai vuri nipërit e vetë të flinin në një shtrat.  Nën jastëkët e tyre la vetëm një letër të shkruar me titullin e Perandorit.  Ai kishte vendosur që nipi që do të zbulonte i pari nën jastëk letrën e shkruar do të shpallej prej tij Perandor.  Aleksi e vëzhgoi gjatë gjumin e patrazuar, që rezultoi pa fat për nipërit.  Befas në dhomën perandorake hyri komandanti i gardës, Justini, një strateg me origjinë ilire, krejtësisht analfabet.  Ai i pa fëmijët duke fjetur, pastaj shkoi tek jastëku ku ishte koka e Ipatit, që kishte shkarë, e ngriti jastëkun dhe zbuloi krejt padashur letrën fat-thënëse.  Anastasi, që s’mund t’a konsideronte veten jashtë fuqisë së mistikës, u dorëzua.  Në vend që ta shpallte Perndor nipin e tij Ipatin, shpalli Perandor Justinin.  Qe pikërisht nipi i Justinit, Justiniani i Madh, që si Perandor i Bizantit përcaktoi fatin dyfish të keq dhe të pashpresë të Ipatit.  Meqënëse Anastasi qe monofiz, edhe Ipati qe monofiz.  Doktrina monofize ngul këmbë se Jezu Krishti kishte vetëm natyrë hyjnore, mohon natyrën tokësore të tij.  Koncili Kalkedonisë e kundërshtoi këtë herezi.  Prijësit e monofizmit ishin Arkimandridi Eutik në Konstandinopojë dhe Patriku i Aleksandrisë, Teodosi.  Më pas spikati Jakobi, që vdiq në 578.  Monofizët u quajtën dhe jakobitë.  Monofizmi përcaktoi kishën kopte, siriane dhe etiopiane.

Ipati, mes një mjedisi ilegal, në fshehtësi, shkroi disa traktate për mbijetesën e doktrinës monofize.  Nuk dihet se ç’u bënë këto dorëshkrime.  Dëshmia në kishën e Labovës së Kryqit është unike.  Figura e Krishtit me shumë sy është një emblemë monofize.  Po kështu dhe mbishkrimi NIKA, që tingëllon ironikisht, sepse në vend që të përfaqësojë Fitoren, është Përhumbje.

Sinopsi për Ipatin i ngjan kështu dy skajeve:  mes triumfit të përkohshëm dhe disfatës së përjetshme, mes kronikës dhe anonimatit.  Nëse Ipati qe 5 ditë Perandor, kjo s’do të thotë se qe më pak i plotëfuqishëm në këmbënguljen e tij.  Përfundimi i jetës nuk e bëri atë aspak t’i shmanget Pavdekshmrisë.(1993)

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *