Irak, 75 viktima nga dy shpërthime

Elton Tafaruci

Si pasojë e dy shpërthimeve të njëpasnjëshme të ekzekutuara nga militantët e Shtetit Islamik në kryeqytetin e Irakut, të paktën 75 persona kanë humbur jetën ndërkohë që afro 100 të tjerë janë plagosur. Sulmet me eksploziv tronditën Bagdadin në orët e vona të së shtunës, duke iu referuar asaj lokales.

Shpërthimi i parë u ndërmor pranë një zone tregtare dhe u realizua përmes një bombe të montuar në makinë, e cila u aktivizua përmes një detonator.

Autoritetet bënë me dije se gajtë kohës që ndodhi sulmi, në këtë pjesë të kryeqytetit kishte një numër të lartë qytetarësh në qarkullim. Ndërkohë, shpërthimi i dytë u krye në pjesën veriore të Bagdadit. Të plagosurit u shoqëruan menjëherë në ambientet spitalore, ku po marrin edhe trajtimin e nevojshëm shëndetësor. Megjithatë, mjekët nuk e përjashtojnë mundësinë e rritjes së bilancit të viktimave.

Sulmet tragjike u morën menjëherë përsipër nga militantët e Shtetit Islamik, të cilët përmes postimeve në rrjetet sociale deklaruan se pas shpërthimeve qëndrojnë pikërisht ata. Kjo tezë u konfirmua edhe nga autoritetet të cilët u shprehën se ISIS është përgjegjësi i këtij sulmi të radhës në vend.

Dy shpërthimet në kryeqytet vijnë vetëm një javë pasi forcat qeveritare rimorën nën kontroll qytetin e Falluxhas, zonë që konsiderohej si një prej pikave më të forta të Shtetit Islamik në Irak. Pavarësisht progresit të shënuar nga ushtria vendase, ISIS vijon të ketë në zotërim një pjesë të konsiderueshme të territorit, kryesisht në zonat veriore dhe perëndimore, përfshirë qytetin Mosul, i cili është edhe qyteti i dytë më i madh në vend.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *