Forcat irakiane kanë hyrë në ish-ndërtesën qeveritare të Ramadit, nga ku militantë të Shtetit Islamik po u bënin rezistencë forcave ushtarake vendase.
Një burim i BBC-së ka thënë se trupat kanë planifikuar të vijojnë me hyrjen më në thellësi të kompleksit gjigant, por me kujdes të madh për shkak të frikës se mund të jenë vendosur eksplozivë brenda saj.
Ndërkohë, xhihadistët e Shtetit Islamik besohet të jenë larguar në verilindje të qytetit, për t’i shpëtuar ofensivës së ushtrisë.
Qeveria irakiane prej javësh është përpjekur të rimarrë kontrollin e Ramadit, qytet i banuar kryesisht nga arabë suni që ndodhet rreth 90 kilometra në perëndim të Bagdadit. Qyteti ra në kontrollin e ISIS në muajin maj, çka shënoi një humbje tepër shqetësuese për ushtrinë irakiane.
Gjatë ditëve të fundit, ushtarët vendas kishin hartuar rrugëtimin e tyre drejt qendrës së qytetit duke shtënë nën kontroll edhe disa zona të tjera, teksa ditën e shtunë u raportua se gjendeshin vetëm pak metra larg ish-godinës administrative të provincës.
