Pas marrëveshjes bërthamore që nënshkroi Teherani me gjashtëshen negociatore në Vjenë më 14 korrik, Iranin e pret një e ardhme premtuese. Pasojat e marrëveshjes bërthamore kanë gjeneruar disa ditë më pas interesa në fusha të tjera dhe kryesisht ato ekonomike.
Për herë të parë pas shumë vjetësh, një ushtri funksionarësh iranianë morën pjesë në një konferencë biznesi së bashku me 400 biznesmenë europianë me qëllimin specifik për të tërhequr investimet e huaja, diçka që pa sanksione do të jetë sërish e mundur.
Për implementimin e plotë të marrëveshjes bërthamore të arritur më 14 korrik mes qeverisë së Teheranit nga njëra anë dhe SHBA-së, Rusisë, Kinës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë nga ana tjetër, do të duhen të paktën edhe 6 muaj.
Për më tepër, sanksionet ekonomike që peshojnë në sektorët energjetikë, tregtarë dhe financiarë të Iranit mund të hiqen vetëm kur vendi të përmbushë pjesën e tij të marrëveshjes.
Pavarësisht këtyre vonesave, kompanitë shumëkombëshe e kanë të qartë se mundësia që kanë përpara është unike.
Dhe nuk e kanë keq! Ky vend me 80 milionë banorë, me të ardhura mesatare, një PBB prej 400 miliardë dollarësh dhe një prodhim më i madh se ai i Tajlandës, apo Emirateve të Bashkuara, është ekonomia më e madhe që i inkorporohet sistemit financiar global që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, para më shumë se 20 vjetësh.
Irani është i vetëdijshëm që investimet ndërkombëtare sidomos ato europiane, tentojnë të lëvizin shpejtë për të siguruar kontrata fitimprurëse dhe ka flirtuar me ta madje edhe para se të konkretizohej marrëveshja bërthamore. Qeveria e Teheranit e ka të qartë çfarë dëshiron.
“Nuk duam një importim të mallrave dhe makinerive”, siguroi ministri iranian i Industrisë, Mohammad Reza Nematzadeh, gjatë konferencës në Vjenë.
“Duam një tregti importi dhe eksporti, përveç kooperimit dhe investimeve për zhvillimin, dizenjo dhe inxhinierisë për prodhimin dhe eksportimin”. Përsa i përket burimeve të hidrokarbureve, Irani ka një nga rezervat më të mëdha të gazit dhe naftës në botë (150 miliardë fuçi). Gjigantët energjetikë si Shell, Total dhe BP kanë shprehur tashmë interesin e tyre për të arritur një marrëveshje, gjë që tregon se e ardhmja e vendit pers fillon të rritet me një shpejtësi të paprecedentë.
