Golden Globe ka një fitues surprizë. Filmi “Argo” ka marrë çmimin si filmi më i mirë dramatik, ndërsa Ben Aflek ka marrë çmimin regjisori më i mirë.
Fituesi i ka befasuar të gjithë pasi sipas parashikimeve, çmimi i filmit më të mirë do t’i shkonte “Lincoln” ose “Zero Dark Thirty”.
Megjithatë, këta dy filma nuk kanë kaluar pa vlerësime. Daniel Dei Luis fitoi Globin e Artë si aktori më i mirë në rolin e tij në filmin “Lincoln”, ndërsa Xhesika Kastain fitoi trofenë si aktorja më e mirë për rolin e saj në filmin “Zero Dark Thirty”.
“Të mjerët”, filmi me subjektin e Viktor Hygo, fitoi në kategorinë e komedisë ose muzikalit dhe protagonisti Hju Xhekman fitoi Globin e Artë si aktori më i mirë në këtë kategori.
Ndarja e çmimeve Golden Globe bëhet në bazë të votimeve të Shoqatës së Shtypit të Huaj të Hollivudit. Ceremonia e ndarjes së çmimeve i paraprin asaj të çmimit më të madh të Hollivudit, çmimeve Oskar, të cilat zakonisht ndahen në shkurt.
Irani nuk është dakord me filmin e Aflek: Do bëjmë “Argo”-n tonë
Irani sulmon SHBA-në në kinematografi. Artistët iranianë mesa duket nuk e kanë pëlqyer filmin hollivudian “Argo” dhe kanë vendosur t’i kundërpërgjigjen këtij të fundit me një produksion të vetin. Lajmi është dhënë nga një ent artistik iranian. Filmi do të titullohet “The general Stuff” dhe flet për 20 pengjet amerikane që iu dorëzuan SHBA-së nga revolucionarët”, bën të ditur agjencia iraniane MEHR.
Filmi amerikan “Argo”, nga Ben Aflek, i vendos ngjarjet në Teheranin e vitit 1979 dhe tregon historinë e arratisjes së amerikanëve, të cilët u strehuan në ambasadën kanadeze.