AK ka protestuar sot në aksin kombëtar Kavajë-Rrogozhinë kundër premtimit të pambajtur nga kryeministri Berisha për përfundimin e kësaj rruge. Aktivistë të AK kanë bllokuar aksin Kavajë-Rrogozhinë, i nisur tre vite më parë dhe ende i papërfunduar. Në mënyrë ironike, ata kanë prerë shiritin e inaugurimit.
“Aktivistët e Aleancës Kuq e Zi kanë prerë shiritin e inaugurimit në shenjë proteste ndaj premtimeve të pambajtura të shtetasit Sali Berisha, i cili drejton qeverinë e Shqipërisë dhe jo të shqiptarëve. Drejtues të Aleancës Kuq e Zi gjatë prononcimit për mediat deklaruan se shtetasi Sali Berisha ka mashtruar për tre vite me radhë qytetarët e Kavajës për infrastrukturën. Ndërkohë që përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi në qytetin e Kavajës janë zotuar se nuk do të lejojnë hyrjen e Sali Berishës në qytetin që për shumë vite me radhë i ka dhënë votën, votë e keqpërdorur vetëm për qëllime elektorale dhe aspak në shërbim të qytetarëve. Gjithashtu përfaqësues të Aleancës Kuq e Zi deklaruan më tej se “gërshërët e mashtrimeve të Sali Berishës” nuk do të ndalen dhe do denoncojnë çdo rrugë dhe investim të papërfunduar të qeverisë së Sali Berishës në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Korridori 8 nuk përfundoi gjatë 18 viteve të fundit, pasi Sali Berisha e sabotoi pikërisht ndërtimin e këtij korridori që do t’i sillte Shqipërisë përfitime të rëndësishme”, bën të ditur AK në një njoftim për shtyp.