Aleanca Kuq e Zi ka zhvilluar sot një protestë para sheshit të Namazgjasë në Tiranë. Protesta e aktivistëve të AK kishte karakter ironik, pasi u shoqëua me një ekspozitë fotografike, ku shfaqeshin liderët e partive politike duke prerë shiritat e ndërtimit të xhamisë së re. Në fjalën e tij, kreu i AK tha se po prêt shiritin e inaugurimit të mashtrimit.
“Në 23 vite kanë vendosur vetëm një tullë dhe kanë prerë 23 shirita duke mashtruar çdo vit qindra dhe mijëra besimtarë dhe praktikantë myslimanë. Shqipëria regjistron kështu faqen e zezë në historinë e saj, që një lider politik si shtetasi Berisha, diskriminon hapur një pjesë të shoqërisë për shkak të bindjeve të tyre fetare. Shtetasi Berisha hyn në histori si i vetmi kryeministër që ka detyruar besimtarët të falen dhe praktikojnë rrugëve, shesheve apo në bulevard fenë e tyre, duke u kënaqur që t’i shikonte ata të përuleshin me drejtim nga zyra e tij. Populli shqiptar, i cili dhe në vargjet e himnit të tij përfshin komunikimin me Zotin, si një komb me virtyte, nuk mund të lejojë të poshtërohet botërisht nga një njeri, i cili vlerëson se është mbi Zotin, Popullin dhe Atdheun”, tha Spahiu. Më tej, ai tha se AK do të rikthejë ndarjen e fesë nga shteti.
“Ashtu si dhe besimtarët e krishterë, të cilët kanë të drejtat e tyre për të pasur kultet në çdo qendër urbane dhe kryeqytet, ku ata të praktikojnë lirisht fenë dhe besimin e tyre, ashtu dhe besimtarët myslimanë duhet të mos diskriminohen duke u penguar dhe detyruar të falen rrugëve. Të gjithë jemi qytetarë dhe qenie të barabarta përpara Zotit dhe ligjit. Ai që tenton të na poshtërojë dhe të na ndarë, do marrë ndëshkimin e popullit dhe mallkimin e Zotit. Mëkatari i madh i padrejtësive të këtij populli do largohet me turp duke mos e lejuar të gënjejë dhe mashtrojë sërish. Aleanca Kuq e Zi do të rikthejë ndarjen e fesë nga shteti dhe do krijojë kushtet që të gjithë besimtarët të ndjehen të barabartë në ushtrimin e këtij besimi si qytetarë të lirë të një shteti kuqezi, i cili do të sigurojë dhe garantojë harmoninë dhe bashkëjetesën fetare”, përfundoi Spahiu.