Isa Mustafa sërish në krye të LDK

Edona Llukacaj
????????????????????????????????????

Lidhja Demokratike e Kosovës, në Kuvendin e saj të nëntë zgjedhor, ka rizgjedhur Isa Mustafën në mandatin e tretë për kryetar, i cili ishte edhe kandidati i vetëm për udhëheqjen e partisë.

Pas përfundimit të procesit zgjedhor që zgjati rreth dy orë dhe u zhvillua me dyer të mbyllura, Mustafa tha se ka qenë një proces demokratik dhe i hapur duke ofruar mundësinë për të gjithë që të garojnë.

Ai u shpreh: “Në LDK demokracia është më e rëndë se sa në subjekte tjera. Qëllimi i këtij procesi ka qenë që në ta forcojmë LDK-në, të përfshijmë njerëz të rinj që ndajnë mendime, ide dhe aspirate me LDK-në, ta pasurojmë në pikëpamje gjinore dhe të moshës si dhe të hapim perspektivë për të ardhmen që LDK të qëndrojë e para edhe për qeverisjen e vendit”.

Nga ana tjetër, Fatmir Sejdiu, ish kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, post të cilin e kishte trashëguar nga ish presidenti Ibrahim Rugova, nuk u shpreh i kënaqur me Kuvendin e nëntë zgjedhor të LDK-së, pasi nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme që të kandidohet në garën për kryetar.

Edhe deputetja e LDK-së, Melihate Termkolli, tha se beson që ka pasur kushtëzime për rizgjedhjen e kryetarit të ri të partisë. Ajo tha: “Kjo u pa qartë, edhe Fatmir Sejdiut e ndoshta edhe dikujt tjetër që ka pasur dëshirë të kandidojë, iu është mohuar, kjo është një metodë që e kanë përdorur shërbimet e fshehta, kam frikë që I kanë frikësuar edhe delegatët”.

Kryetari i rizgjedhur i partisë Isa Mustafa, në fjalimin e tij pas procesit zgjedhor, tha se tani hapi i radhës për LDK-në do të jetë përgatitja për zgjedhjet e përgjithshme, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Mustafa deklaroi: “Nga nesër do të fillojmë të përgatitemi për zgjedhje. Unë sot u kam bërë ftesë publike partive politike që të garojmë një nga një për zgjedhje dhe pastaj të bashkohemi me ata që na bashkon program”.

LDK njihet si parti që përpiqet të trashëgojë frymën politike të liderit dhe themeluesit të saj, Ibrahim Rugova.

e.ll./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *