Nga Nuri Plaku
(Vijon nga numri i kaluar)
Ministria e Punëve të Brendshme kërkonte me ngulm nga komanda italiane dorëzimin e Isa Toskës, por komanda nuk i përgjigjej. Përkundrazi, ajo vuri në shërbim të kriminelit edhe logjistikën ushtarake dhe e përdorte atë si forcë goditëse kundër lëvizjes dhe popullsisë civile. Sipas udhëzimeve që mori nga fashistët, Isai i dha bandës së tij edhe ngjyrim politik, e quajti atë “çetë nacionaliste” dhe në janar të vitit 1943, nisi rrugën e re të “heroizmit” duke shkuar fshat më fshat me flamurin kombëtar në krye e duke predikuar në popull luftën “për çlirimin e vendit”. Në këtë marshim pompoz ai ndërmerte aksione kriminale për mbledhjen e armëve, shkatërronte ekonominë, rekrutonte banditë të rinj, vriste, shnderonte dhe masakronte popullsinë civile, duke krijuar midis saj një tmerr të vazhdueshëm nga dita në ditë. Në fshatin Marinës, në një aksion të tillë çarmatimi, mblodhi burrat e fshatit në oborrin e kishës së Shën Spiridhonit dhe i torturoi duke i goditur në radhë me dru.
Aty vrau edhe dëshmorin Mihal Gjata pse nga goditjet që i jepnin mbi kurriz, ai nuk u ulej në gjunj. Mihali kishte fytyrë të qeshur që çuditërisht nuk i ndryshonte në situata të tilla. Kjo u bë shkak që Isai u nervozua, pështyti tri herë në tokë nxitimthi, nxori pistoletën dhe e vrau duke i thënë, “Edhe më qesh, pale!”. Më pas, banditët grabitën delet e Gori Matës dhe e vranë atë, pse guxoi të dilte në oborr e tu thoshte, “Mos mi merni se i kam delet e dhallës!”. Në këtë furi krimesh, më 12 mars 1943, paria e Roskovecit e përbërë nga ish deputeti Hysni Toska, tregëtari Ali Çepele, Ramadan Velmishi dhe Kamber Kapo, i dërguan Ministrisë Brendshme një telegram ankimor, nëpërmjet të cilit kërkonin arrestimin e kriminelit Isa Toska. Në tekstin e telegramit thuhej se Isa Toska ishte një “kriminel i bujshëm” dhe “bishë e egër me fytyrë njeriu, që s’kishte lënë turp dhe njollë pa e ngarkuar në shpinën e vetë dhe në bashkpunim të ngushtë me forcat fashiste, godiste një grumbull njerëzish, shkatërronte shtëpitë e popullit dhe i përfshinte në zjarr e flakë kasollet e bujqve të varfër; se ai ishte autor i aq e aq krimeve të poshtra e të ndyra dhe vazhdonte të zgjeronte dita ditës rrezen e veprimeve të tij”. Në fund të telegramit, autorët i luteshin qeverisë të merrte masa urgjente për ndalimin e asaj dore të zezë gjakatare. “Largojeni për hir të fëmijëve që nga aksionet e tij, bëhen viktima të pafajshme të gjendjes aktuale. Në të kundërt, – theksohej aty, – ju bije përgjegjësia morale e fatit dhe jetës së kësaj popullsie dhe ju kërkojmë të na caktohet vendi që të shpërngulemi me gjithë fëmijë mbasi toleranca në këtë rast kalon çdo kufi dhe ne, nuk dëshirojmë të jemi jo protagonist, por as dhe dëshmitar.”
Por edhe pas këtij telegrami qeveria kuislinge nuk mundi të ndërmerte asnjë veprim. Në këto kushte, Hysni Toska organizoi me të riun Tafil Paja nga Luari një atentat ndaj Isa Toskës. Tafil Paja i doli ballpërballë ktiminelit në rrugën kur po kalonte me në grup bashibozukësh dhe i hodhi bombën mu përpara këmbëve. Por pë fat të keq bomba nuk plasi. Atentatorin e kapën dhe e kzekutuan në moment në një formë makabre . E lidhën në secilën këmbë me litar dhe ja tërhoqën me forcë deri sa e shqyen më dysh. Pastaj trupin ia hodhën në Burimin e Haraçit.
Pas këtij atentati, më 23 mars 1943, Isa Toskës iu organizua një pritë nga çeta e Jagodinës dhe një pjesë e partizanëve të çetës “Riza Cerova” të Skraparit me në krye Zylyftar Veleshnjën, të cilët erdhën për të përforcuar goditjen kundër kriminelit. Prita u bë në kufirin ndarës të fshatrave Marinëz – Belinë në nëj territor kënetor dhe pikërisht në pjesën e quajtur “vau i rosave”. Nga banda e kriminelit u vranë 4 vetë ndërsa nga forcat partizane mbeti i vrarë mitralieri Tofik Lapani nga Skrapari.
Pas kësaj prite, Isa Toska u mbështet më fuqimisht nga pushtuesit. Ai rimori me dhunë tokën e shitur dikur komshijve të tij dhe aty fashistët i ndërtuan një shtëpi bunker dhe i dhanë një autoblinë për lëvizje të mbrojtur. Në këtë periudhë fashistët hoqën edhe komandën e tyre nga xhamija e Kumanit dhe e vendosën në Luar, në shtëpinë e braktisur të Hysni Toskës, i cili për t’i shpëtuar hakmarrjes, pas telegramit dhe atentatit të organizuar kundër Isait, iku familjarisht në Berat.
Tashmë, bisha e egër filloi të villte zjarr e hekur kundër popullsisë civile. Hakmarrja e saj kriminale përfshiu raprezalje të shumta në zonë. Në fshatin Velmish rrëmbeu plaçkën dhe bagëtitë e vëllezërve; Hysen dhe RamadanVelmishit, dhe u larguan pasi dogjën shtëpitë e tyre, dogjën shtëpinë e Ali Çepeles në Roskovec, masakruan familjen Klosi në Zharrez duke vrarë 13 anëtar të saj, e shumë e shumë krime të tjera. Në Luar, u bënë disa përpjekje nga forcat partizane për eleminimin e tij, por ishte e pamundur nga mbrojtja e fashistëve të cilët përdornin edhe aviacionin kundër tyre. Por, më e egër bisha u bë veçanërisht gjatë operacionit të Qershorit në Mallakastër, ku krimineli me bandën e tij u derdh mbi fshatrat e kësaj krahine si një lukuni ujqish të uritur për gjak. Vrau, preu,masakroi, dogji e shkatërroi shtëpi e fshatra të tërë të kësaj zone. Vetëm në fshatin Lapulec shkoi në plumb 33 burra. Numri i përgjithshëm i viktimave të tij,krijon një bilanc tepër tragjik; 220 persona të ekzekutuar. Ky terror i egër ushtruar për gati dy vjet mbi popullsinë civile të zonës, ngjasonte me aksionet antisemitiste hitleriane dhe e shoqëroi fashizmin hap pas hapi, deri më 8 shtator, ditën e kapitullimit të tij.


VRASJA E ISA TOSKËS DHE MASAKRA GJERMANE
Por sikur të mos mjaftonin këto krime të shëmtuara, bilancit të tyre tragjik ju shtuan edhe 13 të vrarë të tjerë nga popullsia fierake më 13 shtator të vitit 1943. Kjo është dita kur u vra Isa Toska i cili erdhi në Fier në përpjekje për të shkuar në Vlorë e të hidhej në Itali së bashku me ushtarët italianë. Ngjarja zbardhet në dimensionin e saj të plotë nëpërmjet një dokumenti të nxjerrë nga fondi i Ministrisë Punëve të Brendshme në Arkivin Qendror të Shtetit. Sipas këtij dokumenti, më datën 11 shtator 1943 nga Vlora erdhi në Fier një kolonë gjermane e cila u instalua në qendër të qytetit, në godinat e xhandarmërisë dhe filloi menjëherë marrëveshjen me Komandën Italiane për dorëzimin e materialeve dhe armatimit të tyre të rëndë. Të nesërmen, në natën e 12 shtatorit, ushtria italiane u nis për Vlorë. Ndërsa vazhdonte evakuimi i tyre, në mesditën e 13 shtatorit, Isa Toska mbriti në Fier së bashku me 50 bashkëpunëtorët e tij të veshur me uniformën ushtarake fashiste të Divizionit “Brenere”, i përzier me kolonën ushtarake italiane të Kumanit dhe grumbullohet së bashku me bashibozukët e tij në fushën e sportit, (sot Gjimnazi “Janaq Kilica”), në pritje për tu nisur në Vlorë.
Ardhja e kriminelit të tmerrshëm mu në mes të qytetit u vu re me shqetësim nga populli dhe efektivi i xhandarmërisë dhe midis tyre filluan menjëherë reagimet. Në orën 15, Komandanti i Xhandarmërisë së Rrethit Kapiten Hilmi Beluli së bashku me oficerët Abas Sevranin dhe Rushit Çarçanin, njoftuan nënprefektin z. Zef Pepaj për ngjarjen dhe i propozuan atij të vinin së bashku në Komandën Gjermane, t’ju kërkonin dorëzimin e kriminelit dhe vëllait të tij, Faslli Toskës pranë xhandarmërisë shqiptare, pasi për të, “kishte edhe një letër rreshtimi të përhershëm.”
Më pas u thirr edhe Kryetari i Bashkisë z. Arshi Shehu dhe përkthyesi z. Abedin Hoxha së bashku me vëllanë e tij, togerin Fiqiret Hoxhën dhe të gjithë në grup vajtën në Komandën Gjermane. Sapo u informua për problemin e tyre, Komandanti thirri menjë herë tre ushtarë të tij dhe kërkoi t’i shoqëronte dikush nga xhandarmëria, “sa për tu treguar se kush ishte Isai dhe Faslli Toska”. U duk sikur komandanti gjerman nuk i kushtoi shumë rëndësi arrestimit të tyre dhe z. Hilmi Beluli insistoi të sqaronte se dy vëllezërit ishin persona shumë të rrezikshëm dhe të dy të armatosur, kurse shokët e tyre mund të kishin bomba dhe armë xhepi. Por komandanti gjerman iu tha se “nuk ka gajle, ju vetëm na tregoni se kush janë”. Atëherë komandant Beluli u detyrua të merrte masa në nivel xhandarmërie. Urdhëroj aspirant Çarçanin të organizonte disa prita nga mendohej se mund të ikte krimineli në rast se do t’i shpërtonte arrestimit. Pas këtij urdhëri, komandanti, së bashku me nënprefektin dhe sekretarin e tij Zybi Goxhin, Kryetarin e bashkisë Arshi Shehun dhe me dy vëllezërit Abedin dhe Fiqiret Hoxha, u drejtuan për në komandën e xhandarmërisë rrethit.
Ndërkohë, aspirant Abas Sevrani së bashku me komandantin e postës së qendrës kapteri parë, Selami Baruti e rreshter Qemal Hapshi, shoqëruan tre ushtarët gjermanë për në fushën e sportit ku ishin grumbulluar Isa Toska me të vëllanë dhe ndjekësit e tyre. Isai sapo pa grupin që po afrohej, e kuptoi qellimin e tyre, dhe reagoi duke sharë e fyer rëndë Abas Sevranin dhe njëkohësisht i drejtoi pushkën dhe e zbrazi në drejtim të tij. Në moment Abazi iu përgjegj flakë për flakë goditjes së kriminelit “duke gjuajtur vetëm një herë me revolver në drejtim të tij”. Ndërkaq Isa Toska u largua me “shpejtësinë dhe zotësinë e një tigri e merr ikjen tue e dërgue mallkimet e një krahine drejt gazermës Gjindarmërisë, ku u prit me plumbat e gjindarmëve e tue mbet i shtrirë e i lam në gjak pikërisht para portës së kazermës.”
Ky shpërthim i papritur qe ndërkohë edhe një befasi e paimagjinueshme për komandën gjermane. Ushtarët u mobilizuan menjëherë dhe u hodhën në sulm kundër bandës së kriminelit duke vënë në përdorim të gjithë arsenalin e armatimit. Mitralozët villnin zjarr nga të katër anët. Ushtarët gjermanë së bashku me xhandarët shtrinë për tokë edhe 16 kriminelë ndërsa i vëllai, Faslliu iku përmes plumbave dhe kaloi Gjanicën mbrapa godinës së bashkisë, (Prefekturës së sotme) duke shpëtuar për momentin, por u arrestua nga forcat partizane brenda disa orëve, i strehuar në një fshat pranë qytetit.
Por, në këtë përleshje mbetën të vrarë nga popullsia civile edhe 13 burra të kositur nga “plumbat e mitralozave gjermanë.” Viktimat e popullsisë ishin punonjës të shërbimit tregëtar, kalimtarë apo banorë të cilët i kapi rrezja e zjarrit në lëvizje e sipër. Rrezja e sulmit gjerman u zgjerua në ndjekje të kriminelëve të shpërndarë nga brigjet e Gjanicës deri tek “Hani i Velos” në veri të fabrikës së miellit.
Ndërsa nga ana e xhandarmërisë mbeti i vrarë rreshter Sinan Agolli nga katundi Moçaj i Pogradecit dhe i plagosur lehtë tetar Safet Kapua nga Përmeti.
Mbas disa ditësh, forcat partizane zhvilluan në Ballsh gjyqin kundër Faslli Toskës dhe e dënuan me varje, duke mbyllur kështu një nga kapitujt më të zi të periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në rrethin e Fierit, atë të bashkëpunimit me fashizmin dhe krimit vëllazëror midis shqiptarëve.

Ky kishte lindur otr, nuk e shiste veten (e as Shqiperine), si Envëri apo çuni i Taqkes!