Një letër e hapur, e botuar me pseudonim në një nga gazetat më të mëdha të Venezuelës, “El Universal”, do të trondiste jo vetëm shtetin amerikano-latin. U botua në tetor 2011. I drejtohet Presidentit Hugo Çavez, i cili, i shtruar në një spital të Kubës, po luftonte me sëmundjen e kancerit. Një letër e guximshme, që mban pseudonimin Saul Godoy Gomez, por që mendohet se është shkruar nga ish-gruaja e parë e Çavesit, Nansi Iriarte Díaz. Titullohet “Disa konsiderata për vdekjen tënde” dhe nuk është letra e ish-gruas së tradhtuar, që tani, kur ai ndihet i pafuqishëm, kërkon të marrë hak për të gjitha zhgënjimet që ka pësuar në jetë. Nuk janë cic-mice familjare, por një shuplakë diktatorit…
“Nuk dua që të ikësh nga botë pa të dhënë lamtumirën, sepse një numri të madh njerëzish u ke bërë një të keqe të pamasë, ke shkatërruar kushedi sa familje, ke detyruar turma të tëra bashkëpatriotësh të braktisin atdheun, ke zhytur në zi një numër të pallogaritshëm vatrash, ata që ti i quaje armiqtë e tu i përndoqe pa mëshirë, i mbylle nëpër qeli që nuk i meritojnë as shtazët, i poshtërove e i talle, jo vetëm se të dukej vetja tepër i fuqishëm, por edhe i pavdekshëm… Por edhe për të kujtuar se fundi nuk ishte me ty.
Por, ja ku erdhi edhe radha jote. Shprehjes “cikli vital” të kontratës tënde i mbërriti fundi, ky “cikël” yti po shuhet pak nga pak, dhe jo në mënyrë të mirë; ka gjasa që të vdesësh në një shtrat i rrethuar nga të afërmit e tu të trembur, ngaqë do të të duhet të japësh llogari në grahmat e tua të fundit, se do të ikësh nga kjo botë tepër i frikësuar; pranë teje do të jenë priftërinjtë, të cilët ti i persekutove e i fyeve, përfaqësuesit e kishës, të cilët ti i përbuze me neveri, do të të mirosin me vajrat më të shenjta jo një herë, po shumë herë, veç ata edhe ti e dini se kjo do të jetë e kotë dhe nuk do të arrijë ta largojë sadopak panikun që të ka mbërthyer shpirtin, në çastin kur gjithçka merr fund.
Po vdes i sëmurë duke vuajtur dëbimin, komplikimet e imunologjisë, efektet e tmerrshme dytësore të kurave që përpiqen të të zgjatin jetën; organet e tua po shuhen një nga një, aftësitë e tua po e humbasin shkëlqimin që i karakterizonte, lëngjet dhe aromat e tua po grumbullohen në qeska plastike me atë duhmën e vdekjes, aq e neveritshme për ty.
Në këto momente, para se të të bëjnë një injeksion për të të qetësuar sadopak dhimbjet e padurueshme që ke, a e ke kurajën të më thuash se nuk pendohesh për asgjë? Për udhëtimet nëpër botë, për pallatet e mrekullueshme ku të prisnin dhe paradat ushtarake për nderin tënd, për limuzinat dhe titujt honorifikë, për luksin e hoteleve me pesë yje dhe darkat madhështore të Shtetit… Më thuaj sinqerisht, tani që vjell qullin e kungullit që të japin me zor infermieret, nëse e kishe menduar këtë fund, tani që përmes monitorëve dhe makinave, të cilat të rrethojnë në orvatje për të të ringjallur, nuk përcillet më shkëlqimi dhe varaku, por tinguj dhe alarme sensorësh që përpiqen të matin e të rregullojnë shenjat e fundit të jetës sate.
A e dëgjon dot popullin tënd, tani, jashtë pavijonit tënd?… Duhet të jetë imagjinata jote ose efektet e morfinës, nuk jeton më në atdheun tënd, je në tjetër botë, shumë larg, ndodhesh mes njerëzish që nuk i njeh… Po, është e vërtetë se je duke vdekur në strehën tënde, midis një bande kopukësh, të cilëve je munduar t’u dorëzosh vendin tënd, çastet e tua të fundit po i kalon midis rrufjanëve dhe gënjeshtarëve, midis lajkatarëve të oborrit tënd, të cilët të shfaqin “dashuri” vetëm sepse u ke dhënë para dhe pushtet. Të gjithë ata që të rrethojnë, të shohin me shqetësim e inat, sepse asnjërit prej tyre, asnjëherë, nuk i dhe mundësinë për të të zëvendësuar, tani ata po i lë me duar bosh, ndërsa vendin tënd po e lë në prag të një lufte. Këtë paske synuar? Ky paska qenë vizioni yt në këtë jetë? I ke bërë keq llogaritë me të varfrit, sepse tani ka më shumë të varfër seç kishte kur erdhe në pushtet, e shkele rëndë drejtësinë dhe lirinë, kur praktikisht ia dorëzove vendin tënd një force të huaj, që tani do të duhet të dëbohet me forcë dhe me koston e shumë jetëve.
Kam përshtypjen se tani e ke kuptuar që je gabuar, sepse besove në një përrallë rrugësh, e pandehe veten revolucionar… të pavdekshëm, e bashkove veten me të vdekurit, me heronjtë e tu, me fantazmat e tua, të cilët besove se ishin gjallë, me Bolivarin, me Çenë, me Fidelin, me Marksin, të cilët nuk i njohe kurrë, por që i lexoje e i rekomandoje ata… Ecja pas të vdekurve të çoi te magjia dhe magjistarët, u fute e rrëmove varret për t’iu blatuar një rrethi demonësh e shpirtrash të këqij që tani të shoqërojnë… A e ndien praninë e tyre aty ku je, në spital? A e ndien se si vijnë të të vjedhin, të të grabitin edhe shpirtin, të vetmen gjë me vlerë që ke pasur në jetë, por që aq keq e fute në lojë me errësirën dhe të keqen? Epo tani, lamtumirë! Dua të të them edhe këtë: tani do të ngelesh në histori si një tradhtar dhe burracak, sepse nuk u korrigjove kur pate mundësi, por e le veten në dorë të fodullëkut tënd, të idealeve të tua të marra, të ideologjisë sate të dështuar dhe hoqe dorë nga gjërat më të çmuara, nga liria jote dhe nga liria e të tjerëve, harrove se vetëm liria bën njerëz.
Komunizmi funksionon vetëm në dy vende: në qiell, ku nuk nevojitet, dhe në ferr, ku tashmë e kanë”.