Ish-ministri kanadez i Mbrojtjes ka deklaruar për “Rusian TV”, se “alienët janë mes nesh” dhe sikur të mos mjaftonte se “ata refuzojnë të ndajnë me ne teknologjitë e tyre shumë të avancuara”. Sipas Paul Hellyer, i cili ka qenë ministër i Mbrojtjes për liberalët midis viteve 1963-1967, ka më shumë se 80 specie të ndryshme jashtëtokësorësh, disa prej të cilëve kanë pamje të njëjtë me ne dhe nuk është e mundur t’i dallosh nga qeniet e tjera njerëzore. Lajmi sillet nga “Daily Mail’.
Intervista
Në intervistën për televizionin rus, Hellyer bëri një sërë deklaratash mbi alienët, të cilat ishin në kufirin mes të pazakonshmes dhe të sikletshmes gjatë vijimit të bisedës me gazetaren. “Kemi një histori të gjatë me UFO-t, ndërsa aktiviteti i tyre në planetin tonë është rritur qëkur kemi shpikur bombën atomike. Për këtë të fundit ata janë shumë të shqetësuar. Madje na konsiderojnë mjaft të pazhvilluar për faktin që disa mendojnë t’i rikthehen sërish përdorimit të bombës atomike”.
Hellyer, i cili sot është 90 vjeç, gjithashtu, shpjegoi se pjesa më e madhe e alienëve dëshirojnë të na ndihmojnë më shumë sesa të na shkatërrojnë: “Pjesa më e madhe e tyre janë pozitivë dhe duan të na ndihmojnë, me përjashtim të një ose dy specieve që kërkojnë të kundërtën”.
Ai e bëri deklaratën e parë mbi alienët në vitin 2005. Është politikani i parë i sërës së lartë, i cili është shprehur hapur pro ekzistencës së jashtëtokësorëve, duke pohuar se këta po e vizitojnë planetin tonë prej mijëra vitesh dhe janë mjaft të befasuar nga mënyra se si jetojmë: “Kalojmë shumë kohë duke luftuar njëri-tjetrin, shpenzojmë shumë para për blerjet ushtarake dhe jo për të ushqyer të varfrit, apo për t’u kujdesur për të pastrehët dhe për ata që kanë vërtet nevojë. Alienët dëshirojnë të na ndihmojnë dhe të na mësojnë mënyra më të mira për të jetuar , por vetëm nëse ne pranojmë. Ata mendojnë se nuk po e menaxhojmë mirë planetin tonë. Po rrafshojmë pyjet tona dhe ndotim lumenjtë e liqenet, e kjo është vetëm një pjesë e vogël”.
Deklaratat e Hellyer duken si një skenar i nxjerrë nga seriali “Star Trek”, të cilave u mëshon duke thënë se ekziton një “federatë jashtëtokësorësh”, të cilët kanë vendosur të mos ndërhynë në aktivitete tona: “E ardhmja e llojit tonë dhe e të gjithë të tjerave të pranishme në Tokë është në rrezik nëse nuk punojmë me fqinjët e planeteve të tjera”.
Sipas tij, UFO-t janë pikërisht ata që kanë shpikur disa nga teknologjitë tona, midis të cilëve mikroprocesorët, dritën LED, dhe jelekun antiplumb në kevlar. Hellyer shtoi se nuk ishte takuar kurrë me një alien në jetën e tij, por kishte parë një UFO në afërsi të liqenit Muskoka, në Ontario.
Ish-ministri kanadez i Mbrojtjes tha se ekzistojnë alienë të cilët i quan «Tall Whites» (Bardhoshët e gjatë). Këta po punojnë me forcat ajrore të Shteteve të Bashkuara në Nevada: “Disa prej grave të tyre dalin shëtitje nëpër Las Vegas të veshura si murgesha për të mos u njohur”, shtoi.
Gjithashtu ekziston një tjetër grup jashtëtokësorësh, »Short Greys» ( Shkurtabiqët e hirtë) të cilët kanë këmbë dhe krahë shumë të buta dhe koka të mëdha, janë të gjatë afërsisht një metër e gjysmë. Një tjetër specie janë »Nordico Blondes» (Biondët nordikë), këtu Hellyer shpjegon se ata mund të merren shumë lehtë për qytetarë danezë, në përgjithësi për skandinavë. Se ku i ka gjetur ish-ministri të gjitha këto informacione nuk dihet, por fakti është se tani komplotistët e të gjithë botës do ta përdorin këtë intervistë si provë të pamohueshme për ekzistencën e UFO-ve./D.Gjuzi

-Ka mundesi qe nje ALIEN te jete mes nesh..,por jo me keto dhunti