Ish presidentja e Kilit, Michelle Bachelet do të jetë tanimë në postin e Komisioneres së Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
Bachelet ishte presidentja e parë grua në Kili dhe më vonë u bë kryetarja e parë e një agjencie të OKB-së të dedikuar për barazinë globale të grave, “UN Women”.
Ajo vetë ka qenë viktimë e abuzimeve të të drejtave të njeriut, duke vuajtur tortura nën regjimin famëkeq të krahut të djathtë nën udhëheqjen e gjeneralit Augusto Pinochet në fillim të viteve 1970.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e njoftoi përzgjedhjen e zonjës Bachelet disa ditë më parë dhe Asambleja e Përgjithshme prej 193 anëtarësh e miratoi kandidaturën e saj të premten.
Guterres u tha gazetarëve pas konfirmimit të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se, Bachelet gëzon besimin dhe mbështetjen e tij të plotë.
“Ajo merr detyrën në një kohë me pasoja të mëdha tek të drejtat e njeriut. Urrejtja dhe pabarazia janë në rritje. Respektimi i të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe i të drejtave të njeriut është në rënie, hapësira për shoqërinë civile është duke u pakësuar, liria e shtypit është nën presion. Për trajtimin e këtyre rrymave, kemi nevojë për një mbështetës të fortë për të gjitha të drejtat e njeriut: civile, politike, ekonomike, sociale dhe kulturore. Kemi nevojë për personin që mund të sigurojë integritetin e mekanizmave të domosdoshëm të të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara”, u shpreh ai.
Michelle Bachelet do të zëvendësojë jordanezin Zeid Ra-ad al-Hussein, i cili tha se e mbështet plotësisht zgjedhjen e saj:
“E mirëpresim këtë zgjedhje. Kam shumë vite që e kam njohur Michelle, dhe pas konfirmimit nga Asambleja e Përgjithshme, do të fillojmë të punojmë së bashku për tranzicionin. Është një lajm i mrekullueshëm.”
Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley vuri në dukje në një deklaratë dështimin e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, për të trajtuar shkeljet e kryera nga qeveritë në Kubë dhe Venezuelë.
Ajo tha se do të jetë detyra e zonjës Bachelet të “flasë kundër këtyre dështimeve, në vend që të pranojë status quo-në”.
s.a/dita

Bravo.bile kjo eshte e perkushtuar per kete pune.