Në ditën e parafundit të një viti jo pak të vështirë për ta, ish-të përndjekurit politikë janë kthyer në vendin ku pak kohë më parë zhvilluan grevën e urisë. Ata janë mbledhur për të kujtuar dy prej shokëve të tyre që i humbën në muajt e fundit të këtij viti: Lirak Bejkon dhe Shpëtim Karamuçën.
Në nderim të tyre, ish-të përndjekurit politikë kanë ndezur qirinj në vendin ku tre muaj më parë protestonin për të drejtat e tyre, duke privuar veten nga ushqimi. Ata thanë se qeveria vazhdon të jetë indiferente ndaj çështjes së dëmshpërblimit të tyre financiar për vitet e kaluara në burgjet e diktaturës. Ish-të përndjekurit thanë se do të rinisin protestat.
Lirak Bejko u vetëdogj në shenjë proteste ndaj indiferencës shtetërore gjatë grevës së urisë, ndërsa Shpëtim Karamuça u nda nga jeta para disa ditësh, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë nga e cila vuante prej kohësh.