USHTRIA SPECIALE
Synon mbrojtjen e dinjitetit të nëpërkëmbur të ushtarakëve, njerëzve të thjeshtë dhe çështjen kombëtare
Pogaçe: Është parti e spektrit të majtë, kondigjente të saj ushtarakët, ish-policët dhe punonjësit e SHISH
Përballë diskriminimit moral dhe ekonomik në këtë tranzicion të tej zgjatur, përballë hakmarrjes së deklaruar gjatë kësaj periudhe nga Berisha e qeveria e tij, ushtarakët në rezervë dhe në lirim krijojnë partinë e tyre. Kjo parti që do të jetë e spektrit të majtë, do të ketë anëtarësinë e saj mbi 20 mijë ish-ushtarakë të diskriminuar në dy dekadat e fundit, policët në lirim e rezervë, ish-punonjësit e Shërbimit Informativ Kombëtar si dhe intelektualë e personalitete të politikës aktuale e fushave të tjera të jetës. Këtë e konfirmon për gazetën ‘Dita’ Mehdi Pogaçe, një nga organizatorët e themelimit të partisë së re. “Ka më shumë se 20 vjet që politika shtetërore, veçanërisht qeverisja e parë e Sali Berishës dhe ajo në vazhdim, qëllimisht i ka diskriminuar moralisht dhe ekonomikisht ushtarakët dhe policët në rezervë apo në lirim. Edhe pse ushtarakët kanë përfituar nga Gjykata Kushtetuese të drejtat që u takojnë me ligj, ku kjo gjykatë ka rrëzuar si antikushtetues disa vendime e akte nënligjore të qeverisë së Berishës pasi ‘prekin rëndë të drejtat e njeriut, Berisha i ka bërë dhe i bën sfidë ligjit. Në këto kushte, përballë mefshtësisë dhe të faktorëve të tjerë politik në mbrojtje të të drejtave të ushtarakëve e të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, për ushtarakët në rezervë e lirim, grupimi në një formacion politik, është zgjidhje e detyruar dhe mundësi për rikthimin e dinjitetit të nëpërkëmbur. Por misioni i këtij formacioni të ri politik të spektrit të majtë, është shumë më përfshirës e më i gjerë, me synim rrëzimin e kësaj qeverisje dhe përshpejtimin e integrimit të plotë e dinjitoz të Shqipërisë në familjen Evropiane”-pohon mes të tjerave në intervistën e dhënë për ‘Dita’ Mehdi Pogaçe….
Zoti Pogaçe! Tashmë jo me statusin e kreut të Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë e në Lirim, të cilën ju e drejtoni prej kohësh, por në statusin e një grupi iniciator, konfirmoni një lëvizje të re politike, me bazë ushtarakët e policët në rezervë e në lirim?
Po. Përballë diskriminimit të vazhdueshëm moral e politik nga qeveria e drejtuar nga Sali Berisha, një lëvizje politike me bazë ushtarakët, është një nevojë për fitimin e dinjitetit të nëpërkëmbur nga kjo kategori, përfaqësimin e saj në strukturat ligjvënëse e shtetërore, si dhe dhënien e një impulsi ndryshe aspiratave të shtresave të thjeshta të shoqërisë për mirëqenie, siguri e afrimin sa më shpejt me Evropën…
Pra, ju do të krijoni një parti të re?
-Po. Kjo është zgjidhja më e mirë për situatën në të cilën jemi. Jemi në procedurat e fundit dhe shpejt do e shpallim krijimin e këtij formacioni të ri politik…
Mund të na thoni disa nga shkaqet që u detyruan të krijoni parti të re?
-Janë shumë shkaqe, e unë po rendis në vazhdim disa prej tyre. Së pari, diskriminimi moral i ushtarakëve vazhdon që nga dita e parë e qeverisjes së pushtetit nga PD pas vitit 1990 e vazhdon më egër edhe sot… Këtu nuk them se për ushtarakët në rezervë e në lirim, familjet e tyre, është bërë aq sa duhet nga qeverisja e majtë në këto vite.. Berisha e qeveritarët e tij, vazhdimisht i kanë konsideruar ushtarakët, policët, gardianët si ‘të huaj’, ‘të kuq’, etj… Kështu, jo vetëm i kanë lënë rrugëve, pa punë e mundësi integrimi, por u kanë mohuar dhe trajtimin ekonomik që u jep ligji e që dy herë rresht, ua ka njohur me vendim përkatës dhe Gjykata Kushtetuese.
Diçka më konkrete në këtë drejtim?
-Po. Pas vitit 1990, me ndërrimin e sistemit politik, në kuadër të reformimit rrënjësor të ushtrisë, u kryen disa reforma në strukturat e Mbrojtjes. Por ndryshe nga vendet e lindjes, këto reforma, nuk u bënë të studiuara, mbi kritere profesionale, por mbi kritere politike… Për më tepër, nuk u shoqëruan me faturën ekonomike. Kjo bëri që mijëra ushtarakë, të ndodhen përballë pamundësisë për të siguruar mbijetesën… Deri në vitin 2005, kur u mendua se Statusi i Ushtarakut e vendimet shoqëruese, miratuar me votat e së majtës dhe të djathtës, do të zgjidhte minimalisht trajtimin financiar sipas ligjit. E theksoj këtë se ligji 9418 i vitit 2005, ndonëse nuk
Çfarë ndodhi konkretisht?
-Me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike më 2005, jo vetëm që nuk u zbatuan vendimet dhe ligjet për trajtimin e ushtarakëve në lirim (dhënia e pensioneve), por në vazhdën e betimit të kësaj force piolitike për hakmarrje ndaj ushtarakëve, ndërmori hapa të tjera ligjore për rritjen e diskriminimit ndaj kësaj shtrese. Kështu, në shkurt të vitit 2006, qeveria Berisha miratoi ligjin 94/81, ndanë ushtarakët në dy grupe,duke bërë një padrejtësi të pa tolerueshme, që cënonte barazinë e të drejtat e njeriut… Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë(ShKURSh), iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin si antikushtetues të ligjit të qeverisë Berisha..
Çfarë vendimi mori Gjykata Kushtetuese?
-Gjykata Kushtetuese, me Vendimin nr 9 datë 27 shkurt 2007, e rrëzoi vendimin e qeverisë, i cili i ndante ushtarakët në dy grupe…
Si reagoi qeveria pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?
-Pas kësaj, në vend që Sali Berisha të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në maj 2009, nxori një ligj tjetër, përkatësisht atë 10142, që prek më tej të drejtat ekonomike të ushtarakëve në lirim… Ky ligj, paradoksalisht, shkelte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por dhe ligjet e tjera të më parshëm…
Si reagoi Shoqata e Ushtarakëve në këtë rast?
-Sigurisht që nuk u pajtua me këtë diskriminim të ri e karshillëk të qeverisë … Ajo iu drejtua përsëri Gjykatës Kushtetuese, e cila për herë të dytë, me vendimin nr 33 të muajit qershor 2010, rrëzoi qeverinë duke u dhënë ët drejtë ushtarakëve. Ai vendim (i Kushtetueses) nuk lejon kthimin prapa, pra cënimi të sigurisë juridike e të drejtave të qytetarëve ushtarakë…
Po reagimi i qeverisë pas vendimit të dytë të Kushtetueses?
-Qeveria Berisha vazhdoi përsëri diskriminimin, duke mos zbatuar asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese. Përkundër, qeveria miratoi një akt normativ të cilin e ktheu në ligj në dhjetor 2010, duke shpërfillur dhe protesta të shumta të qeverisë në Tiranë e në rrethe, përfshi dhe protestat para kuvendit… Akti normativ i qeverisë është një ligj antikushtetues pasi shkel në mënyrë flagrante vendimet e Gjykatës Kushtetuese…
Cilat janë pasojat e këtij akti normativ?
-Ky akt normativ, jo vetëm që i uli në mënyrë drastike pensionet për ushtarakët, por shumë prej tyre i shpalli dhe debitor, duke i detyruar të kthejnë shuma të konsiderueshme të hollash… Jo vetëm kaq, por qeveria, më 24 shkurt të vitit 2010, ka nxjerrë një VKM për zbatimin e ligjit 10142. Kjo VKM, realisht, nuk pasqyron ndryshimet që ka pësuar ligji 10142 nga akti normativ. Po ashtu, në mënyrë arbitrare e ndryshon ligjin 10142, duke i dhënë atij fuqi prapa vepruese me 10 vjet. Dua të them se ligji 10142 ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2009, dhe të gjitha efektet financiare, duhet të fillojnë nga kjo datë. Ndërkohë, ky VKM, pagën referuese të ushtarakëve të liruar para vitit 1991, e çon më 1 janar 1999 dhe jo më 1 korrik 2009. Përtej këtyre shifrave, duhet të kuptuar se me uljen drastike të pensioneve(gati 50 për qind), qeveria sfidon Gjykatën Kushtetuese e shton diskriminimin ndaj ushtarakëve… Kjo ka sjellë që këtë diskriminim kolektiv e sfidë ligjore të Berishës, ushtarakët ta kërkojnë në rrugë ligjore në mënyrë individuale të drejtën e tyre…
Sa gjykime individuale janë bërë ndaj këtij diskriminimi qeveritar?
-Janë mbi 500 ushtarakë, ndoshta dhe më tepër, të cilët në rrugë individuale, kanë hedhur në gjyq qeverinë e kanë fituar ndaj saj, duke marr pensionet që u takon me Statusin e Ushtarakut e vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por jo të gjithë ushtarakët në rezervë i kanë mundësitë të ndjekin procedurat…
Në këtë situatë, ushtarakët zgjodhën krijimin e një force të re politike?
-Duke parë këtë përballje të ashpër me qeverinë, vendosmërinë e saj për të mos zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimin e vendosur për të mos u dhënë kësaj kategorie atë që u takon, ushtarakët venduar një lëvizje të re, duke kërkuar të drejtat e tyre politikisht, e shumë më gjerë se kaq.. Nga përvoja 20-vjeçare e diskriminimit të tyre(të fundit nga të gjithë homologët e tjerë, anëtarë të NATO-s), ushtarakët në rezervë kanë gjetur së fundi këtë zgjidhje të re.. Pra, ka ardhur koha që ushtarakët të marrin në dorë zgjidhjen e të drejtave të tyre nëpërmjet përfaqësimit politik…
Pra, do të kenë partinë e tyre?
-Pse jo. Është një mendim që ka kohë që është shfaqur, e tani është në prag të kurorëzimit.
Cili do jetë emri i kësaj partie?
-Ka disa, por shpejt do të përcaktohet emri. E rëndësishme është që ky formacion politik do të jetë i majtë. Kjo pasi anëtarësia e këtij formacioni janë shumica me bazë sociale të majtë…
Kush e përbën bazën e antarësisë së këtij formacioni politik?
-Janë mbi 25 mijë ushtarakë në rezervë e familjet e tyre. Janë policët e liruar, punonjësit e SHISH etj… Në këtë formacion politik do të ingranohen dhe të tjerë, intelektualë të njohur, si dhe politikanë aktual… Por ky formacion politik, përveç sa thamë më sipër, ka si objektiv interesat madhore kombëtare… Kanë kaluar më shumë se 20 vjet e Shqipëria vazhdon të jetë vendi i fundit në Evropë si në standartet demokratike, ato të lirisë së fjalën, ekonomike etj… Politikanët gjatë kësaj periudhe janë të njëjtë… Nuk ka hapësira për politikanë e mbi të gjitha për politika të reja bashkëkohore… Kjo lëvizje politike i ka potencialet intelektuale, aftësitë e mundësitë për të kontribuar dukshëm në këtë drejtim…
Ka pengesë ligjore për ish-ushtarakët që të organizohen në formacione politike?
-Asnjë pengesë ligjore nuk ka. Me Statusin e Ushtarakut, me ligj, nuk i lejohet të anëtarësohet në parti politike vetëm ushtarakëve aktiv.
Ka lidhje midis shoqatave të ushtarakëve dhe lëvizjes politike?
-Nuk ka asnjë lidhje. Shoqatat e ushtarakëve janë të depolitizuara dhe anëtarë të saj janë me bindje të ndryshme…
Ndërsa ju jeni kreu i shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë?
-Vazhdoj të jemë… Por kjo bisedë me ju, nuk bëhet në cilësitë e kreyt të shoqatës, por në cilësitë e mia si ushtarak në rezervë…
USHTARAKË NË REZERVË
-Ish-efektivë tw Ministrisë së Mbrojtjes… 20 mijë
-Ish-efektivë të Ministrisë së Brendshme…. 3 mijë
-Ish-punonjës të sistemit të burgjeve……. 2 mijë
-Ish-punonjës të Shërbimit Informativ……. 1 mijë
Gjithsej:……………………………..26 mijë
USHTARAKËT DHE PARTITË
Referuar legjislacionit në fuqi, për ushtarakët e liruar dhe në rezervë, nuk ka asnjë pengesë ligjore për t’u angazhuar në shoqata dhe parti politike. Kjo e drejtë, pra, angazhimi në shoqata e parti politike, me sipas Statusit të Ushtarakut, u mohohet ushtarakëve (policëve) aktiv apo atyre të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. “E drejta e mos pjesëmarrjes apo angazhimit të ushtarakëve në shoqata apo parti politike, është sanksionuar në Statusin e Ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, përkatësisht nga ligji nr 9210, miratuar në vitin 2004. Mbështetur sa më sipër, u ndalohet pjesëmarrja në shoqata e parti politike të gjithë ushtarakëve aktiv, policëve, gardianëve apo shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Njëkohësisht, u ndalohet dhe ushtarakëve rezervistë në kohën e thirrur në stërvitje. U lejohet pjesëmarrja apo anëtarësimi në parti apo shoqata politike të gjithë ushtarakëve në lirim apo në rezervë”-pohojnë juristët për gazetën ‘Dita’.
SOM 1
Përballë diskriminimit të vazhdueshëm moral e politik nga qeveria e drejtuar nga Sali Berisha, një lëvizje politike me bazë ushtarakët, është një nevojë për fitimin e dinjitetit të nëpërkëmbur nga kjo kategori, përfaqësimin e saj në strukturat ligjvënëse e shtetërore, si dhe dhënien e një impulsi ndryshe aspiratave të shtresave të thjeshta të shoqërisë për mirëqenie, siguri e afrimin sa më shpejt me Evropën…”
SOM 2
Së pari, diskriminimi moral i ushtarakëve vazhdon që nga dita e parë e qeverisjes së pushtetit nga PD pas vitit 1990 e vazhdon më egër edhe sot.. Berisha e qeveritarët e tij, vazhdimisht i kanë konsideruar ushtarakët, policët, gardianët si ‘të huaj’.. Kështu, jo vetëm i kanë lënë rrugëve, pa punë e mundësi integrimi, por u kanë mohuar dhe trajtimin ekonomik që u jep ligji e ua ka njohur me vendim përkatës dhe Gjykata Kushtetuese”
SOM 3
“Janë mbi 25 mijë ushtarakë në rezervë e familjet e tyre. Janë policët e liruar, gardianët, punonjësit e SHISH etj… Në këtë formacion politik do të ingranohen dhe të tjerë, intelektualë të njohur, si dhe politikanë aktual… Por ky formacion politik, përveç sa thamë më sipër, ka si objektiv interesat madhore kombëtare… Kjo lëvizje politike i ka potencialet intelektuale, aftësitë e mundësitë për të kontribuar dukshëm në këtë drejtim…”
Me mire vone se kurre.Si ish ushtarak i liruar nga regjimi i Berishes jam plotesisht dakort per nismen tuajper te vene ne vend ne nje fare menyre nderin dhe dinjitetin tone te shkelur.Ju uroj per kete nisme dhe me gjithe deshire te behem edhe une anetar
Po sa kuadro te tjere dhe jo te perkedhelur te sistemit qe ngelen pa pune.moren rruget e kurbetit dhe ju nenshtruan cdo lloj pune per te siguruar jeten.mos mendoni se do riktheni Enverin.jo me parti ne shqiperi.pasojat e atij sistemi dhe mostrat e atij sistemi kemi akoma.
Pershendetje
Kam nje kerkese ne vend te komentir: jame shume i interesuar per te ditur çfardo per zot.Gani Meqollari-ish ushtarak, se paku nje nr. telefoni.
Ju falemnderit