ISHP i rikthehet apelit për vendosjen e maskave mbrojtëse

redaktor

Duke vënë theksin tek fakti se rrezikshmëria e transmetimit të virusit të Covid-19 vjen kryesisht nga njerëzit që nuk e dinë se janë të infektuar (për shkak të mungesës së shenjave të dukshme klinike të infektimit), ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik i janë rikthyer apelit të nevojës së përdorimit të maskave mbrojtëse kur dalim në ambientet publike.

“Virusi që shkakton Covid-19 përhapet kryesisht nga një person tek tjetri para se të shfaqen simptomat e sëmundjes. Kështu, për të zvogëluar përhapjen e virusit vendosni maska në ambiente të populluara, mbani të paktën 1 metër distancë dhe lani shpesh duart. Sigurohuni që të mbuloni mirë me maskë fytyrën nga sipër hundës, e deri poshtë mjekrës”, konfirmojnë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), në lidhje me kujdesin që duhet të tregojmë për shkëputjen sa më të shpejtë të zinxhirit të infektimeve të reja.

Përdorimi i maskës ndihmon për të kufizuar përhapjen e spërklave dhe nëpërmjet tyre të virusit, por duhet të ndiqen edhe me masat e tjera të higjienës respiratore dhe të duarve për të krijuar mbrojtje maksimale ndaj Covid-19. Ekspertët theksojnë se nuk është e nevojshme të mbani disa maska njëra mbi tjetrën (të mbivendosura).

Por që mbajtja e maskave të jetë efikase, duhet të bëhet kujdes me protokollin që duhet të ndiqni që nga momenti i vendosjes, mbajtjes, si dhe heqjes së tyre. Nëse në të tre këto raste nuk ndiqen rregullat e duhura të higjienës, atëherë mbajtja e maskës nuk krijon asnjë siguri mbrojtje kundrejt koronavirusit të ri.

Në këto kushte, përpara se të vendosni maskën, këshillohet që të lani duart tuaja me sapun dhe ujë, ose me një solucion me bazë alkooli. Kujdesuni që gjatë vendosjes së maskës të mbuloni gojën dhe hundën me maskë, duke u siguruar që të përshtatet mirë me fytyrën tuaj dhe të mos ketë hapësira të lira që mund të lejojnë hyrjen e virusit.

Për të shmangur rrezikun e infektimit ju gjithashtu nuk duhet që të prekni maskën me duar gjatë vendosjes së saj, e nëse kjo ndodh duhet që të lani sërish duart.

Po ashtu, duhet të bëni shumë kujdes edhe në rastet kur vëreni se maska gjatë përdorimit ka krijuar lagështirë. Kur maska laget apo zbutet nga lagështira, zëvendësojeni atë me një të re dhe mos e përdorni përsëri, kjo pasi maskat e thjeshta të blera në farmaci në fakt janë maska me një përdorim.

Kur të ktheheni në shtëpi hiqeni maskën duke e kapur atë nga llastiku dhe mos prekni pjesën e përparme të saj. Hidheni menjëherë në një kosh të mbyllur dhe lani duart me sapun.

p.k\Dita

Share This Article
1 Comment
  • Ej, pi sikur maskat nuk duheshin?! Po ça jane keto. Afer menç qe te mbrojne, pa le ca thonin ata te OBE se. Gjithshka sipas nje vije llogjike. Supermarketet mbeten vendet ku infektohesh per shkakte ventilimit. Dikush kollitet aty dhe perhapet kudo si vale goditese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *