Numri i pacientëve të prekur nga HIV-AIDS, fatkeqësisht po pëson rritje nga viti në vit. Zyrtarisht në vendin tonë janë regjistruar 671 pacientë me ndërlikimet e kësaj sëmundje. Ndërkohë që shifra e mbartëse realisht shfaqet shumë herë më e lartë, për shkak të mos kryerjes së testeve diagnostikuese. Ndërmjet të prekurve dhjetëra raste përbëhen edhe nga moshat e vogla, të cilët virusin e kanë marrë nga nëna gjatë lindjes. Sipas Institutit të Shëndetit Publik vetëm në vitin 2013 numërohen 96 raste të reja, prej të cilëve 66 meshkuj dhe 33 femra. Specialistët e ISHP-së bëjnë thirrje për testime të hershme në mënyrë vullnetare, për të ulur numrin e të prekurve dhe po ashtu rritur shanset për kurim. Numri më i madh i rasteve, rreth 48 për qind e tyre janë raportuar në Tiranë. Më pas vjen Durrësi, Elbasani dhe Vlora. “Përhapja e HIV në Shqipëri ndodh si pasojë e transmetimit seksual. Rreth 93 për qind e rasteve me HIV në Shqipëri përhapen nga rrugët seksuale, hetero, bi dhe homoseksuale. Mosha më e prekur është 25-45 vjeç ku janë 62 për qind e rasteve. Nën moton “Mbro Veten dhe të Tjerët” Kryqi i Kuq organizoi një marshim nga piramida deri tek sheshi “Nënë Tereza”, një mënyrë kjo për të sensiblizuar popullsinë për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.
Si ndodh infektimi me HIV-AIDS
Infektimi me virusin HIV ndodh kur lëngjet e një personi të infektuar transmetohen tek një person tjetër nëpërmjet : “Gjakut, spermës, lëngjeve vaginale apo qumështit të gjirit”. Gjithashtu HIV mund të transmetohet me anë të: “Marrëdhënieve seksuale të pambrojtura ose seksit oral me një person të infektuar, transfuzioneve me gjak të infektuar, shkëmbimit të shiringave, ose instrumenteve të tjera të mprehta të kontaminuara. Përhapet edhe nëpërmjet transmetimit nga një nënë e infektuar tek fëmija i saj gjatë shtatzënisë, lindjes dhe ushqyerjes me gji. Virusi HIV nuk transmetohet gjatë bashkëjetesës normale që mund të sjellë përdorimin e përbashkët të : “Dushit, vaskës, ËC, peshqirit, telefonit, mjeteve të transportit publik, pishinës, frekuentimit të shkollës, etj”. Po ashtu nga e puthura (jo e thellë), përqafimi, shtrëngimi i duarve, tështitja, kollitja nuk rezulton të merret infeksioni HIV. Infeksioni nuk transmetohet përmes ujit, ushqimit, ajrit, pickimit të insekteve apo kujdesit të kafshëve.
Çfarë shenjash ka?
Përgjithësisht shenjat e sëmundjes do të varen nga stadi i infeksionit. Por, është e pamundur të llogaritet koha e saktë nga momenti i infektimit me HIV deri në zhvillimin e sëmundjes dhe shfaqjen e shenjave. Kjo kohë është e ndryshme për individë të ndryshëm dhe është në varësi të stilit të jetesës, të mënyrës së të ushqyerit, terapisë dhe mbështetjes sociale e psikologjike. Përgjithësisht kjo periudhë është 2 deri në 15 vjet por ndonjëherë më e shkurtër. Me futjen e terapisë antiretrovirale (ARV) dhe profilaksisë për infeksionet oportuniste, është zgjatur koha e fillimit të sëmundjes dhe mbijetesa e të sëmurëve.
Si vendoset diagnoza e HIV/AIDS?
Infeksioni HIV zakonisht diagnostikohet nëpërmjet testeve të gjakut të cilat tregojnë prezencën ose mungesën e antitrupave përkatës. Në Shqipëri, testimi për infeksionin HIV kryhet falas në të gjitha qendrat e Këshillimit dhe Testimit Vullnetar (QKTV) në Tiranë, Shkodër, Lezhe, Dibër, Durrës, Fier, Lushnje, Fier, Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë, Gjirokastër. Në Tiranë gjithashtu ky testim ofrohet në Institutin e Shëndetit Publik, dhe në QSUT ku ndodhen “Laboratorët e Referencës” që kryejnë konfirmimin e rastit HIV pozitiv. Në vendin tonë vazhdon të mbetet problem diagnostikimi i vonshëm, ku më shumë se 50 për qind e rasteve diagnostikohen në stadin AIDS.
A ka mjekim për HIV/AIDS?
Për momentin nuk ka shërim apo vaksinë për infeksionin HIV. Megjithatë, ekzistojnë trajtime efektive me barna Anti RetroVirale (ARV) që mundësojnë ngadalësimin e përhapjes së virusit si dhe trajtojnë infeksionet oportuniste. Marrja e barnave ARV bën të mundur që një person me HIV të jetojë më gjatë dhe të bëjë një jetë më të shëndetshme dhe produktive. Nëse partneri HIV pozitiv në një çift është duke marrë mjekim me ARV, mundësia e transmetimit seksual tek partneri HIV-negativ ulet në mënyrë dramatike. Kjo terapi zgjat jetën dhe cilësinë e saj, duke e shndërruar AIDS-in në një sëmundje kronike.
Barnat antiretrovirale, një dietë dhe ushqyerje e shëndetshme si dhe strategji të jetuarit në mënyrë pozitive zgjasin dhe përmirësojnë cilësinë e jetës së të sëmurëve.
Si parandalohet infeksioni HIV?
Parandalimi i transmetimin të virusit HIV është mjeti kryesor i luftës kundër përhapjes së kësaj sëmundje. Disa nga masat që duhen marrë për parandalimin e infeksionit përfshijnë: abstenimin ndaj seksit, përdorimi i prezervativit gjatë çdo forme të marrëdhënive seksuale, mos shkëmbimi i ageve, brisqeve apo instrumenteve të tjerë që përdoren për piersing, tatuazhe, mjekimi i sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, bërja e testit për HIV nëse mendohet se ka pasur sjellje risku, etj.

sida eshte nje semundje qe ende nuk ka gjetur kurim keshtuqe ruhuni nga ajo
Si ka mundesi qe njeriu ka eksploruar universe dhe planete te ndryshme, ka evoluar kaq shume, dhe pritet qe ne te ardhmen komunikimi mes njerezve te behet me ane te trurit, dhe ai nuk ka arritur te gjeje nje vaksine apo ilac per eleminimin e semundjes se Sides. Mos ndoshta ky ilac eshte gjendur, por nuk jipet per te mos prishur ekuilibrat e universit tone, sepse duhet qe disa njerez te vdesin per t’i dhene mundesine disa te tjereve qe te jetojne.
Kjo semundje eshte shum e rende