Policia e Durrësit vuri dje në pranga një person të shumëkërkuar, të dyshuar për një seri vjedhjesh me dhunë dhe armë të realizuara në Durrës e Tiranë si dhe të dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg nga Gjykata e Tiranës për të njëjtën vepër. Për shtetasin Arbër Doda, 27 vjeç, lindur në Fletë Pukë dhe banues në Kënetë Durrës, Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale të vjedhjes me armë.
Kjo lidhur me një vjedhje me armë të ndodhur gjatë muajit shkurt në fshatin Shën Vlash, ku një çifti të rinjsh në automjetin e tyre iu janë vjedhur me armë sendet e tyre personale, bizhu floriri, telefona, etj.
Ndërkohë, 27-vjeçari Doda është shpallur në kërkim edhe nga Policia e Tiranës, pasi Gjykata e këtij rrethi e ka dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale të vjedhjes me dhunë.
Arbër Doda dyshohet të jetë përfshirë edhe në kryerjen e disa vjedhjeve të tjera me dhunë e armë në Durrës e Tiranë dhe struktura për hetimin e krimeve të rënda po vijon punën për dokumentimin e plotë të gjithë aktivitetit kriminal të tij.
Kapja e këtij shtetasi u realizua dje në kryeqytet, ku edhe strehohej prej shumë kohësh. Me qëllim shmangien e drejtësisë, Doda kishte kryer modifikim të gjeneraliteteve, si dhe po përgatitej për t’u larguar jashtë territorit të Shqipërisë. Materialet proçeduriale në ngarkim të tij iu përcollën për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.