J ozefina Topalli këtë javë ka dhënë një deklaratë interesante, ka thënë se në kohën e qeverisjes së saj (të tyre), askush nuk guxonte të ngrinte dorë ndaj shtetit.
Sipas saj, kjo gjë tani ndodh pasi ministri Tahiri dhe kryeministri Rama kanë lidhje me krimin. “Askush nuk guxoi të ngrejë dorën kundër qeverisë. Pse? Për faktin e thjeshtë se qeveria nuk ishte në biznes me krimin. Krimi është frikacak, kur ka shtetin armik. Pse tani? Sepse Edi Rama erdhi në pushtet i mbështetur nga krimi.
Sepse Edi Rama e ndau pushtetin me krimin dhe bëjnë biznes bashkë. Sepse Edi Rama është i shantazhueshëm nga krimi. Për këtë ka dhënë prova edhe në parlament. Pse Saimir Tahirin? Sepse krimi nuk ka frikë, kur ndjehet vetë Ministër i Brendshëm dhe Kryeministër. Sepse krimi nuk ka frikë, kur ndjehet vete Shtet. A ka zgjidhje? Po! Zgjedhje të reja! Sa me shpejt!, – shkruan ajo. Por ndjekësit e saj në Facebook s’janë aspak dakord me të. Ja çfarë i shkruan Ana: “Ç’po thua moj Jozi. Seriozisht të dalin nga goja këto gjëra.
Po a nuk ishte koha juaj kur u vra deputeti Xhindi në derën e shtëpisë? Nuk ishte koha juaj kur u vra kreu i PDK-së në zonën tënde, Aleks Keka. Po gjyqtari Konomi nuk u hodh në erë në kohën tënde në mes të ditës në mes të qytetit? Për të mos folur për komisar Lamajn i cili u vra te dera e shtëpisë dhe vrasësi hante dreka me krerët e policisë. Pash nderin mos fol se na hape barkun”. Zonja Topalli mund të ketë të drejtë, sepse asokohe ishte aq e zënë me turizmin parlamentar, saqë nuk dinte ç’bëhej brenda vendit. Tani që po rri ca kohë pa lëvizur, po çuditet…
