Shteti Islamik kërcënon themeluesin e Facebook-ut Mark Zukerberg dhe Administratorin e Twitter-it, Xhek Dorsi. Përmes një videoje shihen mesazhet kërcënuese të grupit terrorist si dhe një poster, ku fytyrat e tyre janë mbuluar nga plumba.
Drejtuesit e dy platformave sociale kanë ndërmarrë një fushatë për t’i ndaluar Shtetit Islamik dhe përkrahësve të tij t’i përdorin rrjetet sociale për propogandë, me qëllimin për të shtuar ndjekësit e tyre.
Videoja e grupit terrorist zgjat 25 minuta dhe titullohet “Flakët e Përkrahësve”, ku ISIS deklaron hakmarrje, madje për çdo adresë të bllokuar do të krijojnë 10 të reja.
Shteti Islamik thotë se kanë mundur të hakerojnë dhe të kenë nën kontroll 10 mijë adresa në Facebook, 150 grupe dhe mbi 5000 të tjera në Twitter. Zëdhënësi i Twitter-it i tha gazetës britanike “The Guardian” se drejtuesit e rrjetit social nuk do të bëjnë asnjë reagim, sepse të tilla kërcënime marrin çdo ditë.
