Kujtojmë vitin e zi 1997. Pas vjedhjes së hapur të votave të vitit 1996 dhe skandalit të skemave piramidale, opozita u mundua të protestojë kinse nën një regjim demokratik, duke organizuar demonstratë. Të gjithë e dinë që nuk u lejua as një lëvizje, madje u përdor dhunë ekstreme në këtë drejtim. Kur një ditë u bë përpjekje për nje demonstratë në Sheshin Skënderbej, makinat e policisë kishin zënë të gjitha rrugët që të çonin atje. Ndërkaq mblidhnin rrugëve njerëzit e dyshimtë dhe i çonin në drejtorinë e sotme të policisë, i mbyllnin në një sallë atje. Këtë pësuan edhe ca ish të përndjekur politikë mes të cilëve u ndodha dhe unë. Herë pas here hapej dera e sallës ku ishin grumbulluar afro njëqind veta, e sillnin edhe të tjerë. Njeri ama m’u duk i veçantë kur e futën aty me të shtyra, siç ndodhte kur na fusnin nëpër birucat e burgjeve, në kohë të diktaturës. I porsaardhuri ish i katandisur në atë gjendje sa më kujtoi Koazimodonë në filmin “Shën Maria e Parisit”; kokë e këmbë kullonte gjak; rrobat gjithashtu copë-copë të baltosura. Pyetjes “kush të ka bërë kështu?” iu përgjigj shkurt: – policia!”. Po emri? Kastriot Islami (atëherë në kryesinë e PS-së). Ia qava hallin sinqerisht por qeshë naiv. Një tjetër rast: Në vitin 1997, kur dështoi Berisha, Neritan Ceka, duke qënë në koalicion me PS-në, zuri postin e Ministrit të brendshëm. Një ditë prej ditësh, në verandën e kafenesë te ish Lidhja e Shkrimtarëve (sot. Min. e Kulturës), zotëria e tij po rrinte në një tavolinë me ca miq. Aty iu afrua një “trim” dhe i këputi një grusht turinjve; ky u la në gjak. Natyrisht ne që e pamë u indinjuam; shpejt u muar vesh që agresori kish qenë një nga “fansat” e Berishës. Një rast tjetër akoma: Të gjithë e njohin Arben Imamin. Në ’97-tën ai ish kundër PD-së. Gjatë zhvillimeve të turbullta të asaj periudhe, u zhduk nga skena dhe dikur seç iu dëgjua “krisma” në Greqi. “U bë gjeneral” atje!” – buçiste makina propagantistike e PD-së. Por kur doli në skenë u pa në koalicionin fitimtar të Nanos. Nuk shkoi shumë kohë dhe gjatë punimeve të Parlamentit, duke u grindur me të, Edi Paloka e goditi me grusht e i theu dhëmbët e parë. Ky, ndonëse ish më i madh me trup se agresori, nuk iu kundërvu; nuk di nga kush, viktima u lavdërua për mirësjellje. Skandali u harrua shpejt.
Sigurisht që ka disa raste të tjera, por ne këtu muarëm me tipiket e kështu, shpesh herë pyes veten: Si është e mundur?! Kështu shkuan “delet” politike pas ujkut të pushtetit kur ai ua nguli dhëmbët; por kësaj radhe edhe në qoftë se nuk arriti t’i gëlltisë tërësisht, ata mbetën te ngordhura. E tani, a do të gjendet vallë ndonjë hijenë për të?
Letër e nënshkruar
Islam Spahiu

Bravo i nderuari Islam Spahiu.Nuk te njoh personalisht ,por, shkrimin ta lexova me vemendje.Ke shkruar shkurt,por me kuptim te plot. Te gjitha jane te verteta.Ata qe permendeni ne shkrim dhe te tjere ,kane qene dhe jane sahanlepiresa,pa vclere.
eshte si ajo historia -Qenit kush i jep buke ate lepin