ISSH: Aplikimet për pension nga 1 maji do jenë vetëm online

J L

Të gjitha shërbimet në lidhje me aplikimet për pension, vërtetimet për pagesat e kontributeve, verifikimi i masave të patërhequra të pensioneve, mbledhja e viteve të punës, etj, që përfshin skema e sigurimeve shoqërore do të ofrohen online duke nisur nga muaji i ardhshëm. Me ndryshimet e bëra, qytetarët nuk do të drejtohen më pranë sporteleve të agjencive apo drejtorive rajonale të sigurimeve për të zhvilluar procedurat për këto shërbime.

Autoritetet zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore sqarojnë se marrja e këtyre shërbimeve online do të nisë që nga muaji maj. Ndërkohë që në rastet kur do të nevojitet dorëzimi i dokumenteve shtesë për procedura të caktuara, qytetarët do të veprojnë me postimin e tyre nëpërmjet zyrave të Postës Shqiptare.

“Duke filluar nga data 1 maj 2022, sportelet e pritjes pranë drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore, degëve të sigurimeve Shoqërore dhe agjencive lokale të sigurimeve shoqërore do të funksionojnë vetëm online. Qytetarët janë të lutur që të gjitha aplikimet t’i bëjnë nëpërmjet platformës “e-albania”, dhe në rastet kur aplikimet kanë dokumente shoqëruese, ato do të dërgohen nëpërmjet Postës Shqiptare pranë drejtorive rajonale në të cilat është bërë aplikimi për përfitimin përkatës. Gjatë ditëve në vijim ISSH, do të shpjegojë hap pas hapi mënyrën e aplikimit për të gjitha shërbimet që ky institucion ofron nëpërmjet platformës “e-Albania”, sqarojnë burimet zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara të gjithë listën e shërbimeve që do të sigurohen online nëpërmjet portalit qeveritar, duke specifikuar vërtetimet me vulë elektronike, të cilat do të merren që në momentin e aplikimit, skedën e plotë informuese sipas aplikimit që duhet të bëjë qytetari, si dhe aplikimet që duhet të bëhen për përfitimin e tyre.

Aplikimi për pensionin e plotë të pleqërisë

Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror dhe që janë në prag të moshës së përcaktuar për të dalë në pension mund të plotësojnë online kërkesën paraprake për përfitimin e pensionit të pleqërisë. Kjo me qëllim që verifikimet e kushteve të përfitimit nga strukturat e sigurimeve shoqërore të kryhen në kohë pa rrezikuar asnjë ditë vonesë në marrjen e pagesës mujore që ju takon sipas ligjit. Ekspertët e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se plotësimi i kërkesës paraprake nuk është i detyrueshëm dhe nuk ju shmang nga plotësimi i kërkesës për përfitim pensioni pleqërie, por rekomandohet të plotësohet në mënyrë që aplikuesi të mos rrezikojë zgjatjen në kohë të marrjes së pensionit në momentin që i lind e drejta e përfitimit. Kjo pasi koha nga dorëzimi i kërkesës deri në momentin e lindjes të së drejtës, është e nevojshme që specialistët e sigurimeve të mund të verifikojnë në kohë dokumentacionin e dorëzuar nga aplikuesi. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për sigurimet shoqërore, çdo person i interesuar duke nisur nga 1 deri në 12 muaj para se t’i lindë e drejta për përfitim, mund të paraqesë kërkesën paraprake të daljes në pension. Plotësimin e kësaj kërkese tashmë mund ta bëni lehtësisht brenda pak minutave online nëpërmjet portalit “e-albania”.

Për të nisur plotësimin e kërkesës paraprake për pension pleqërie, fillimisht duhet që të identifikoheni si qytetar në portalin “e-Albania” në adresën www.e-albania.al. Në faqen që do të hapet në vijim duhet të zgjidhni shërbimin e etiketuar si: “Kërkesë paraprake për përfitim pensioni pleqërie” dhe të klikoni në butonin “Përdor” për të vijuar me plotësimin e formularit përkatës. Duhet të bëni kujdes që gjatë plotësimit të formularit të vendosni të dhënat e sakta. Formulari është i ndarë në tre pjesë. Fillimisht ju duhet të zgjidhni drejtorinë dhe agjencinë lokale ku do të aplikoni për të dalë në pension. Numri dhe data e regjistrimit plotësohen automatikisht nga sistemi. Pjesa e parë e formularit përmban të dhënat rreth gjeneraliteteve tuaja. Edhe në këtë rast, numri juaj i sigurimit plotësohet paraprakisht në momentin, që ju hyni në portal me kredencialet tuaja. Duke klikuar në butonin “Merr detaje nga regjistri”, në vijim, automatikisht plotësohen edhe fushat e tjera me të dhënat tuaja nga gjendja civile. Ndërkohë që fushat që ngelen bosh, jeni të detyruar t’i plotësoni manualisht. Në pjesën e dytë të formularit duhet të zgjidhni arsyet dhe llojin e përfitimit që mendoni se ju takon në bazë të kushteve që plotësoni (vjetërsia e punës dhe mosha). Aplikimi online për kërkesën paraprake të pensionit është i vlefshëm vetëm në rastet kur aplikohet për pensionin e pleqërisë. Më tej, në pjesën e tretë duhet të deklaroni periudhën tuaj të sigurimit dhe zgjidhni dokumentet që keni për të dorëzuar. Gjatë plotësimit të formularit online duhet që të ngarkoni edhe dosjen e dokumenteve, ku duhet të përfshini: Dokument identifikimi Kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portal), fotokopje të kartës së identitetit ose certifikatë lindjeje personale, certifikatë familjare, certifikatë martese (për mbiemrin para martese për kërkueset femra), fotokopjen e librezës së punës, diplomën e shkollës së lartë (për femrat). Pas përfundimit të aplikimit online në vijim ju duhet që të përgatisni dosjen me dokumentet origjinale që ta dërgoni me postë pranë drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore përkatëse ku keni aplikuar për pensionin.

Lidhur me kushtet e përfitimit, personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar në nenin 92, ligjit për sigurimet shoqërore. Ndërsa nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim. Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension kur kanë plotësuar vitet e sigurimit dhe nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Duhet të dini që pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë, të këtij neni, është 0,6 për qind në muaj

Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas nenit 59, të ligjit për sigurimet shoqërore. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social. Po ashtu çdo person i siguruar që ka plotësuar kushtet për pension pleqërie merr shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute. Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes.

 

Vërtetime me vulë elektronike, të cilat merren në momentin e aplikimit:

  • Vërtetim i pagesës së kontributeve të të vetëpunësuarve në bujqësi.
  • Vërtetim i pagesës së kontributeve vullnetare.
  • Vërtetim pensioni.
  • Vërtetim për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore (pas datës 01.01.2012).

 

 Skeda informuese, sipas aplikimit të qytetarit:

  • Kontributet për sigurimet shoqërore të të vetëpunësuarve në bujqësi dhe vullnetare.
  • Masat e patërhequra të pensionit familjar.
  • Masat e patërhequra të pensionit shtetëror suplementar, të personave me funksione kushtetuese.
  • Masat e patërhequra të pensionit shtetëror suplementar, të personave me titull shkencor.
  • Masat e patërhequra të pensionit të invaliditetit (KMCAP).
  • Masat e patërhequra të pensionit të KMCAP-it.
  • Masat e patërhequra të pensionit të pleqërisë.
  • Masat e patërhequra të pensionit të vdekjes.
  • Masat e patërhequra të shpërblimit financiar nga statusi “Dëshmor i Atdheut”.
  • Masat e patërhequra të trajtimit të veçantë financiar për efektivët lundrues në pension.
  • Masat e patërhequra të trajtimit të veçantë financiar të pilotëve fluturues në pension.
  • Pension shtetëror suplementar i personave me funksione kushtetuese.
  • Pensionet e patërhequra.
  • Pensioni familjar.
  • Pensioni i invaliditetit (KMCAP).
  • Pensioni i pleqërisë.
  • Pensioni i pleqërisë (kartela e pleqërisë).
  • Pensioni im.
  • Pensioni shtetëror suplementar i personave me titull shkencor.
  • Publikimi i të dhënave të pensionit të vdekjes.
  • Rikomisionim në KMCAP.
  • Shpërblim financiar nga statusi “Dëshmor i Atdheut”.
  • Trajtim i veçantë financiar i efektivëve lundrues në pension.
  • Trajtim i veçantë financiar i pilotëve fluturues në pension.

 

Aplikime:

  • Kërkesë paraprake për përfitim pensioni pleqërie.
  • Aplikim për pension pleqërie, suplementar pilot, suplementar lundrues i nëndetëseve apo suplementar për akademik.
  • Aplikim për pension familjar.
  • Kërkesë për rishqyrtim përfitimi (pensioni).
  • Kërkesë për transferim dosjeje përfitimi (pensioni).
  • Deklaratë për konfirmimin e kreditimit të llogarisë dhe rregullshmërinë e pagesave në bankat e nivelit të dytë.
  • Aplikim për mbyllje pensioni.
  • Kërkesë për pension shtetëror suplementar i personave me titull shkencor.
  • Kërkesë për pension shtetëror suplementar për personat me funksione kushtetuese.
  • Kërkesë për pension të parakohshëm ushtarak sipas Ligjit 10142.
  • Kërkesë për trajtim të veçantë financiar për efektivët lundrues në pension.
  • Kërkesë për trajtim të veçantë financiar për pilotët fluturues në pension.
  • Aplikim për shpërblim financiar nga statusi “Dëshmor i Atdheut”.
  • Kërkesë për shpërblim lindje për personat e punësuar.
  • Kërkesë për shpërblim lindje për personat e vetëpunësuar.
  • Të ardhura për paaftësi të përkohshme nga aksidenti në punë dhe sëmundje profesionale.
  • Të ardhura për paaftësi të përkohshme nga sëmundje të përgjithshme.
  • Të ardhurat për kompensim për sëmundje kur ndryshon vendi i punës.
  • Të ardhura për paaftësi të përhershme në masë të vogël nga aksidente në punë dhe sëmundje profesionale.
  • Aplikim për pension invaliditeti (KMCAP).
  • Aplikim për rivlerësimin e masës së pensionit të invaliditetit (KMCAP).
  • Ankimi në Komisionin Epror të Caktimit të Aftësisë për Punë.
  • Ankimi në Komisionin Rajonal të Ankimimit.
  • Ankimi në Komisionin Qendror të Ankimimit.
  • Vërtetim i pagesës së kontributeve të të vetëpunësuarve në bujqësi ose sigurim vullnetar (1993-2013), me firmë elektronike.
  • Vërtetim për periudha pune në ish – kooperativat bujqësore (KB), me firmë elektronike.
  • Vërtetim për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore nga 01.01.1994 deri 31.12.2011, me firmë elektronike.
  • Vërtetim për periudha pune në ndërmarrje shtetërore (para datës 01.01.1994), me firmë elektronike.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *