Pranvera Kola
Pavarësisht thirrjes së bërë dy ditë më parë, shumë pensionistë janë dyndur nëpër sportelet e postave dhe strukturave të tjera të sigurimeve shoqërore për të bërë jo vetëm tërheqjen e pensionit, por edhe aplikimet për shërbime të tjera të nevojshme, duke shtuar kështu rrezikun për shëndetin e tyre nga përhapja e koronavirusit. Përballë kësaj situate, autoritetet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore kanë konfirmuar gjatë ditës së djeshme se nuk do të ketë më shërbime në sportelet përkatëse dhe se gjithçka do të bëhet nëpërmjet rrjetit onbline. Ndërkohë që pensioni do të shpërndahet nga punonjësit e postës në shtëpi për të gjithë përfituesit e skemës. Autoritetet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore kanë detajuar edhe procedurën konkrete se si do të veprohet për ofrimin e shërbimeve nga ky institucion përgjatë ditëve në vijim.
“Njoftohen të gjithë qytetarët, se në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave për përballimin e situatës së krijuar nga Covid-19, aplikimet për shërbimet që ofron ISSH-ja do të jenë vetëm online. Në zyrat e pritjes pranë agjencive tona nuk do të ofrohet shërbim në sportele, për të shmangur kontaktet fizike. Në çdo agjenci janë afishuar numrat e telefonave të punonjësve për të asistuar këdo që kërkon ndihmë për aplikim apo shërbim. Dokumentet origjinale duhet të dorëzohen përmes Postës shqiptare, në adresë të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku aplikohet për shërbim”, thuhet në njoftimin e bërë publik nga ekspertët e këtij institucioni.
Ndarja e pensioneve
Ekspertët u kanë bërë qytetarëve që për të aplikuar për shërbim nga ISSH të mos paraqiten në sportelet e agjencive të këtij institucioni, por të aplikojnë online për shërbimet që kanë nevojë. Për pensionistët është konfirmuar dy ditë më parë se sipas një plani të përcaktuar punonjësit e postës do të bëjnë të mundur dërgimin e pagesave në shtëpitë e secilit përfitues të kësaj skeme.
Ndarja e pensioneve do të vijojë sipas grafikut të datave që aplikohen tashmë nga sportelet e postës. Gjithashtu bëhet e ditur se personat që tërheqin në bankë pensionin dhe që duhet të bënin deklaratat pranë bankave për vazhdimin e pagesës do ta përfitojnë pagesën, ndërkohë që deklarimi do t’iu shtyhet.
Si do aplikohet për pagesat e barrëlindjes!
Në çdo rast aplikimet për pagesat e barrëlindjes do të bëhen online dhe raportet e barrëlindjes, si dhe raportet mjekësore për paaftësi të përkohshme do të skanohen dhe do të ngarkohen po në portalin qeveritar e-albania. Pagesat për barrëlindje do të paguhen normalisht nëse aplikimi është bërë online dhe kanë bashkangjitur kopje të skanuara të raportit mjekësor, pavarësisht mungesës së raportit origjinal. Raportet origjinale duhet të dërgohen me postë në adresë të DRSSH.
Pagesat e aftësisë së kufizuar
Ndarja e pagesave të aftësisë së kufizuar do të vijojë sipas të njëjtës skemë. Personat që janë invalidë dhe kanë datën e rikomisionimit do t’iu shtyhet rikomisionimi për më vonë, ndërkohë që pagesa do të vijojë për ta edhe për këtë muaj.
