Roja Bregdetare italiane ka informuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shënuar një rekord operacionesh shpëtimi emigrantësh në ujërat e Mesdheut.
“Mbi 5 mijë emigrantë priten të mbërrijnë gjatë orëve të ardhshme në brigjet italiane të Siçilisë, pas rreth 43 operacione shpëtimi të ekzekutuara në këto 24 orë” informon Roja bregdetare italiane.
Operacionet e shpëtimit janë kryer në bashkëpunim me flotën e operacionit europian Frontex.
Sipas rojes bregdetare italiane ky rekord zbarkimesh është një strategji e njohur e trafikantëve dhe skafistëve që përfitojnë nga moti i mirë e kushtet e përshtatshme klimatike të orëve të fundit.
Gjatë këtyre operacioneve është rekuperuar dhe trupi i pajetë një gruaje në bordin e një gomone.
Roja breegdetare italiane ka informuar gjithashtu se është në gatishmëri të plotë aparati i pritjes dhe i identifikimit të emigrantëve si dhe janë përcaktuar pikat e shpërndarjes së tyre në territor.
