Një shpërthim i fuqishëm shkatërroi një fabrikë fishekzjarresh në Bari. Nga shpërthimi, 7 persona humbën jetën dhe 10 të tjerë u plagosën.
Shpërthimi, që shkaktoi një shtëllungë gjigande tymi dhe flakë në zonën përreth, ndodhi rreth orës 12.30 në fabrikën, që ndodhet pranë qytezës së Modunjos. Aty po bëheshin përgatitjet për spektaklin piroteknik për festën e shenjtorit të qytetit.
Autoritetet thanë se mes të plagosurve 2 janë në gjendje të rëndë, të karbonizuar në pjesën më të madhe të trupit. Dëshmitarët tregojnë se shpërthimi ishte aq i fuqishëm, sa shkaktoi edhe tronditje në xhamat e ndërtesave të qytezës së Modunjos.
Ekipet zjarrëfikse bënë edhe evakuimin e dhjetëra fëmijëve të moshave nga 5 deri 13 vjeç, të cilët ndodheshin në një kompleks sportiv fare pranë fabrikës. Dëme të konsiderueshme u shkaktuan edhe aty, por fatmirësisht fëmijët nuk pësuan lëndime.
Shkaqet e shpërthimit janë ende të paqarta. Hetuesit thonë se shkak i shpërthimit mendohet të ketë qenë një zjarr i rënë në një furgon, që ndodhej në fabrikë. Ekipet zjarrfikse po punojnë për shuarjen e flakëve, që sipas tyre do të duan 24 orë për t’u shuar.