E kush nuk do të dëshironte që të kalonte mbrëmjen e Vitit të Ri pranë familjes së tij?!
E më shumë se gjithë të tjerët këtë duket se e kanë vërtetuar policët italianë.
83% e policëve të Romës kanë raportuar se ishin sëmurë natën e ndërrimit të viteve.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të kuptuar nëse mungesa masive e oficerëve në një prej netëve më të rëndësishme të vitit mund të ketë qenë një grevë jozyrtare.
Edhe kryeministri Mateo Renci reagoi përmes Tëitter-it duke thënë se shumë shpejt do të ndryshonin ligjet e punës në vend.
“Po marr vesh që 83% e policëve rrugorë në Romë nuk po punojnë më 31 dhjetor sepse janë “sëmurë”. Ja pse në 2015-ën do t’i ndryshojmë ligjet për administratën publike”, shkruajti ai në rrjetin social.
Policia dhe qeveria kanë pasur prej disa muajsh tashmë debate për ndryshimin e rrogave dhe kushteve të punës.
Nënkryetari i Bashkisë së Romës, Luixhi Nieri, shprehu zhgënjimin e tij për veprimin e policëve. “Në rrugët e Romës ishin rreth 600 000 vetë që po festonin ndërrimin e viteve. Kjo është e papranueshme”, tha ai.
