Policia italiane ka zhvilluar në orët e para të mëngjesit në rajonin e Lombardisë, superoperacionin antidrogë i koduar “Dexter”, i cili ka cuar në arrestimin e 31 personave, 10 prej të cilëve nënshtetas shqiptarë, anëtarë të një organizate kriminale aktive në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Hetimet e këtij operacioni kanë nisur në vitin 2014 e janë shtrirë në provincat e qyteteve Milano, Bergamo, Bresha, Komo, Monza e Brianza, Sirakusa e Varese.
Ndaj 29 personave është ekzekutuar urdhëri i arrestimit me burg; 19 prej tyre janë nënshtetas italianë mes të cilëve dhe dy femra e 10 janë nënshtetas shqiptarë.
Ndaj 2 anëtarëve të tjerë të kësaj bande është lëshuar urdhëri i arrestit shtëpiak.
Kjo organizatë kriminale trafikonte lëndë narkotike nga Vendet e Ulëta drejt provincës së Milanos, Monzës, Bianzës e Sirakuzës.
Ky operacion ka çuar në sekuestrimin e 10 kg kokainë, 15 kg hashash, 680 gramë marijuanë një pistoletë pa leje.
Ndaj 5 personave anëtarë të kësaj bande është vendosur urdhërarresti në kërkim europian, ndërsa ndaj 4 të tjerëve urdhëri i arrestimit në kërkim ndërkombëtar.
Sot në mesditë pritet një konferencë për median në lidhje me këtë operacion.
Kjo organizatë kriminale për trafikimin e lëndës narkotike nga Vendet e Ulëta drejt Italisë, shfrytëzonte autotrasportatorët që pranonin të bashkëpunonin me ta.
