Orial Kolaj, kampioni i boksit në peshën e mesme në Itali, është arrestuar dje nga policia italiane, bashkë me 14 persona të tjerë. Boksieri bënte pjesë në një grup gjobëvënësish, duke qenë “krahu i armatosur” i tyre për “të pabindurit”. Grupi kriminal, i njohur si kazalezezët (casalesi) ushtronte kontroll mbi makinat e lojërave të fatit të vendosura në lokale të ndryshme dhe salla lojërash, duke pasur monopolin e instalimit të tyre. 29-vjeçari Kolaj, i lindur në Lezhë dhe me nënshtetësi italiane, së bashku me një grup të tjerë shqiptarësh, njiheshin me pseudonimin “boksierët” dhe thirreshin në ndihmë kur dikush nuk pranonte t’i bindej bandës. Agjencia ANSA ka bërë të ditur se pas arrestimit, grupit i janë bllokuar objekte që kapin vlerën e 30 milionëve eurove.





