Policia italiane e Barit ka arrestuar një shtetas shqiptar të kërkuar për vrasje të katërfishtë dhe që ndodhej në arrati. Mediat italiane raportojnë se në pranga është vënë shqiptari 40-vjecar, Gezim Kasemi, lindur në Berat.
Sipas policisë italiane, shqiptari kishte vrarë 4 persona në Berat në 25.2.1998 dhe pasi kishte vuajtur një pjesë të dënimit, është arratisur nga vendi dhe u fsheh në Itali.
Personi në fjalë ka qenë i dënuar për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje 19 vjet më pare. Ai dhe një bashkëpunëtor hynë me forcë në një lokal të Beratit dhe vranë 4 persona, ndërkohë që nga të shtënat mbetën të plagosur edhe dy të tjerë.
Pasi qëlluan me breshëri, të dy ata ishin arratisur, por ishin gjurmuar dhe arrestuar nga policia shqiptare.
Vite më vonë, me një vendim të Gjykatës së Tiranës në vitin 2015, pasi kishte shlyer pjesën dërrmuese të dënimit, Kasemi ishte lënë i lirë me detyrim paraqitjeje, por ishte arratisur.
Që nga ajo kohë ai ishte një person në kërkim dhe tashmë pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë.
