Ligjvënësit italianë kanë zhvilluar tri raunde votimi për të zgjedhur presidentin e vendit, pa arritur ‘kuorumin’ e domosdoshëm që një nga kandidatët që i janë shtuar orët e fundit të shndërrohet në banorin e ri të Kuirinales për të zëvendësuar Giorgio Napolitanon.
Partia Demokratike në qeveri dhe disa prej aleatëve të saj ranë dakord të enjten për të mbështetur Sergio Mattarellan, një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, 73 vjeç, i cili identifikohet si politikan i qendrës së majtë. Megjithatë, kryeministri Matteo Renzi, nuk mori votat e mjaftueshme për të imponuar kandidatin e tij para të shtunës, kur pragu i fitores bie nga dy të tretat në shumicën e thjeshtë, 505 nga 1009 deputetë dhe funksionarë rajonalë me të drejtë vote.
Tre raundet e para janë karakterizuar nga numri i madh i abstenimeve. Ish-kryeministri Silvio Berlusconi, i cili ka thënë disa javë më parë se ai nuk do donte një president të ri të qendrës së majtë është ndjerë i “tradhtuar” dhe sipas gazetës “La Repubblica”, partia e tij (Forza Italia) nuk do të marrë pjesë në votimin e sotëm. Sipas mediave vendase liderët e Forca Italia dhe Qendra e Re e Djathtë, do të takohen për të rënë dakord se si do të veprojnë gjatë atij që duket se do të jetë votimi përfundimtar i ditës së sotme.
Në rrezik është jo vetëm zgjedhja e kreut të shtetit italian, por edhe stabiliteti politik i vendit. Rezultat i sotëm do të demonstrojë aftësitë si lidership për Renzin që mori detyrën e kryeministrit më pak se një vit më parë. Dështimi për të emëruar një president të ri do ta çojë vendin në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme.
Megjithatë sipas disa llogaritjeve Mattarella do të zgjidhet presidenti sot në raundin e katër të votimeve, pasi do të kalojë shumicën absolute prej 505 votash. “Mattarella, vëllai i të cilit është vrarë nga mafia siçiliane në vitin 1980, mund të jetë “i aftë t’i garantojë Italisë 7 vjet udhëheqje të shquar”, -tha Renzi.
Ai ka qenë pesë herë ministër dhe, kur drejtonte dikasterin e Mbrojtjes, ka arritur atë që shumë përpara tij nuk e kishin bërë dot: heqjen e detyrueshme të shërbimit ushtarak. Në vitin 1990, Mattarella dha dorëheqjen si ministër i arsimit, në shenjë proteste ndaj një dekreti qeveritar që favorizonte perandorinë mediatike të Berlusconit.
