“E vrava se ajo më tradhtonte kur unë shkoja për në punë”. Kështu është shprehur shqiptari emigrant Ardian Balliu, 44 vjeç, menjëherë pas arrestimit nga karabinierët e Xhenovës. Krimi në familje ndodhi dy ditë më parë në dhomën e gjumit, kur i dyshuari i ka ngulur 7 herë thikën bashkëshortes Valmira, 30 vjeçe, nënë e dy fëmijëve të mitur, të cilët në ato momente po flinin në dhomën ngjitur. Policia italiane njoftoi se shkak i ngjarjes është xhelozia e 44-vjeçarit, kurse fëmijët 3 dhe 4 vjeç u gjetën të traumatizuar nga skena. Viktima sipas ekspertëve kishte humbur jetën nga një goditje me thikë që i kishte prekur zemrën. Kurse gjatë momentit të arrestimit të Balliut, ky i fundit u ka thënë policëve të mos harronin biskotat dhe biberonin për t’i ushqyer dy fëmijët e tij që ishin në gjumë.
Krimi makabër ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, në banesën e çiftit Balliu, në Xhenova. Bashkëshortët kishin 14 vite diferencë dhe jashtë mureve të shtëpisë, sipas fqinjëve, dukej se kishin një jetë familjare normale. Por natën e ngjarjes, në dhomën e gjumit ka nisur edhe sherri për xhelozi, pasi Ardian Balliu, dyshonte se Valmira e tradhtonte kur ai shkonte në punë. Po kështu çifti mund të ketë debatuar edhe për shkaqe ekonomike.
Mediat italiane shkruajnë se 44-vjeçari kishte përdorur 2 thika për të kryer krimin. Kur thika e parë ishte thyer, kishte marrë të dytën për t’i dhënë fund jetës. Njëra prej goditjeve i ka prekur zemrën. Në dhomën ngjitur me ta flinin dy fëmijët e mitur, të cilët nuk kanë ndjerë asgjë. Më pas i ka telefonuar policisë: “Hajdeni në shtëpinë time”. Në gjendje shoku dhe i dehur i ka shoqëruar në dhomën ku kishte kryer krimin, duke i kërkuar “të mos zgjojnë fëmijët”. “Mos harroni biberonat dhe biskotat”, u ka thënë ai.
Policia italiane ka gjetur gruan të mbuluar me gjak dhe një thikë pranë zemrës. “E qëllova pas një sherri”, kishte sqaruar Ardiani, duke pyetur më tej: “A ka vdekur?” dhe më pas duke lënë dhe porositë për fëmijët e tij. Dy fëmijët ndodhen në gjendje shoku për mungesën e prindërve, ndërsa aktualisht i janë besuar të afërmve të çiftit në Torino. Gjatë kohës që është marrë në pyetje mësohet se u ka thënë hetuesve se kishte frikë se mos dhe bashkëshortja e dytë do ia merrte fëmijët.
“Kisha frikë se më linte dhe më merrte me vete fëmijët”, ka justifikuar vrasjen e bashkëshortes së tij teksa policia e shoqëronte për në qeli, shkruan “TG Com”. Por në fillim u ka deklaruar edhe xhelozinë dhe dyshimet për tradhti bashkëshortore. “Më tradhtonte kur unë shkoja në punë dhe nuk mund të duroja dot më”, u shpreh 44-vjeçari. Kjo ishte martesa e dytë për Balliun, ndërsa nga martesa e parë kishte dhe një vajzë të cilën i ishte ndaluar ta takonte për shkak të precedentëve penalë, pasi kishte qenë i dënuar për drogë dhe kërcënime.
