Monti jep dorëheqjen, por të majtët mendojnë se rikthimi i Berluskonit është një absurditet. Madje kryetari i Bashkisë së Firences, Renci, i kërkoi ish-kryeministrit të mos bëhej qesharak me pretendime të tilla
Vendimi i kryeministrit italian Mario Monti për të dhënë dorëheqjen, erdhi pasi partia e Silvio Berluskonit tërhoqi mbështetjen e saj për qeverinë e tij. Bersani dhe Renci, dy figurat kryesore të qendrës së majtë, shprehen në lidhje me dorëheqjen e Montit dhe mbi zgjedhjet e përgjithshme që mund të mbahen në shkurt
Njoftimi i beftë shkaktoi reagime të shumta te drejtuesit e politikës italiane, si dhe mes liderëve kryesorë të Bashkimit Evrorian. Pier Luixhi Bersani, kryetari i sapozgjedhur i qendrës së majtë, kur iu pyet se çfarë mendonte për një angazhim të mundshëm të Montit në zgjedhjet e ardhshme, tha: “Mario Monti është ende i dobishëm për vendin, e për këtë arsye do të ishte mirë që të qëndronte jashtë debateve”. Ndërsa për hipotezën e datës së mundshme të votimit, shtoi se ka shumë mundësi që në muajin shkurt që të mbahen zgjedhjet. “Secili zgjedh atë që beson se është më e mira dhe bën vlerësimet e veta në qetësi. Nuk kam vullnetin dhe as dëshirën që të ndikoj mbi zgjedhjet personale të Montit”, nxitoi të thoshte Bersani.
Do të ketë votime në shkurt?
Mundësia që të votohet së shpejti ekziston dhe ‘teorikisht’ zgjedhjet mund të zhvillohen në shkurt. Sipas liderit të Partisë Demokratike, data e zgjedhjeve mund të mos jetë 24 shkurti, siç ishte paramenduar. “Teorikisht, në muajin shkurt janë të mundshme disa data, po në planin praktik do të vendosë presidenti për datën e saktë. Ne kemi marrë një kërkesë formale nga ana e kryeministrit, por do t’ia dalim vetëm nëse arrijmë të mbyllim ligjin mbi stabilitetin financiar para festave të fundvitit”, tha Bersani.
Pastaj janë edhe kohët teknike, sepse do të bëhet shkrirja e dhomave parlamentare dhe dorëheqja e Montit. “Vetëm atëherë do të mund të fiksohet data e zgjedhjeve”, shtoi Bersani.
Shqetësuese është stuhia financiare
Pier Luixhi Bersani nuk i fsheh frikërat e tij pas shpalljes së dorëheqjes së Mario Montit për mungesën e stabilitetit politik që reflektohet në tregje. “Jam i shqetësuar për stuhinë financiare që mund të vijë, por të paktën, të përpiqemi të japim mesazhin që qeveria është atje, ligji i stabilitetit do të vendoset dhe qendra e majtë gjithmonë ka garantuar llogaritë publike dhe ka çuar përpara një politikë thellësisht evropiane”, thotë Bersani.
“Pas zgjedhjeve të qendrës së majtë me Rencin do të luftojmë të bashkuar”, shprehet kryetari i Partisë Demokratike. Propozimet që Berluskoni i ka drejtuar Rencit, ky i fundit i ka refuzuar: “Janë gjëra që nuk bëhen. E ftoj Berluskonin të mos vazhdojë të bëjë figurë qesharake, edhe pse kohët e fundit e ka bërë rrugë me shfaqje të tilla. Zgjedhjet që sapo u zhvilluan ishin një trajektore që sollën një frymë të re dhe një mënyrë ndryshe të të kuptuarit të politikës. Ndërsa e djathta që na çoi në buzë të greminës, na prezantohet njësoj si më parë, pa shfaqur asnjë reflektim mbi dështimin e qeverisjes së saj, por gjithmonë duke ndjekur parimin e rikthimit të përjetshëm”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Firences, Renci.
Ish-kryeministri italian, Silvio Berluskoni po konsideron rikthimin e tij në politikë dhe një pjesë e mirë e eksponentëve politikë e konsiderojnë kthimin e tij si një rrezik për vendin. Martin Shultz, presidenti i Parlamentit Evropian, një prej zërave kundërshtues të Silvio Berluskonit, pas dorëheqjes së Mario Montit nga posti i kryeministrit, shprehet: “Silvio Berluskoni ka qenë Kryeministër i Italisë për një kohë të gjatë dhe rezultati i kësaj është i njohur. Qeveria e tij ka qenë një prej shkaktareve të krizës që Italia dhe Evropa po përballen sot”.
Somario: Sipas analistëve, zgjedhjet në Itali, që më parë ishin caktuar në prill, e që mund të mbahen në shkurt, mund të prodhojnë një parlament të fragmentarizuar me një koalicion të brishtë e të paaftë që të zbatojë reformat e nevojshme.