Itali, referendumi për reformën kushtetuese alarmon Europën

Ornela
FIRENZE, 12/11/2011 EVENTO "TED X FIRENZE: INNOVAZIONE E OTTIMISMO", IDEATA DALL'ORGANIZZAZIONE NO-PROFIT AMERICANA TED. - NELLA FOTO: IL SINDACO DI FIRENZE MATTEO RENZI. FOTO MORINI GIACOMO/INFOPHOTO

Italia alarmon Europën. Referendumi mbi reformën kushtetuese, që do të mbahet në muajin nëntor konsiderohet “më i rëndësishëm se Brexit”. Kështu shkruante javën që shkoi “The Wall Street Journal” që ashtu si  gazetat prestigjioze “Financial Times”, “The Economist” dhe “The New York Times” e vendosin Italinë në zemër të krizës evropiane, për shkak të stanjacionit ekonomik, borxhit publik stratosferik dhe brishtësisë së disa bankave. Dhe të gjitha i këshillojnë Kryeministrit italian Matteo Renzi, një terapi shoku për ekonominë. Renzi po lëviz në këtë drejtim, me presione ndaj Brukselit për fleksibilitet më të madh në llogaritë publike dhe fonde për investime.

Alarmi u ndez 12 gushtin e shkuar, kur u bënë publike të dhënat e frikshme të ekonomisë italiane. Në tremujorin e dytë të viti shënoi një rritje zero, një stanjacion që frenon edhe kontinentin, duke marrë parasysh që Italia është ekonomia e tretë më e madhe në eurozonë. Panorama përkeqësohet me të dhënat e Bankës së Italisë, mbi rritjen jashtë kontrollit të borxhit publik: 2.248 miliardë euro, një shifër rekord dhe monstruoze që përfaqëson 135% të PBB.

Renzi kishte premtuar ta reduktonte në 132.7% në vitin 2016-të, për herë të parë në tetë vjet, por ky synim do të jetë i pamundur me rritjen e dobët ekonomike. Analiza e “Wall Street Journal”, thekson se ajo që shqetëson më shumë në ekonominë italiane është se “e keqja është e vjetër”, para krizës së vitit 2008 dhe trendi negativ ka tashmë një dekadë që zgjat. Pasojat po i paguajnë në  veçanti të rinjtë: 36.5% janë të papunë në krahasim me mesataren evropiane 20.8%.

Alarmi për seriozitetin e situatës italiane nuk u ndez papritur. Muajin e kaluar, “The Economist”, botoi në kopertinën e saj  imazhin e një autobusi me flamurin italian në buzë të një shkëmbi. Paralajmërimi i drejtohej bankës italiane. E përjavshmja britanike e përshkruante kështu situatën dramatike të vendit: “Ekonomia e katërt në Europë, një nga më të brishtat, me shkallën e punësimit më të ulët, pas Greqisë, një ekonomi në agoni prej vitesh, e mbytur nga rregulloret e tepërta dhe produktivitetit i dobët”.

Emisarë të ndryshëm të financave dhe të industrisë globale, që nga George Soros dhe drejtues të lartë të Silicon Valley , kanë treguar shqetësime të ngjashme në vizitat e tyre në Itali, një vend që e shohin si unazën e dobët të euros. Këtij skenari delikat, të gjitha mediat i shtojnë politikën e ndryshueshme të referendumit kushtetues, me pasoja që po reflektohen në bursë. “Në këtë panoramë, referendumi është jetik, ndoshta më i rëndësishëm se Brexit”, shkruante javën e shkuar  “The Wall Street Journal”.

Gazeta njujorkeze konsideron se konsulta “do të shënojë një pikë shumë të rëndësishme për Italinë dhe Europën. Një “po” ndaj reformës do t’i jepte qeverisë italiane stabilitet më të madh dhe një shtysë  ekonomisë” . “Jo”  do të ishte katastrofike për Italinë, që do të hynte në recesion, sipas një studimi të Confindustrias. Në një koment të ashpër, nga Sarah Gordon e “Financial Times”, është theksuar se fitorja e “jo”-së do të ketë pasoja të rënda për të gjithë eurozonën. Kostoja politike do të ishte shumë e lartë. Britanikja “The Observer” ka theksuar se nëse Matteo Renzi humbet referendumin, rrezikon të ketë fatin e Cameron.

Kështu do të ekzistonte mundësia që të zhvilloheshin zgjedhje të parakohshme, me rrezikun që Lëvizja 5 yje e komedianit Beppe Grillo “të përzërë nga pushteti Partinë Demokratike të Renzit”. Skenari i populistëve të Grillos trondit Europën sepse, mes të tjerave planifikon një referendum mbi daljen e Italisë nga euro. “Mund të fitojnë zgjedhjet, por më pas nuk do të dinin ç’të bënin. Janë cinikë dhe naiv, por sidomos të paaftë. Programi i tyre është i dyshimte, shkruan “The Economist” për M5S.

Të gjitha mediat theksojnë gabimin e rëndë të Matteo Renzit për të personalizuar referendumin. Praktikisht e ngriti si plebishit për personin e tij dhe theksoi se nëse humbiste do të largohej në shtëpi. Vetë Renzi ka pranuar tani se gaboi. Opozita, madje dhe një minorancë e Partisë Demokratike, pohojnë se do të votojnë jo në referendum. Do të ishte një votë ndëshkimi për Renzin.

Rreziku është që ajo pjesë e elektoratit që vuan efektet e krizës ekonomike, të votojë jo kundër qeverisë që sa vjen e bëhet më e papëlqyer, duke ndëshkuar kështu kryeministrin. Sondazhet e fundit tregojnë se vota “jo” do të fitonte me 53% të votave, por është shumë i lartë përqindja e të pavendosurve, praktikisht gjysma e elektoratit. /DITA

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *