Koalicion i madh ose një qeveri e dytë teknike – janë hipotezat që po qarkullojnë në shtypin italian pas rezultateve që nuk japin asnjë siguri për qeverisjen e së ardhmes. Në Dhomën e deputetëve forca fituese është qendra e majtë e Bersanit me 29.54% kundrejt 29.3% të qendrës së djathtë të Berluskonit, por kjo e fundit dominon në Senat me 116 vende kundrejt 113 të të majtëve. Surpriza e vërtetë ishte partia e Bepe Grilos, që rezultoi edhe partia më e votuar me 25.5% edhe pse jo në koalicion
Italia që doli nga kutitë zgjedhore është një Itali thellësisht e copëzuar politikisht. Dhoma e deputetëve kryesohet nga koalicioni i qendrës së majtë i Pier Luixhi Bersanit me një ndryshim shumë të vogël në përqindje nga ai i qendrës së djathtë të Silvio Berluskonit, prej vetëm 0.41%.
Nga ana tjetër, Senati është në dorën e Berluskonit. Edhe këtu diferenca është shumë e ngushtë: qendra e djathtë ka vetëm 3 vende më shumë se qendra e majtë. Në këtë situatë për Italinë, perspektiva për një qeverisje të re të konsoliduar parashikohet veçanërisht e vështirë.
I sigurt është pozicioni i partisë së ish-komedianit Bepe Grilo. Pas një fushate të bazuar mbi ironinë dhe kritikat për politikanët dhe partitë e mëdha, mbështetësit e Grilos kanë arsye për të festuar, sepse rezultatet i tejkaluan pritshmëritë e tyre. M5S (Lëvizja 5 Yjet) është partia që ka marrë numrin më të madh të votave në Dhomën e deputetëve (25.5%).
Dhoma e deputetëve
Koalicioni i qendrës së majtë i drejtuar nga Bersani renditet i pari në Dhomën e deputetëve me 29.54% të votave e që përkthehet në 340 vende deputetësh. Partia Pd e Bersanit, pjesë e këtij koalicioni ka arritur të marrë 25.42% të votave. Ndërsa dy paritë e tjera të vogla Sel dhe Cd kanë siguruar përkatësisht 3.2% dhe 0.49% të votave.
Koalicioni i qendrës së djathtë i Berluskonit ka marrë 29.13% të barazvlefshme me 124 vende në Dhomën e deputetëve. Pdl-ja e kavalierit, partia kryesore e këtij koalicioni ka marrë 21.56% të votave, Lega Nord me 4.08%, Fdi me 1.95% dhe La Destra me 064%.
Është partia e Bepe Grilos, M5S, ajo që në krahasim me partitë e mëdha si Pd e Bersanit dhe Pdl e Berluskonit ka arritur të marrë përqindjen më të madhe të votave, e konkretisht 25.55% ose 108 vende. Por ish-komediani është shprehur kundër çdo lloj aleance me parti të tjera, e për këtë arsye disfavorizohet duke mbetur forca e tretë politike në Dhomën e deputetëve.
Senati
Në Senat është qendra e djathtë ajo që ka fituar më shumë vende, 116 të tilla të barazvlefshme me 30.6%. Qendra e majtë ndonëse ka marrë një përqindje më të madhe votash në senat, prej 31.6%, është ligji elektoral italian (të cilin njerëzit e thjeshtë e kanë të vështirë ta kuptojnë) që e rendit në vend të dytë me 113 vende. Partia e Grilos ka arritur të fitojë 23.8% të votave në Senat të barazvlefshme me 54 vende duke dalë forca e tretë politike në këtë dhomë të parlamentit.
Një situatë e tillë për zëvendëskryetarin e Pd-së, Enriko Leta, tregoi një pamundësi për të krijuar një qeveri të fortë dhe prandaj, lind nevoja për rikthim në kutitë zgjedhore. “Do të bëhet menjëherë një ligj i ri elektoral dhe do të kthehemi të votojmë”, thotë Leta. Nga ana tjetër, Silvio Berluskoni nuk mendon se një votim i ri do të ishte i nevojshëm.
Zgjedhjet dyditore të zhvilluara në Itali, u mbyllën të hënën në orën 15:00, dhe numërimi i të gjitha votave përfundoi rreth orës 3.30 të mëngjesit të së martës. Sipas të dhënave të Pallatit Madama pjesëmarrja në këto zgjedhje ka rënë me 6%. Nga 50 milionë italianë me të drejtë vote, për Senatin votuan 75.2% e banorëve, ndërsa për Dhomën e Deputetëve 75.1% e tyre, në një kohë kur vitin e kaluar për të dyja dhomat e parlamentit votuan 80.5% i zgjedhësve.
Përgatiti: Dorina Gjuzi
