Pas një dite të lodhshme, duke përfshirë edhe sherre në Senat, Qeveria Italiane ka marrë votat që kërkonte për reformën e punës. Reforma është miratuar me 165 vota pro, 111 kundër dhe 2 abstenime. Kryeministri, Matteo Renzi, vuri në lojë gjithçka kur hodhi në votim në Senat reformën për fleksibilitetin e tregut të punës dhe që parashikon lehtësira për eprorët për pushimet nga puna.
Një reformë kjo, që përballet me kundërshtime nga sindikatat dhe sektorë të ndryshëm të majtë. Para një lëvizje të tillë, anëtarët e Lëvizjes 5 yje e komikut Grillo, i prishën festën Renzit, duke zënë Dhomën, vonuan votimin dhe hodhën monedha kundër anëtarëve të qeverisë. Në paraqitjen e votimit të reformës si mocion besimi, Matteo Renzi bëri eksplicit nxitimin e tij për miratimin e ligjit të ri. Kryeministri me këtë veprim vuri në lojë qëndrimin e tij në pushtet.
Me këtë ligj Renzi donte të paraqitej para shefave të qeverive të BE-së, të mbledhur në Milano, si një reformist i suksesshëm, që imponon ndryshimet e tij me goditje të guximshme. Për Kryeministrin ishte kthyer në obsesion paraqitja në këtë takim me duart plot, për të kundërshtuar kështu kritikën më të përsëritur që bëhet shpesh si brenda dhe jashtë Italisë, pra, të flasësh shumë dhe të reformosh pak. Reforma e Renzit synon të fleksibilizojë tregun e punës, duke lehtësuar kompanitë për pushimet nga puna dhe punësimin si dhe parashikon lehtësime fiskale për kontratat e reja.
Shefi i ekzekutivit, i cili ndjehet i mbështetur fuqimisht nga opinioni publik (sondazhet japin një mbështetje prej 53% të popullsisë), gjithashtu ka ndarë sindikatat. Reforma e punës në vetvete është gjithashtu një kërkesë e BE-së, Bankës Qendrore Evropiane (BQE) dhe botës së biznesit, të cilët besojnë se ngurtësia e tregut të punës pengon investimet,që mungojnë prej vitesh në Itali. Për më tepër, propozimi do të jetë pjesë thelbësore e negociatave të Italisë me Brukselin.
Në çdo rast, Renzi përdori reformën e punës për të përcjellë një mesazh fitoreje për udhëheqësit evropianë. Një mesazh që do të thotë se Italia tashmë po ndërmerr reforma dhe tani është radha e Europës të bëjë pjesën e saj: të flasë më pak për shtrëngimet dhe të marrë masa për investimet dhe rritjen ekonomike. Në Samitin e Milanos për punësim, Renzi u përgëzua nga kolegët e tij të Evropës, së pari nga Kancelarja Angela Merkel, që e përshkroi reformën si “një hap të rëndësishëm”.
