Prej disa ditësh, kundërshtarët klasikë të Matteo Renzit, sindikatat, anëtarët e vjetër të Partisë Demokratike (PD), apo kupola e bosëve, janë bashkuar me disa sektorë të tjerë që gjatë muajve të parë të qeverisjes së tij kishin zgjedhur t’i jepnin një votë besimi.
Megjithatë tani që nga Konferenca Episkopale Italiane (CEI) deri tek analistët kryesorë të vendit, duke kaluar te sipërmarrës të shquar, të cilët mburreshin se ishin miqtë e tij kanë filluar një fushatë kundër Renzit në të cilën, përtej kritikës për një vonesë në reformat e premtuara, akuzohet për një autoritarizëm të tepruar madje edhe si mason.
Kreu i PD-së theksoi se kjo është një përpjekje e “fuqive të forta” të Italisë dhe u ka dërguar atyre një mesazh përmes të përditshmes “Reppublica”. “Mund të më dërgoni në shtëpi, por nuk mund të më drejtoni. Nuk do ju kërkoj leje për të bërë reformat. Nuk do të jem një marionetë në duart tuaja”.
Fillimisht, Matteo Renzi mohoi ekzistencën e një komploti të orkestruar për ta larguar, por tani duket se e ka marrë më seriozisht. “Në ditët e fundit janë lëshuar kundër qeverisë drejtues gazetash, biznesmenë, bankierë… Shumicës i është dukur si një sulm i studiuar, por unë që jam fatmirësisht naiv, preferoj të besoj në rastësitë.
Por “fuqitë e forta” janë ato që në 20 vitet e fundit kanë asistuar me heshtje apo kanë qenë bashkëpunëtorë në humbjen e konkurrencës në Itali, apo në shkatërrimin e sistemit të arsimit dhe tani ju doni që unë të bëj në gjashtë muaj atë që nuk keni bërë ju në 20 vjet?”
Gazeta e qendrës së djathtë identifikon si ‘fuqitë e forta”, Bankën e Italisë, me zëra që rriten gjithnjë e më shumë për një kandidaturë të guvernatorit Ignazio Visco si kryeministër, Mario Draghi, Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, për postin e Presidencës së Republikës, Konferencën Episkopale, Konfindustrinë, sindikatën CGIL dhe së fundi të majtën në PD, e cila ka intensifikuar opozitën kundër Renzit. E sigurt është që lista e armiqve është gjithnjë më e gjatë dhe më e fuqishme, madhe në të përfshihen edhe biznesmenë të vjetër, miq, që papritur kanë dalë kundër tij me dhunë verbale. Ky është rasti i Diego Della Valle, pronarit të kompanisë së këpucëve “Tod’s”, i cili ka akuzuar kryeministrin se është një “sharlatan” që “mund të thotë çdo lloj budallallëku dhe ta kundërshtojë atë ditën tjetër, është dikush që nuk ka punuar kurrë”.
Por ndoshta sulmi më i ashpër si për hidhësinë në të folur edhe për faktin që ishte i papritur, ishte ai që firmosi të mërkurën Ferruçio de Bortoli, drejtuesi i “Corriere della Sera”, në faqen e parë të gazetës milaneze nën titullin “Armiku në pasqyrë”. Eleganti De Bortoli, e drejtoi këtë herë shpatën për të vrarë që në paragrafin e parë: “Duhet të jem i sinqertë: Renzi nuk më bind. Jo aq sa për idetë dhe vlerat, se sa për mënyrën se si e menaxhon pushtetin. Nëse do më te vërtetë të ndryshojë këtë vend, duhet të kujdeset nga armiku më i tmerrshëm: vetja e tij”.
Sikur të mos ishte e mjaftueshme drejtori De Bortoli i kërkon Renzit që të shpjegojë marrëveshjen e tij me Silvio Berlusconin, të ashtuquajturën pakti i Nazaretit, për të reformuar ligjin zgjedhor. Më tej ai vijon duke thënë se nuhat një “erë masonerie” në aktivitetin e kryeministrit. Në një përgjigjen e tij Renzi shprehet, “Nuk jam mason, jam një “boy scout”. E vërteta është se unë vlerësoj disa fuqi dhe ky është reagimi”.
