Historia fillon në 12 mars të 1992-shit. Mafia siçiliane (Cosa Nostra) vret politikanin më të fuqishëm të ishullit, Salvo Lima, sepse Gjykata e Kasacionit, katër vite më parë, dënoi përfundimisht 360 mafiozë me në total 2665 vite heqje lirie pa llogaritur burgimet e përjetëshme. Vrasja e Limës ishte një sinjal për shtetin: nga ai çast Cosa Nostra futej në një luftë që shkaktoi vdekjen e prokurorëve Falcone dhe Borsellino, e tetë policëve të eskortave respektive dhe shpërthimin e bombave në Milano, Romë dhe Firence. Nga një organizatë mafioze me qëllim kontrollin me imtësi të territorit siçilian, Cosa Nostra u shndërrua në një burim terrori që kapi në befasi shtetin italian. Strategjia e terrorit përfundoi në janar të vitit 1994, pas atentatit të dështuar kundër një grup policësh pranë stadiumit Olimpico të Romës.
Pothuajse njëzet vite më vonë, prokuroria e Palermos dhe Komisioni hetimor i Parlamentit italian dhanë dy përgjigje të ndryshme për pyetjen kyçe: si është e mundur që pistoletat dhe tritoli i mafies siçiliane heshtën befasisht? Mos pati një traktativë dhe më pas një ujdi për të arritur një paqe perverse midis institucioneve kushtetuese dhe organizatës kriminale?
Për të çuar më tej analizën, duhet shtjelluar një çështje që tashmë mund të konsiderohet e faktuar si nga autoriteti gjyqësor ashtu dhe nga veprimtaria e komisionit hetues. Drejtuesit më të lartë të Karabinierëve, gjenerali Mori, komandati i reparteve speciale De Donno dhe kapiteni Subranni, i kërkuan ish kryebashkiakut të Palermos Vito Ciancimino (i dënuar për mafie) hapjen e traktativave me kupolën e Cosa Nostras. Kanali i komunikimit çeli: mbi 300 mafiozë dolën nga regjimi i burgimit të rreptë, padrinoja i Cosa Nostrës Totò Riina u arrestua (ndoshta për shkak të tradhëtisë së numërit dy Bernardo Provenzano që më pas i zuri vendin) dhe mafia siçiliane zhyti sërisht kokën nën ujë duke u bërë e padukshme por jo më pak e rrezikshme.
Sipas prokurës së Palermos (gjyqi është akoma në hapat e para), karabinierët në fjalë kurrë nuk mund të kishin patur kurajon për të vepurar pa një mandat të qartë politik. Prokurori Di Matteo, në seancën e së merkurës, shpalosi tezën se mburoja politike e karabinierëve ishte në rang ministrash (Nicola Mancino, Calogero Mannino dhe Giovanni Conso) por mbi të gjitha se regjizori i ujdisë ishte vetë Presidenti i Republikës i asaj kohe, i ndjeri Oscar Luigi Scalfaro.
Në raportin përfundimtar të komisionit parlamentar hetimor (publikuar pardje) lexohet se kontaktet midis tre karabinierëve dhe mafiozit Ciancimino nisën si një “operacion hetimi i guximshëm”. Qëllimi i forcave të rendit ishte kapja e padrinos Riina, por më pas veprimi degjeneroi në një ujdi për të ndaluar vrasjet por “pa asnjë mandat dhe regji politike”. Nuk pati një shkëmbim lëshimesh midis dy protagonistëve të luftës, por “trataktiva të heshtura midis personave të veçantë që nuk kishin pushtetin për të përfshirë gjithë Shtetin apo gjithë Cosa Nostrën”.
Tymnaja që rrethon periudën ’92-’94 fakton se diçka është mbajtur fshehur, se veprimtaria e organeve shtetërore nuk qe gjithmonë ligjore dhe se lufta kundër krimit të organizuar ka pasur kompromise në disa raste edhe të turpshme. Kur ekuilibrat midis mafies dhe politikës u prishën nga disa prokurorë që sakrifikuan jetën në detyrë (Falcone dhe Borsellino mbi të gjithë), institucionet kushtetuese shfaqën një pafuqi substanciale përballë kapacitetit kriminal të Cosa Nostrës. Shtetit italian iu desh të ulej në bashkëbisedime sekrete me mafiozët siçilianë për të evituar dështimin total në mbrojtjen e qytetarëve të vet.
Pas vitit ’94 me shumë gjasa ekuilibri i mësipërm u rindërtua dhe historia e bashkëjetesës së shtetit me anti-shtetin njohu thjesht një kapitull të ri.
Elton Xhanari
PhD – E Drejta Kushtetuese Italiane dhe Europiane – Verona