Një zhytës shqiptar me banim në Itali rezulton i zhdukur prej tri ditësh. 26-vjeçari shqiptar Xhevahir Gjuta, është zhdukur që të shtunën, kur ishte ndarë nga miqtë e tij, duke thënë se do të shkonte në Punta Ala të provincës së Grossetos në Itali, të ushtrohej në det, pasi do të aplikonte për të marrë patentën e zhytësit. Policia italiane ka nisur kërkimet me anë të forcave të Rojes Bregdetare në det e ajër, ndërsa të forcat e Mbrojtjes Civile, Zjarrfikësve dhe Rojes Pyjore në bregdet. Mësohet se makina dhe rrobat e tij janë gjetur në breg të detit në Punta Ala. Momentalisht kërkimet në det janë pezulluar për shkak të motit të keq që ka goditur Maremma-n.